Ndërlidhjet

Analistët: Asociacioni serb, entitet destabilizues


Formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave Serbe rrezikon të destabilizojë sistemin juridik të Kosovës, është thënë në një analizë të ekspertëve të prezantuar nga Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Dykuptimësitë e Marrëveshjes së Brukselit të arritur në dialogun Prishtinë – Beograd rrezikojnë që Asociacioni serb të veprojë si brenda ashtu edhe jashtë kornizave ligjore të Kosovës, është thënë në këtë debat.

Kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami ka thënë se marrëveshja e Brukselit dhe rezultatet e saj, siç është Asociacioni serb po rrezikojnë balancet e vendosur me Pakon e Presidentit Ahtisaari që kishte shërbyer si bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Me këtë analizë pretendojmë të tërheqim vërejtën për mundësinë e shndërrimit të këtij entiteti politik në një nivel të tretë të pushtetit, i cili mund të jetë jashtë ose mund të veproj, nëse jo de jure, atëherë de facto, jashtë kornizave ligjore të Kosovës dhe të destabilizojë sistemin juridik të vendit”, ka deklaruar Bajrami.

Ndërkohë, analisti dhe publicisti, Belul Beqaj ka shprehur mendimin e tij se me zgjedhjet e fundit lokale është rritur ndikimi i Beogradit nëpër komunat me shumicë serbe në Kosovë, është zbehur roli dhe ndikimi i subjekteve politike nga ky komunitet.

Sipas tij, fitues i vërtetë i zgjedhjeve lokale në Kosovë ishte Iniciativa qytetare serbe e njohur si lista serbe e cila, ka nënvizuar Beqaj, nuk paraqet një listë demokratike, por listë shtetërore të Beogradit

“Misioni i serbëve të Thaçit përfundoi. Filloi misioni i serbëve të Daçiqit. Kujtoj se është çështje e rrethanave kur edhe ministri kosovar i pushtetit lokal Slobodan Petroviq do të shpallet tepricë teknologjike në qeverinë e Kosovës, ngase të gjitha veprimet kryesore në komunat serbe po i kryen ministri i Serbisë i ngarkuar për Kosovë. Ky është ai ndryshimi që duhet ta analizojmë seriozisht dhe çfarë efektesh do të na sjellë”, është shprehur Beqaj.

Beqaj ka konstatuar se Asociacioni apo Bashkësia Serbe do të krijojë nivelin e tretë të pushtetit, i cili sipas tij do të jetë një problem shumë i madh për Kosovën dhe funksionimin e saj si shtet në të ardhmen.

Në anën tjetër, ambasador i Holandës në Prishtinë, Robert Bosch ka thënë se Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një marrëveshje normalizimi dhe mund të priten edhe të tjera në të ardhmen.

Ai ka deklaruar se qëllimi i dialogut është që të integrohen strukturat ilegale dhe për këtë arsye edhe është negociuar.

Ambasadori holandez kishte vërejtje në dykuptimësinë e Marrëveshjes, por nuk ka parë shumë rrezik nga krijimi i një entiteti të ri politik me formimin e Asociacionit serb.

“Ky është një Asociacion i komunave, nuk është një organizatë joqeveritare, por nuk është as entitet i ri. Komunat mund të bashkëpunojnë dhe të delegojnë disa përgjegjësi aktuale por jo më shumë”, është shprehur ambasadori holandez.

Ai nuk është pajtuar se qysh tash mund të parashikohet që përfundimi mund të jetë katastrofal apo dështim për Kosovën.

Megjithatë, menjëherë pas ka arsyetuar konkluzionet e analizës, Agron Bajrami, i cili ka thënë se favorizimi i konceptit etnik për gjetjen e zgjidhjeve në dialog dhe rezultatet që u prodhuan janë të mjaftueshme të besohet se procesi po shkon kah dështimi.

“Një nga arsyet pse unë mendoj se po shkojmë më shumë nga dështimi sesa nga zgjidhja është parimi etnik i ndërtimit të asaj që quhet zgjidhje. Asociacioni që duhet t’i mbledh këto komuna e të bashkëpunojnë quhet Asociacioni i Komunave Serbe, do të thotë përjashtimisht është etnik”, ka thënë Bajrami.

Në përgjithësi, analistët shprehën vlerësimet e tyre se pas zgjedhjeve lokale, sado që ato u cilësuan si historike, është shtuar dukshëm ndikimi i Beogradit në Kosovë sidomos nëpër komunat me shumicë serbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG