Ndërlidhjet

Mjetet e likuidimit barten në buxhetin e Kosovës


Ilustrim
Ilustrim
Nga Fondi i Mirëbesimit, Agjencia Kosovare e Privatizimit në buxhetin e Kosovës, së shpejti do të bartë rreth 88 milionë euro, kurse 30 milionë euro të tjera, janë bartur vitin e kaluar, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj agjencie.

Ndryshe, mbi 600 milionë euro është fondi i grumbulluar nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore, vlerë kjo që mbetet e bllokuar dhe pashfrytëzuar. Mosplasimi i këtij fondi në treg, vazhdimisht është kritikuar nga ekspertë të ekonomisë.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se me ndryshimet e fundit ligjore është arritur që të përmirësohet dhe lehtësohet procesi i likuidimit dhe shuarja juridike e ndërmarrjeve.

Tashmë janë bërë raportet për shpërndarjet e fondeve për 138 ndërmarrje në likuidim dhe presim që së shpejti me kompletimin e bordit apo me tejkalimin e pengesave aktuale, të bëjmë shpërndarjen e rreth 108 milionë eurove. Prej tyre, mbi 20 milionë euro shkojnë për kreditorët, ndërsa pjesa tjetër pritet të bartet në buxhetin e Kosovës si fond tepricë, ashtu siç parashikohen me ligj”, thotë Kaloshi.

Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike, njëherësh ish-udhëheqës në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se çdo bartje e fondit të likuidimit në buxhetin e Kosovës, do të rrisë qarkullimin e parasë në treg. Por, sipas tij, varet se ku do t'i orientojë ekzekutivi.

Sigurisht, do të ndikojë, por varet se ku i ka destinuar buxheti i Kosovës ato mjete - për investime në rrugë, apo për shpenzime vijuese. Ato, sigurisht, se do të gjenerojnë zhvillim dhe punësim. Ndryshe, qëndrimi i atyre mjeteve si të lira, nuk krijon rikapitalizim të mjeteve, andaj ato mund të trajtohen gati si mjete të bllokuara, mjete të vdekura, të cilat nuk gjenerojnë as zhvillim ekonomik, as punësim”, vlerëson Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Deri më tani Agjencia ka mbajtur 60 valë të privatizimit dhe 23 valë të shitjes së aseteve të ndërmarrjeve në likuidim. Në privatizim janë përfshirë rreth 450 ndërmarrje shoqërore, prej të cilave janë krijuar dhe tenderuar 840 ndërmarrje të reja, thotë Kaloshi.

“Shpërndarja e fondeve të mbledhura në mirëbesim nga procesi i privatizimit dhe shitja e aseteve, është obligim që rrjedh nga procesi i privatizimit. Deri më tani mund të themi se ky proces nuk ka ecur aq mirë, siç duhej - vetë kjo shumë e mbledhur në fondet e mirëbesimit, e dëshmon këtë", shprehet Kaloshi.

Fondet e grumbulluara nga privatizimi dhe shitja e aseteve, ruhen në mirëbesim, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, pasi duhet të kompensohen obliguesit e ndërmarrjeve shoqërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG