Ndërlidhjet

Shqiptarët e Shqipërisë, angazhimi në Siri jashtë kornizës zyrtare fetare


Tirana
Tirana
Në Shqipëri janë regjistruar të paktën tri raste shtetasish të vrarë në Siri. Lajmet për vrasjen e tyre janë raportuar në media nga vetë familjarët.

Por, asnjë prej tyre nuk ka dhënë asnjë detaj për rrethanat e vrasjes së të afërmit të tyre në Siri, apo dhe arsyeve paraprake që mund ta kenë çuar atje.

Anri Maliqi, është një prej të vrarëve në Siri. Familja e tij jeton në fshatin Prush, shumë afër Tiranës. Siç thotë imami i xhamisë së këtij fshati, Idriz Zeneli, familjarët u njoftuan nëpërmjet një mesazhi në celular për vdekjen e Anrit.

Por, deri më sot, siç thotë Zeneli, nuk është zhvilluar asnjë ceremoni mortore, pasi trupi i viktimës nuk është kthyer ende në atdhe.

"Di vetëm që u hap lajmi që ky ka ra (është vrarë), në Siri. Kështu u tha, nëpërmjet një mesazhi që i ishte shkruar bashkëshortes së vet. Ky kishte shkuar në qershor, sipas familjes dhe faktikisht lajmi u mor vesh në nëntor. Ne s’pamë asgjë - as që të vinte kufoma dhe faktikisht kjo gjë ka mbetur enigmë”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.

Imami thotë se nuk mban mend që Anri Maliqi apo ndonjë prej familjarëve të tij të kenë frekuentuar xhaminë e fshatit.

"Asnjë nga familjarët e tij nuk vjen në xhami”, shprehet imami Zeneli.

Vrasja e disa shtetasve shqiptarë në Siri ka nxitur një shqetësim të dukshëm tek autoritetet e komunitetit mysliman shqiptar. Përfaqësues të këtij komuniteti mendojnë se ka individë të caktuar, të cilët për motive që nuk lidhen aspak me atë çka frymëzon feja myslimane, zgjedhin me dëshirë të shkojnë në Siri.

Myftiu Ylli Gurra jep një nga arsyet që i nxit këta të rinj të shkojnë në luftë.

"Nuk përjashtohet udhëtimi drejt Sirisë i disa dhjetëra personave për “çlirimin e Sirisë” nga regjimi diktatorial iAsadit, të cilët përdorin në këtë rast petkun fetar për të shkuar në parajsë të pambështetur në asnjë argument fetar. Nuk detyrohet, nuk kërkohet as nuk është e pëlqyeshme - është plotësisht e dënueshme. Islami është feja e paqes!”, thotë Gurra për Radion Evropa e Lirë.

Myftiu Ylli Gurra hedh dyshime se këta persona orientohen nga grupe të caktuara jashtë juridiksionit të komunitetit mysliman dhe se kanë pasur njohuri paraprake mbi Sirinë.

"Jashtë xhamive nuk përjashtohet mundësia që individë të caktuar të japin orientime dhe saktësisht janë të rinj që kanë kryer studime, apo kanë qenë për një kohë të caktuar për studime në Damask apo qytete të tjera të Sirisë. Dhe, këtë individë orientohen nga një grup personash po këtu, por që janë jashtë kornizës fetare zyrtare të komunitetit mysliman shqiptar për ndërmarrje të tilla”, shpjegon Gurra.

Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, thonë se nuk disponojnë asnjë informacion mbi shtetas shqiptarë të vrarë në Siri.

Të njëjtat burime zyrtare thonë se publikimi i lajmeve të tilla në media, janë të pamjaftueshme për të vënë në lëvizje ministrinë që të kërkojë informacion mbi arsyet e udhëtimit dhe vrasjes së këtyre shtetasve në Siri.

Nga ana tjetër, edhe vetë familjarët nuk kanë drejtuar asnjë kërkesë për të vënë në lëvizje ministrinë të kërkojë kthimin e trupave në atdhe. Ministria e Punëve të Jashtme thotë se prej nisjes së konfliktit në Siri, janë nxjerrë njoftime publike ku u kërkohet shtetasve shqiptarë të evitojnë udhëtimet drejt këtij vendi.

Megjithatë, vajtja dhe vrasja në Siri e disa shtetasve shqiptarë, është një fakt i njohur. Ajo çka mbetet ende për t’u njohur është përmasa e fenomenit dhe arsyet e udhëtimit të këtyre personave drejt këtij vendi të përfshirë nga lufta civile.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG