Ndërlidhjet

AKP-ja do të investojë në banka 10% të Fondit


Ilustrim
Ilustrim
Rreth 10 për qind e shumës së përgjithshme të Fondit të mirëbesimit të grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në vend, do të investohen në formë të depozitave në bankat komerciale që funksionojnë në Kosovë, bëjnë të ditur zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për Radion Evropa e Lirë.

Afër 600 milionë euro ka arritur ky fond, qe dhjetë vjet kur edhe ka filluar privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore, por që nga atëherë fondi ka qenë i bllokuar dhe i pashfrytëzuar.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP, thotë se bordi siguron se agjencia do të jetë e kujdesshme gjatë këtij procesi dhe do të investojë në përputhje me ligjin e vet dhe kriteret që ka hartuar për këtë qëllim.

“Shuma e lejuar e investimit të mjeteve të Fondit të Privatizimit nëpër banka komerciale është 10 për qind e shumës së përgjithshme të fondeve të mbledhura. Ky është një vendim i rëndësishëm, jo vetëm për të ardhmen e mjeteve të Fondit të Privatizimit, por edhe për zhvillimin ekonomike të vendit”, thotë Kaloshi.

Shfrytëzimi 10 për qind nga shuma e përgjithshme e mjeteve të grumbulluara, konsiderohet i mjaftueshëm nga profesori në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi.

Vendimin e Bordit të drejtorëve të AKP-se, Bektashi e quan të logjikshëm dhe të leverdishëm për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

“Ajo mund të jetë më relative varësisht nga kërkesa e bankave për kapital të ri. Unë besoj se ajo shumë mund të jetë nga 5 deri në 10 për qind, por nëse angazhohet mbi 10 për qind atëherë mund ketë tepricë të kapitalit në tregun financiar”, konsideron Bektashi.

Sidoqoftë, bllokimi i mjeteve të Fondit të Mirëbesimit, shpeshherë është kritikuar nga ekspertë të ekonomisë, sepse, sipas tyre, krijon pasiguri për investitorët e huaj dhe u ndihmon bankave komerciale që t’i mbajnë të larta normat e interesit për kredi.

Bektashi thotë se më vendimin e ri të AKP-së, për plasimin e fondit në tregun bankar në vend, do të ulen kamatat për kredi. Por, ai shprehet se ka edhe alternativa tjera ku mund të shfrytëzohen këto mjete.

“Janë disa mundësi në lidhje me angazhimin e mjeteve të AKP-së. Njëra nga opsionet është edhe plasimi i mjeteve në tregun bankar të Kosovës. Mundësia tjetër është që të blihen obligacionet e Qeverisë se Kosovës, që momentalisht kanë pasur të drejtë t’i blejnë vetëm bankat komerciale. Më së miri do të ishte të rritej konkurrenca ndërmjet subjekteve financiare në vend, që të ulet norma e interesit”, vlerëson Bektashi.

Në anën tjetër, Ylli Kaloshi, thotë se mjetet do të investohen në ato banka, të cilat i plotësojnë kriteret për këtë proces.

“Tani vendimi është marrë nga Bordi i drejtorëve, agjencia do të zhvillojë procesin e kontakteve me bankat dhe do të veprojë në përputhje me kriteret që ka hartuar dhe do të investohen mjetet në bankat që i plotësojnë kriteret, që janë strikt për këtë proces”, shpjegon Kaloshi.

Fondet e grumbulluara nga privatizimi dhe shitja e aseteve, ruhen në mirëbesim, në Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, pasi duhet të kompensohen obliguesit e ndërmarrjeve shoqërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG