Ndërlidhjet

Zgjedhjet e parakohshme si zgjidhje


Kriza e numrave të pushtetit dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës po dikton nevojën e kërkimit të një rrugë-zgjidhjeje, ku edhe zgjedhjet e parakohshme nuk përjashtohen si mundësi.

Aktualisht, koalicioni qeverisës, sipas llogaritjeve të bëra nga monitoruesit e punës së kuvendit, nuk i ka 61 vota që përbën pragun minimal të ekzistencës.

Por, edhe opozita, sipas këtyre parashikimeve nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend që të kërkoj mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë.

Një gjendje e tillë, sipas ish-kryeshefit ekzekutiv të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Merovci dikton nevojën e një marrëveshje politike, qoftë për vazhdimin e qeverisjes aktuale apo edhe për caktimin e zgjedhjeve.

Zakonisht në raste të ndryshme kjo mund të bëhet edhe me një marrëveshje politike paraprake për shkak të funksionalitetit edhe të shkarkimit, le të themi të qeverisë ose shpalljes si jo funksionale për shkak të mungesës së numrave për të qene funksionale dhe kjo automatikisht qon deri te shpërbërja e parlamentit nga ana e presidentes dhe shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka thënë Merovci për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, profesori Mazllum Baraliu, po ashtu ish-kryeshef ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mendon se baraspesha e forcave në kuvend ndërmjet pozitës dhe opozitës po dikton që zgjedhjet të jenë çështje aktuale në çdo kohë.

“Numrat janë mjaftë fluid, tash për tash dhe për këtë besoj që koalicioni qeverisës duhet të jetë i vetëdijshëm dhe nëse çështjet e caktuara, sidomos ato të interesit vital shtetëror nuk mund të shtyhen (miratohen), atëherë edhe zgjedhjet nuk përjashtohen. Kemi dëgjuar zëra që zgjedhjet jo vetëm që mund të mbahen në qershor, para afatit kushtetues, por ato mund të mbahen edhe në muajin mars dhe për këtë ka një konsensus të gjerë politik”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Mazllum Baraliu.

Në anën tjetër, Adnan Merovci vlerëson se gjendja në të cilën janë institucionet, sidomos qeveria, nuk është diçka e re, por se kjo çështje është aktualizuar tani ngaqë partitë politike po vlerësojnë se është në interesin e tyre të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, do të ishte mirë që fillimisht spektri politik të ulej, të përfundonte disa reforma të nisura kaboti, qofshin ato edhe sipërfaqësore dhe më pas të shkohet në zgjedhje.

“Fatkeqësisht subjekteve kryesore ju konvenojnë zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme. Përndryshe pak ka rëndësi se a do të mbahen zgjedhjet e parakohshme apo jo. Qeveria si e tillë çfarë është mund të mbijetoj dhe të mos iniciohet shpërbërja e parlamentit, sepse mendoj që nuk është e nevojshme dhe e dobishme për momentin”, ka deklaruar Merovci.

Ruajtja e numrave në Kuvend, nënvizon Mazllum Baraliu nënkupton ruajtjen e funksionalitetit të qeverisë.

Andaj, ai e sheh si shumë të shëndetshme që në çdo rast të ruhet funksionimi i institucioneve për çështjet vitale shtetërore. Kur humben funksionet vitale shtetërore, zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje thotë Baraliu.

Madje, ai i propozon qeverisë që ta testoj funksionalitetin e vet duke kërkuar mocion në Kuvend.

“Ju keni shembuj kur pikërisht koalicionet në pushtet, me korrektësinë më të madhe, ta verifikojnë vetveten para opinionit dhe votuesve. Kemi rastet në Maqedoni apo edhe tash së fundi paralajmërimi se do të shkohet në zgjedhje të parakohshme në Serbi, ishte pikërisht dëshira e një partie politike në pushtet se të shohim a e kemi apo jo ende besimin e popullit”, ka thënë Baraliu.

Të enjten, Kuvendi i Kosovës pritet të diskutoj rreth disa pikave kryesore të asaj që ka mbetur nga reforma zgjedhore.

Paraprakisht edhe liderët e partive politike në prani të disa ambasadorëve të qeverive perëndimore pritet t’i sqarojnë disa çështje në mënyrë që të shihen të gjitha mundësitë se a do të shkohet në zgjedhje të parakohshme qysh gjatë pranverës përkatësisht verës, apo do të pritet vjeshta për mbajtjen e procesit të rregullt zgjedhor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG