Ndërlidhjet

Kurti i quan "çetnikë" kryetarët e Listës Serbe


Pamje nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
Pamje nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e XII të Këshillit të Përgjithshëm të saj, ku mes tjerash është folur edhe për zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Kosovë.

Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ka thënë se 2014-ta është vit shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe se vitin e ardhshëm duhet të ngjallet shpresa për zhvillim.

“Sfidat për Vetëvendosjen në vitin 2014 nuk do të jenë vetëm elektorale. Si dhuratë për vitin e ri, duan ta shesin PTK-në, ndërkaq në vitin e ardhshëm t’i vazhdojnë ulëset e rezervuara përtej planit të padrejtë të Ahtisaarit. Kurse, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ta sjellin në Kuvend Listën Serbe, një formacion ky çetnik, e i përbërë prej çetnikëve. Në Listën Serbe nuk janë thjesht serbët, ata janë çetnikë”, ka thënë Kurti para të pranishmëve.

Kurti ka theksuar se Vetëvendosje ka pasur të drejtë kur ka protestuar kundër mbajtjes së seancës për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë, kur janë vendosur pano me parulla në Kuvend kundër amnistimit, siç është shprehur ai, të kriminelëve serbë.

“Deputetët dhe analistë e regjimit merreshin aq shumë atëbotë me ne, e tash ja ku i kemi çetnikët në pushtet në nëntë komuna të Kosovës. Kur ne thoshim se po sajohet Republika Serbe në Kosovë, na shanin e na fyenin e zgërdhiheshin; tash të gjithë po thonë se Republika Serbe është rrezik fort i mundshëm, por kjo është tepër pak, tepër vonë dhe aspak e sinqertë”, ka theksuar Kurti.

Ai u ka bërë sërish thirrje të gjitha subjekteve politike dhe po ashtu deputetëve që t’u thonë “jo” ulëseve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, pasi që, sipas tij, në atë mënyrë do t’i thoshn po demokracisë.

“U thoni jo çetnikëve të Listës Serbe, se kështu i thoni po Republikës dhe historisë sonë. I thoni jo Qeverisë Thaçi, sepse kështu i thoni po popullit dhe ardhmërisë së fëmijëve tuaj”, ka thënë mes tjerash Kurti në mbledhjen e XII të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

Nga ana tjetër, lidhur me vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk është e arsyeshme që ata (komunitetet) të kenë edhe më tutje vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, LDK-ja nuk u ka dhënë mbështetje propozimeve të tilla.

“LDK-ja dhe as lideri i LDK-së, nuk ka dhënë kurrfarë mbështetje për vendet e rezervuara. Konsiderojmë që ajo që thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës që komunitete t’i kenë dy mandate pas pavarësisë, kësisoj është në Kushtetutë, pra nuk shohim asnjë arsye që të vazhdojë edhe më tutje”.

“Nuk ka asnjë arsye që t’u jepen vendet e rezervuara. I kanë 10 vende të garantuara dhe po ashtu garojnë, ashtu siç garojmë edhe ne të tjerët. Mendojmë se është një lloj diskriminimi pozitiv i komuniteteve në raport me të tjerët”, është shprehur Beqiri.

Ndryshe, një ditëm më parë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq, nga radhët e komunitetit serb, në një konferencë për media ka thënë se kërkesa e tyre për vazhdimin e rezervimit të ulëseve në Kuvendin e Kosovës, ka marrë mbështetje nga të gjitha subjektet politike përveç Vetëvendosjes.

Mirëpo, këtë deklaratë Ismet Beqiri nga LDK-ja e ka hedhur poshtë duke thënë se ajo është e pavërtetë.

Në konferencën e mbajtur të shtunën në Kuvendin e Kosovës ministri Rashiq ka deklaruar se “për integrimin e tërësishme të veriut duhet që të vazhdohet edhe për dy mandate rezervimi i ulëseve në Kuvendin e Kosovës për minoritete”.

Sipas Pakos së Ahtissarit, në bazë të së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës, komunitetet pakicë gëzonin të drejtën e 20 ulëseve të rezervuar për dy mandatet e para të institucioneve të shtetit, kurse më pas, ato shndërrohen në ulëse të garantuara.

Dallimi qëndron në faktin se përmes ulëseve të rezervuara, komunitetet fitojnë 20 ulëse që në start dhe llogarisin në vende shtesë që sigurojnë përmes votave gjatë zgjedhjeve.

Rikthimi i këtyre vendeve, kërkon votat e 80 deputetëve, të cilat nuk mund të arrihen nëse LDK-ja dhe Vetëvendosje do të kundërshtonin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG