Ndërlidhjet

Ahmeti: I gatshëm të mbështes një kandidat koncensual


Ali Ahmeti
Ali Ahmeti

Jam i gatshëm të bëj hapin e parë të guximshëm dhe të përkrahim një kandidat koncensual, i cili do të jetë i pranueshëm edhe për shqiptarët edhe maqedonasit, por i denjë që t’i përfaqësojë edhe shqiptarët, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ali Ahmeti, nga Bashkimi Demokratik për Integrime.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, Maqedonia edhe këtë vit mbetet në status quo, pas vendimit të Këshillit të Evropës, që të mos i caktohet datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Kush është fajtor për këtë, sipas jush?

ALI AHMETI
Unë nuk jam në kërkim të fajtorëve, unë jam në kërkim të zgjidhjes dhe nuk është në të mirë të zgjidhjes që në këtë situatë të gjuajmë me “tomahovka” dhe me “katakulta” se fajin e ka ky ose ai. Unë nuk kam qenë ndonjë optimist se ne, në dhjetor, do të marrim datë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE.

Përpjekjet maksimale janë bërë që ne të hyjmë në agjendë që çështja e pazgjidhur e kontestit të emrit të vendoset në tavolinë për zgjidhje, të krijojmë një klimë miqësie në vend edhe në rajon dhe unë nuk pres që samiti i gjashtë i Brukselit të ketë po atë përgjigje që tani e ka marrë Maqedonia në samitin e pestë.

Janë bërë pesë rekomandime deri më tani dhe të pesë rekomandimet janë pozitive për vendin dhe njëherësh Maqedonia nuk merr datë për fillimin e negociatave. Kjo është e pakuptimtë, sepse kjo nuk është mirë për partitë politike, por njëherësh nuk është mirë as për qytetarët e Maqedonisë, por më duhet të theksoj se kjo nuk është mirë as për Brukselin.

Momenti që ndodhi mes Prishtinës dhe Beogradit është një moment që duhet përshëndetur nga i gjithë rajoni, mbase para pesë vjetësh askush nuk ka mundur të mendojë se do të ulen në një tavolinë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai serb, Ivica Daçiq, dhe do të flasin për procese të mëdha, paqësore, për pajtim.

Kjo do të thotë se edhe ne duhet të nxjerrim mësim nga disa momente, të cilat ndodhin brenda rajonit dhe unë mbetem në atë se do të ketë aktivitete serioze dhe të shtuara nga komuniteti ndërkombëtar në drejtim të lehtësimit të bisedimeve të Maqedonisë me palën greke, në kërkim të një kompromisi, i cili do të jetë i pranueshëm për të dyja palët. Ky kompromis nuk duhet të cenojë identitetin e bashkëqytetarëve tanë, meqë në këtë rast unë solidarizohem me ndjenjat e bashkëqytetarëve të mi maqedonas, në drejtim të rruajtjes së identitetit në drejtim të ruajtjes së këtyre vlerave. Kështu që, gjërat që kanë të bëjnë me atë anën sensitive plotësisht dakordohem që të mos preken fare, por një kompromis duhet të arrihet në drejtim të zgjidhjes së kontestit të emrit .

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se rezultatet e para të aktiviteteve të shpeshtuara diplomatike që kishit muajin e fundit, do të jenë të dukshme në dhjetor. Për çfarë rezultatesh e kishit fjalën?

ALI AHMETI
Tani, pa dashur ta ekzagjeroj, e as ta mohoj, të gjitha aktivitetet e mia kanë qenë në funksion që çështja e Republikës e Maqedonisë të qëndrojë apo ngrihet në agjendën evropiane, aty ku e ka vendin dhe seriozitetin.

Edhe pse unë nuk dua t`i kthehem së kaluarës, është fakt se komuniteti ndërkombëtar u përqendrua tërësisht në probleme shumë më madhore sesa Republika e Maqedonisë. Të gjitha qendrat ndërkombëtare të vendosjes i zmbrapsën aktivitetet e tyre të rëndësishme në Irak, Siri, Afganistan, Afrikën e Veriut, në Korenë e Veriut, dhe ne pothuajse nuk ishim fare në rend të ditës.

Kjo më bëri që unë të angazhohem dhe t’i shpjegoj arsyet e vërteta komunitetit ndërkombëtarë pse nuk duhet ta heqë vëmendjen nga Republika e Maqedonisë, e as nuk duhet që të zbehë aktivitetet diplomatike në këtë vend. Kjo, sepse komuniteti ndërkombëtarë ka investuar mjaft në Republikën e Maqedonisë në drejtim të ngritjes së institucioneve demokratike, në drejtim të forcimit të shtetit, në drejtim të forcimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Ka pasur një angazhim tejet serioz të Komunitetit Ndërkombëtar me rastin e arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, me rastin e ndërprerjes së luftës dhe me hapjen e dialogut, me hapjen e negociatave për të shkuar në një drejtim të duhur, vendi ynë.

Dhe, me kalimin e kohës, jo vetëm unë, por edhe një pjesë e madhe e njerëzve që kanë mbi supet e tyre përgjegjësi, vërejtën se komuniteti ndërkombëtar, duke parë edhe disa zhvillime që janë në kundërshtim me përcaktimet apo me filozofinë e Bashkimit Evropian, me filozofinë e SHBA-së, filluan që Republika e Maqedonisë të mos të bëjë hapat e duhur në drejtim të avancimit të vendit në NATO dhe BE.

Unë nuk kam deklaruar se në dhjetor të gjitha problemet do të jenë të zgjidhura, që problemet do të jenë të mbyllura, por kam thënë se shpresoj në një aktivitet shumë më të dendur dhe shumë më serioz të qendrave vendosëse ndërkombëtare, të nënshkruesve të Marëveshjes së Ohrit, dhe të shumë proceseve të tjera paqësore që kanë ndodhur në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si në Kosovë, Kroaci, Bosnjë Mal të Zi, dhe Serbi, dhe kam tentuar që ta bind komunitetin ndërkombëtarë që tani është momenti - një moment serioz - për zgjidhjen e çështjes së emrit; si një problem kyç që paraqitet si pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe për dhënien e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në.

Konsideroj se vlerësimet më të mëdha duhet t’i japin vetë ato personalitete, të cilat unë i kam takuar që nga Uashingtoni, Brukseli dhe thuajse në të gjitha kryeqendrat e Evropës, Berlin, Paris, Londër, Hagë, Vjenë, Sofje dhe Athinë dhe mendoj që kam arritur të jap shpjegimet e duhura se Maqedonia nuk lëviz në drejtim të duhur nëse nuk arrin të zgjidhë çështjen e emrit. Moszgjidhja e çështjes së emrit krijon pasiguri dhe tensione politike në vend dhe në rajon dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë, por ne duam që t`u paraprijmë këtyre momenteve të këqija.

Më duhet të theksoj se tani është dhe momenti historik me rastin e 100-vjetorit të Luftërave Ballkanike, lufta të përgjakshme, lufta ku çmim të lartë kanë paguar edhe shqiptarët, por edhe bashkëqytetarët tanë maqedonas dhe i tërë rajoni dhe tani nuk duam që edhe pas 100 viteve të tjera, të shkruhen përsëri libra dhe të shfaqen argumente arkivore për masakrat e reja në këtë rajon.

Ky rajon ka nevojë të vendosë standard siç vendosi Gjermania që u pajtuan duke zgjatur dorën për pajtim. Franca mori guxim dhe Gjermania gjithashtu, sepse proceset e mëdha duan guxim; sepse për Alzes Lorenin u vranë 14 mijë fëmijë francezë dhe sot nuk dihet në janë toka franceze apo toka gjermane.

Këto procese duan guxim, duan vizion për pajtim dhe ky pajtim është momenti sot që duhet të ndodhë, në përkujtim të 100-vjetorit të luftërave ballkanike.

Të gjejmë zgjidhje për çështjen e emrit të arrijmë një kompromis me fqinjin tonë jugor, të nënshkruajmë marrëveshje për fqinjësi të mirë me të gjitha ato vende, me të cilat kemi konteste, të krijojmë marrëdhënie të mira ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, të anëtarësohet vendi në NATO, të fillojnë bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, të krijohet klimë më e mirë për investimet e huaja dhe hapjen e vendeve të reja të punës, sepse po e kthyem të shkuarën pas, çmimi është i dhimbshëm për të gjithë rajonin.

Maqedonia është në udhëkryq dhe unë shumë hapur e kam thënë se të gjitha aksidentet e rënda ndodhin në udhëkryq dhe jo në rrugë të drejtë dhe ne përpiqemi që ky vend të hyjë në rrugë të drejtë dhe mos mbetemi edhe më tej në status quo.

Ne jemi në pikën a do të lëvizim përpara apo do të kthehemi pas? Nëse kthehemi pas, kthehemi drejt izolimit dhe të izoluar çmimin do ta paguajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Pra, jemi në momente të rëndësishme ku duhet veprim dhe guxim, të ulemi në tavolinë të arrijmë konsensus etnik dhe politik me të gjitha partitë, me të gjitha komunitetet dhe të përcaktohemi për alternativën e vetme që ka shteti, sepse nuk ka alternativë të dytë.

Alternativa e vetme është NATO, BE , paqe, stabilitet dhe zhvillim për Maqedoninë dhe për tërë rajonin.

Ne jemi pjesë e Evropës dhe ne duhet të punojmë , t`i plotësojmë standardet, të cilat i kërkon edhe vetë Evropa, e cila është Evropë e diversiteteve.

Në Evropë secili e ruan identitetin e vet dhe e përforcon atë. Të izoluar rrezikojmë të humbim edhe shtetin edhe identitetin.

Kështu që unë jam i përcaktuar dhe i vendosur të shkojmë drejt Evropës ku do t`i ruajmë vlerat tona, do t`i begatojmë ato vlera, sepse po me këto vlera, fiton edhe vetë Evropa. Historikisht i kemi takuar Evropës dhe do të jemi pjesë e Evropës. Ne duhet të jemi pjesë e aleancës politiko - ushtarake të NATO-s, sepse i takojmë kësaj aleance edhe me proceset që janë zhvilluar. Maqedonia mere pjesë në Afganistan, Bosnjë në vendet ku ka kriza, pse mos të jemi dhe pjesë përbërëse e NATO-s, pse mos i bëjmë këta hapa të guximshëm?!

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, për t`u arritur kjo, nevojitet zgjidhja e çështjes së emrit. Ju vetëm një muaj më parë thatë se Maqedonia gjendet si kurrë më parë afër zgjidhjes së kontestit të emrit. Ku e bazonit optimizmin tuaj?

ALI AHMETI
Deri më tani nuk ka pasur ndonjë ide ose ndonjë propozim konkret të shkruar dhe të postuar në kutitë postare të Shkupit dhe Athinës. Zoti Nimic tani ka bërë një propozim konkret që është gjetur në kutitë postare të dy qeverive - atë të Shkupit dhe Athinës dhe ky propozim është parë tani. Megjithatë, nuk dua të hyj në detaje se kush pajtohet dhe si nuk pajtohet, por përderisa kemi një ide, momenti është që palët të ulen në një tavolinë, dhe sy më sy të përballen me argumente. Palët duhet t`i thonë hapur gjërat pse nuk pajtohen me një ide të këtillë dhe çfarë ideje ata kanë.

Nëse ka ide të tjera, le t`I hedhin ato në tavolinë. Jam i mendimit se ky është momenti më i volitshëm për t’u ulur në tavolinë përderisa ka një ide.

Unë e kam thënë shumë herë hapur, se ky moment për t`u ulur në tavolinë nëse lihet që vetë palët të ulen së bashku pa ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, nuk do të ndodhë.

Po u la ky problem si çështje bilaterale, si çështje që mund ta zgjidhin dy vendet atëherë unë mendoj se zgjidhje asnjëherë nuk mund të arrihet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i komentoni zërat se çështjen e emrit mund ta zgjidhë vetëm një koalicion i zgjeruar?

ALI AHMETI
Mendoj se rreth çështjes së këtij kontesti duhet të ketë pajtueshmëri të të gjitha subjekteve politike, të të gjithë atyre që kanë mbështetjen e qytetarëve, pavarësisht se janë në pushtet, ose opozitë. Mendoj se të gjithë ata duhet të deklarohen dhe të kontribuojnë në drejtim të zgjidhjes së këtij kontesti. Njëherësh, të mos shfrytëzohet çështja e emrit për politikë ditore, ose për ndryshim pozicionesh nga opozitë në pozitë ose pozitë në opozitë, por çështja e zgjidhjes së emrit duhet të ketë një angazhim serioz pa u keqpërdorur për qëllime të ngushta grupore, partiake, sepse atëherë nuk mund të kemi edhe një zgjidhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, zvarritja e procesit të integrimeve, zhvillimet rreth përmendores së Car Dushanit, po edhe dallimet që keni me partnerin e koalicionit qeverisës rreth ligjit të mediave, nga analistët shihen si mundësi çarjeje të koalicionit. Si i komentoni këta zëra?

ALI AHMETI
Në koalicion ka dallime por nuk ka probleme të natyrës radikaliste. Sigurisht se ka mospajtime, ka ide të ndryshme, për të cilat diskutohet për zgjidhje sa më të mira. Për shembull, rreth çështjes së Ligjit të mediave sigurisht se dialogohet, sigurisht se mendimet nuk kanë qenë të përafërta mes partnerëve të koalicionit.

Më duhet të theksoj se janë bërë më shumë takime për t`i afruar qëndrimet për X- ligje, të cilat duhet të hyjnë në procedurë parlamentare, siç është edhe Kodi zgjedhor, ku kemi pasur dallime, kemi bërë negociata debate.

Kështu janë partitë politike. Janë dy organizma që kanë shtëpitë e tyre, mirëpo pasi të përfundojë një proces zgjedhor, ato duhet të futen në një shtëpi të ndërtojnë strategji, të ndërtojnë platformë se si do t`i realizojnë premtimet e tyre dhënë para elektoratit.

Do të thotë në koalicion qeveritar nuk rrjedh mjaltë e qumësht, ka debate ka mospajtime, dallime për çështje të caktuara, por jo deri në atë përmasë të prekjes së butonave “për të lëshuar raketat patriot” gjegjësisht për të bombarduar. Do të thotë bombardime në koalicion nuk do të ketë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndonëse për disa muaj në Maqedoni do të realizohen zgjedhjet presidenciale, keni biseduar me ndonjë parti politike për të garuar me kandidat të përbashkët, apo vendosët të garoni vetë si parti?

ALI AHMETI
Mendoj se kjo është një temë që kërkon një qasje shumë të vëmendshme, madje të kujdesshme. Mendoj se njëzet vjet janë bërë ca teatro në Republikën e Maqedonisë. Shqiptarët si komunitet kanë kandiduar dhe kanë garuar me dy tre kandidatë tyre për president të shtetit. Nga ana tjetër, maqedonasit, gjithashtu, kanë garuar me dy tre kandidatë maqedonas dhe është bërë një dramë veçanërisht te shqiptarët, sepse e dinë se presidentin nuk mund ta zgjedhin shqiptar, meqë nuk e kanë numrin e mjaftueshëm të votave. Dhe, duke e ditur se sërish do të jetë i votuar një kandidat maqedonas të them të drejtën, për mua kjo paraqet një teatër ashtu siç thotë populli “dasmë pa nuse”, sa u takon shqiptarëve.

Jam i mendimit pse të mos bëhen ca hapa më të mençur, pse ne të mos fillojmë të mendojmë në këtë drejtim. Ai president që do të zgjidhet, a do të duhet të jetë president i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë?

Sigurisht se duhet të jetë. Atëherë pse ai të mos jetë një figurë koncensuale që të ketë përkrahjen edhe të shqiptarëve edhe të maqedonasve?!

Në këtë drejtim unë jam i gatshëm të bëj hapin e parë të guximshëm dhe të përkrahim një kandidat koncensual, i cili do të jetë i pranueshëm edhe për shqiptarët dhe maqedonasit, mirëpo ai duhet të jetë përfaqësues i denjë që i përfaqëson edhe shqiptarët.

Më thoni, cili president deri më tani ka pasur një reklamë edhe në gjuhën shqipe ? Votat e shqiptarëve ai i do, por një reklamë shqip nuk e bën.

Nëse ai president duhet të jetë i të gjith qytetarëve, atëherë ai duhet të respektojë dhe gjuhën e atyre që e kanë votuar, në kabinetin e tij të marrë dhe dy tre shqiptarë që do të udhëheqin me sektorë të caktuar që ka Presidenca.

Pse unë kam një revoltë ndaj presidentit Ivanov, nga 20 studentë të cilët morën bursë shtetërore, vetëm një është shqiptar, mund të merrte atë bursë? Po bëri tre ose katër, jepe një porosi të mirë për qytetarët.

E theksoj rreth kësaj çështje jam shumë i hapur dhe do të flas me të gjithë. Do të flas edhe me partinë shqiptare në opozitë dhe hapur pyes, do të bëjmë teatër siç kemi bërë deri më tani ose do të kemi tani një qasje shumë më pragmatike, më dobiprurëse për shqiptarët po edhe maqedonasit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se shoqëria në Maqedoni ka arritur deri në atë stad të zhvillimit që të garohet me kandidat të përbashkët, gjegjësisht një kandidat të marrë besimin ,si nga shqiptarët, ashtu dhe maqedonasit, ndërkohë që Maqedonia përballet me tensione të natyrës ndëretnike, përfshirë dhe incidentet e shumta mes të rinjve?

ALI AHMETI
Incidentet ndodhin edhe në vendet më të përparuara të Evropës nëpër stadiume, kafene, e kështu me radhë. Unë jam për atë që mos ndodhin fare. Këtu duhet të angazhohet shteti shoqëria civile dhe familjet.

Këto incidente nuk guxon të keqpërdoren as nga politika, por të gjithë duhet të angazhohen në minimizimin gjegjësisht eliminimin e çfarëdo dhune që shfaqet mes të rinjve.

Dhe, kur jemi tek ideja e presidentit koncensual, mendoj nëse të gjithë arrijmë të mësojmë nga e kaluara sigurisht se këto momente janë të pritshme dhe mund të ndodhim dhe njëherësh nëse të gjithë punojmë në drejtim të kundërt, sigurisht se gjërat do të dalin keq.

Megjithëse, më duhet të theksoj se, unë jam optimist se shoqëria përparon, reflekton. Ne duhet të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët ku do të pranojmë vlerat e njëri-tjetrit, sepse s’kemi se ku e çojmë njëri-tjetrin nga ky shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, partia e juaj kërkoi përgjegjësi nga institucionet se kush e ka vendosur përmendoren e Car Dusanit, ndërkohë që ishin po zyrtarë të lartë të BDI-së, ata të cilët e dëmtuan në mesnatë këtë përmendore në përpjekje për ta larguar. Pse duhej të veprohej në këtë mënyrë dhe jo në kuadër të institucioneve?

ALI AHMETI
Mendoj se gjërat nuk duhet t’i lihen rrugës, por me to duhet të merren ato që janë zgjedhur nga populli, dhe në këtë drejtim do të thosha më mirë le t`i ndodh një e keqe një funksionari të Bashkimit Demokratik për Integrim sesa një qytetari të rëndomtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka do të ndodhë më tej?

ALI AHMETI
Ka shumë çështje që kërkojnë zgjidhje, unë së shpejti do të takohem edhe me përfaqësuesin serb, i cili është zgjedhur në Parlamentin e Maqedonisë dhe do të bisedojmë, sepse nuk duam që ky rast të ndikojë në raportet shqiptaro - serbe pavarësisht se çka ka ndodhur në të kaluarën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG