Ndërlidhjet

Kosova shqyrton regjimin e vizave për Bosnjë e Hercegovinën


Viza e Kosovës
Viza e Kosovës
Zyrtarët nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se ministri Enver Hoxhaj, në një nga mbledhjet e ardhshme të ekzekutivit do të propozojë një vendim i cili parasheh regjim vizash për Bosnjë dhe Hercegovinën.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në një nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës do të propozojë një vendim i cili parasheh dhe saktëson vendosjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjës, si masë reciprociteti ndaj asaj se si është sjellë dhe çka kanë bërë autoritet në Bosnje në këto 6 vitet e fundit në raport me Kosovën”, deklaroi këshilltari politik i ministrit, Bashmir Xhemaj.

Xhemaj ka theksuar po ashtu shteti i Bosnjë Hercegovinës “ka treguar një joseriozitet në raport me Kosovën, në veçanti me aplikimin e vizave ndaj qytetarëve kosovarë”.

Kurse, Nebojsha Regoje, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, ka deklaruar se deri më tash, nuk ka ndonjë njoftim zyrtar lidhur me vënien e regjimit të vizave nga Kosova për shtetasit e tyre që duan të hyjnë në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, deri më tash, nuk ka marrë ndonjë lajmërim zyrtar për vënien e vizave për shtetasit e Bosnjë dhe Hercegovinës për hyrje në territorin e Kosovës. Ambasada jonë në Shkup (Maqedoni), e cila është e autorizuar edhe për mbulimin e territorit të Kosovës po i verifikon këto pohime, ndërkaq ministria do të njoftojë në mënyrë adekuate opinionin e Bosnjë e Hercegovinës, sapo të marrim detajet”, tha Regoje.

Kurse, zëvendësministri në Ministrinë e Diasporës së Kosovës, Qerim Bajrami, nga radhët e komunitetit boshnjak, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se propozimi për regjimin e vizave ndaj qytetarëve të Bosnjës të cilët duan të hyjnë në Kosovë është i drejt.

Bajrami thekson po ashtu se është paradoksale që kosovarët mund të udhëtojnë në Serbi pa viza e në Bosnje jo.

“Kosova si shtet me vite të tëra vuan nga vendimet e Bosnjës për viza ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët udhëtojnë në Bosnje. Nëse dëshirojmë të udhëtojmë, ne na duhet të shkojmë në Shkup, t’i humbim dy ditë, të paguajmë dhe të kemi shumë dokumente. Është më lehtë për një kosovar të marrë vizë kanadeze se sa të Bosnjës", thotë Bajrami.

Ai shton se më së shumti pasojat e një regjimi vizash nga ana e Kosovës do t’i vuajnë boshnjakët e Bosnjës, sepse kroatët dhe serbët e Bosnjës i posedojnë dokumentet e Kroacisë dhe të Serbisë të cilëve nuk u duhen vizat.

Bosnjë e Hercegovina është një ndër vendet që ende nuk e pranuar pavarësinë e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG