Ndërlidhjet

Shqiptarët e maqedonasit, të ndarë për presidentin


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas kanë mendime diametralisht të kundërta kur bëhet fjalë sa presidenti i shtetit paraqet ose jo një figurë, e cila i mbron interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe njëkohësisht punon në të mirë të shtetit.

Për qytetarët maqedonas, presidenti aktual, Gjorgje Ivanov, si profesor universitar, ka dëshmuar se është një burrështetas i pavarur nga politika me atë që është angazhuar për interesat e Maqedonisë duke realizuar takime të shumta me liderët botërorë në funksion të zhbllokimit të procesit integrues.

Kurse, ata shqiptarë janë shprehur se presidenti Ivanov, mbron interesat e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO DPMNE, nga e cila parti dhe u propozua si kandidat për president para pesë vjetësh.

Avni Krivanjeva, tregtar, thotë se presidenti Gjorgje Ivanov me asnjë veprim nuk ka bërë që shqiptarët ta ndiejnë si president të tyrin, pavarësisht se ai u zgjodh edhë nga votat e shqiptarëve.

“Në Maqedoni, përpos një maqedonasi që mund të zgjidhet president, asnjë etnitet tjetër s`ka gjasa. Sado që të duam ne, shqiptari s’mund të bëhet president shteti. Presidenti aktual, Gjorgje Ivanov, s`ka bërë asgjë për shqiptarët dhe as që ka për të bërë ndonjë tjetër”, thotë Avniu.

Ndryshe nga ai, Tihomir Sazdov, lektor, mendon se presidenti aktual ka bërë shumë për Maqedoninë.

“Po, duke marrë parasysh se presidenti i shtetit nuk ka shumë ingerenca, ai është angazhuar më shumë sesa që ia lejojnë mundësitë në funksion të interesave shtetëror dhe qytetarëve të vendit. Mendoj se presidenti duhet të jetë maqedonas dhe jo i imponuar nga politika”, vlerëson Tihomiri.

Edhe Elena Dimitriovska konsideron se institucioni i Presidencës së shtetit duhet të udhëhiqet nga maqedonasit.

“Për zgjedhjet presidenciale mund të them vetëm një gjë - ata duhet të reflektojnë vullnetin e shumicës këtu në Maqedoni dhe jo vullnetin e marrëveshjeve politike”, pohon Elena Dimitriovska.

Ndërkaq, studenti Valmir Iseni, thotë se ka ardhur koha që në Maqedoni të reflektohet karakteri multi-etnik i shtetit edhe në postet më të rëndësishme shtetërore.

“Po presidenti i shtetit duhet të jetë president i të gjithëve, jo vetëm i njërit etnitet. Për t`u ndier të barabartë në këtë shtet, atëherë kryeministri mund të jetë maqedonas dhe nga ana tjetër kryetari duhet të jetë atëherë shqiptar”, thotë Valmiri.

Edhe Hamzi Mustafa, taksist, konsideron se Maqedonisë i duhet një president shqiptar.

“Po, më në fund është mirë të provojmë se si do të ishte të kemi një president shqiptar, meqë Maqedonia përbëhet nga dy etnitete - shqiptarët dhe maqedonasit”, shprehet Hamzi Mustafa.

Ka dhe nga ata që nuk u besojnë fare politikanëve, qofshin të etnitetit shqiptar ose maqedonas.

“Krejt njëjtë është, nëse është shqiptar ose maqedonas, më në fund kur bëhet fjalë për interesa të ngushta partiake apo individuale, ata bashkëpunojnë”, thekson Azem Xhemaili, pensionist.

Kurse Fitim Jonuzi, shitës, thotë se s’është i interesuar fare për zgjedhjen e presidentit, e as për politikën në përgjithësi kur gjithçka, siç shprehet ai, është bllokuar:

“S`më intereson hiç puna e presidentit. Më intereson puna ime”.

Ndryshe, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, është shprehur se nëse nuk gjen mbështetje ideja e tyre nga partitë maqedonase për zgjedhjen e një kandidati konsensual për president shteti, atëherë do të bisedojnë me partitë shqiptare për të dalë me një kandidat të përbashkët shqiptar.

Ndërsa, partitë maqedonase taktizojnë deri në momentin e fundit dhe nuk i bëjnë të ditur emrat, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet për presidentin e shtetit,në zgjedhjet që duhet të realizohen në fund të muajit mars apo në fillim të prillit të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG