Ndërlidhjet

Burg për thirrje ose shkuarje në luftë


Luftëtar në Siri
Luftëtar në Siri
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin e hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për përcaktimin e veprës penale lidhur me angazhimi eventual të qytetarëve të Kosovës në luftërat dhe konfliktet jashtë Kosovës.

Projektligji përcakton “veprën penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individuale, jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, ka theksuar se hartimi i këtij projektligji është bërë me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare.

Siç ka thënë ai, kohëve të fundit është vërejtur trendi i rritjes së individëve, të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë dhe me qëllim të realizimit të sferave të tyre të interesit, po bashkohen në formë të organizuar apo të pavarur në kryengritje apo konflikte të ndryshme jashtë vendit, për shuma të caktuara të parave apo privilegje tjera.

Të njëjtit, siç ka thënë ministri Rexhepi, pas kalimit të kohës së caktuar, kthehen në vend dhe bëhen bartës të aktivitetit propagandistik dhe nxitjes së të tjerëve për bashkim apo pjesëmarrje në forma të tilla.

“Kemi konsideruar se është imediate krijimi kornizës ligjore për ndjekjen dhe gjykimin e personave të tillë, që marrin pjesë në konflikte apo në çfarëdo forme tjetër të organizimit joformal paraushtarak apo para-policor jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Projektligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit në vend dhe jemi dakorduar plotësisht lidhur me dispozitat e këtij projektligji”, ka thënë ministri Rexhepi.

Ai ka shtuar se dënimet e parapara për kryesit e kësaj vepre penale janë adekuate dhe kontribuojnë në parandalimin e përgjithshëm të këtij fenomeni të dëmshëm.

Naim Shala, drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se projektligji ka paraparë edhe dënimet për kryerjen e veprave penale.

“Neni 3 e saktëson që kush organizon, rekruton, udhëheq apo trajnon personat ose grupet e personave, me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtri të huaj, polici, në organizata paraushtarake, parapolicore, apo në formë individuale, dënohet me dënimin prej 5 deri në 15 vjet burg. Në paragrafin 2 është përcaktuar që kushdo që kërkon, mbledh, fsheh fonde me dashje, me qëllim të mbështetjes së këtyre personave, për bashkim, dënohet me dënim prej 3 deri në 15 vjet burg”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se bazuar në paragrafin 3 të projektligjit, kushdo që merr pjesë në këto organizata, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.

Për mosparaqitjen e përgatitjes së veprës penale ose strehimin e kryesit të veprës penale, sipas tij, dënimi është paraparë prej 6 muaj e deri në 5 vjet burgim.

Shala ka shpjeguar edhe paragrafin 4, i cili parasheh sanksionin mjaft specifik.

“Është paraparë që kjo vepër, që mund të kryhet edhe në mënyrë publike, në tubime publike, me shkrim ose me video-xhirime, apo edhe përmes rrjeteve sociale bën thirrje dhe nxitë për të kryer këtë vepër, është paraparë dënimi prej 6 muaj deri në 5 vjet burg”, ka sqaruar Shala.

Ky projektligj pritet që t’i dërgohet për procedim Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që zyrtarët e Kuvendit e kanë mirëpritur nismën e Qeverisë së Kosovës për këtë projektligj.

Kryetari i Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi, i ka thënë për Radios Evropa e Lirë se përfshirja e qytetarëve të Kosovë në luftërat dhe konfliktet nëpër botë, nuk i kontribuon paqes dhe ia humbë Kosovës imazhin që ka.

Ai ka shprehur mendimin se ky projektligj do të shqyrtohet dhe miratohet nga deputetët e Kuvendit e Kosovës.

“Ky projektligj është i domosdoshëm për vendin tonë, sepse ka të bëjë me një rekrutim, i cili mund të jetë i organizuar nga shoqatat e ndryshme, të cilat me motivacion të përfitimit, rrezikojnë jetën e qytetarëve të Kosovës”.

“Unë besoj që deputetët janë të arsyeshëm për domosdoshmërinë e një ligji të tillë, i cili garanton jetën e qytetarëve dhe, po ashtu, parandalon një angazhim të të rinjve, të cilët mund të jenë të manipuluar dhe të cilët rrezikojnë jetën e tyre”
, është shprehur Isufi.

Edhe ekspertët e çështjeve të sigurisë e kanë mirëpritur projektligjin e Qeverisë së Kosovës, duke theksuar se hapa të ngjashëm kanë marrë edhe qeveritë e vendeve tjera.

Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se projektligji është vetëm hap i parë që kërkon edhe hapa tjerë mbështetës.

“Mendoj se është hap i duhur dhe rrjedhimisht është hapi i parë në drejtim të marrjes së masave ndaj personave që kthehen nga zonat e konfliktit, tashmë nga Siria, e cila është e pranishme, por edhe nga luftërat e tjera, të cilat potencialisht mund të fillojnë dhe jo vetëm në Lindjen e mesme. Mirëpo, në anën tjetër, ky është vetëm një hap dhe kjo nuk garanton që këta persona do të privohen dhe do të sprapsen nga qëllimet e tyre, të cilat domosdo mund të jenë për qëllime fetare ose për qëllime thjesht mercenare”, ka vlerësuar Qehaja.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të marrë hapa konkretë për zbatimin e ligjit, pasi që ai të hyjë në fuqi dhe të sigurojë kufijtë që personat që bëjnë vepër penale, të mos depërtojnë brenda Kosovës dhe të operojnë lirshëm.

“Duhet një punë më e madhe e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, e cila duhet t’i lokalizojë dhe duhet të sigurojë që këta persona nuk mund të jenë potencial për destabilitet dhe për afektimin e sigurisë nacionale. Unë mendoj që në të kundërtën, nëse nuk ka masa konkrete, atëherë këta do të jenë problem”, ka shtuar Qehaja.

Në anën tjetër, Ismet Salihu, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, sanksionet e ligjit mund t’i afektojnë vetëm personat që kanë bërë vepër penale pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe jo para kësaj.

“Është parim edhe Konventa ndërkombëtare që ligjet, sidomos ligjet penale, mund të zbatohen vetëm prej momentit kur hyjnë në fuqi dhe në të ardhmen. Nëse një vepër, që deri tash nuk ka qenë vepër penale - sikurse shkuarja në shtete tjera për të luftuar - ata persona që deri tash kanë shkuar dhe janë kthyer të gjallë, ata nuk mund të dënohen. Vetëm për të ardhmen vlen. Por, nëse janë ende atje duke vepruar, atëherë ligji për ta vlen dhe zbatohet”, ka shpjeguar Salihu.

Edhe Naim Shala ka konfirmuar se ligji do të afektojë vetëm personat që kryejnë veprën penale 45 ditë pas hyrjes në fuqi. Por, sipas tij, ky ligj nuk do të sanksionojë qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësinë e vendit të caktuar, i cili është përfshirë në luftë.

Ndryshe, kohë më parë edhe Bashkësia Islame e Kosovës, përmes një komunikate për opinion, u ka bërë thirrje të rinjve kosovarë “që në çfarëdo mënyre janë impenjuar me luftën në Siri, që sa më parë të kthehen në vend pranë familjeve të tyre” dhe “mos të bien pre e organizimeve të dyshimta, e njerëzve pa adresë, dhe mos t’u bashkohen kauzave që nuk dihet për çka angazhohen”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG