Ndërlidhjet

Mbi gjysmë miliard euro të privatizimit, "pa adresë"


Edhe përkundër mungesës së mjeteve financiare për realizimin e shumë projekteve kapitale, është e pakuptimtë se shuma prej mbi gjysmë miliard euro e Fondit të Privatizimit, vazhdon të mos investohet në ekonominë e Kosovës, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë

Investimi i këtij fondi në ekonominë e Kosovës, sipas tyre, të ndihmonte në realizimin e shumë projekteve të cilat kanë mbetur të pa realizuara vetëm në mungesë të fondeve.

Profesori i Ekonomisë, Musa Limani e quan të paarsyeshme ngrirjen e këtij fondi dhe mos investimin e tij në ekonominë e vendit.

Këto mjete janë të ekonomisë se Kosovës dhe duhet të ishin në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Procesi i privatizimit nuk e ka qëllimin e vetvetes me transferuar pronën shoqërore në atë private, por procesi i privatizimit njëherë paraqet reformë ekonomike që do të thotë të ndryshohet sistemi ekonomik qasja në afarizëm dhe ndryshimi i strukturës ekonomike”, thotë Limani.

Në një prononcim përmes postës elektronike, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se nga privatizimet dhe shitjet e aseteve deri më tani janë mbledhur në total mbi 613 milionë euro.

Zëdhënësi i AKP-së, Yllli Kaloshi, thotë se këto fonde janë të deponuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe deri më tani nga normat e interesit fondet janë rritur rreth 34.6 milionë euro, përkundër krizave në tregjet financiare ndërkombëtare.

Ky është një ndër sukseset e punës së AKP-së. Pra, AKP nuk ka asnjë investim në bankat e huaja. Të gjitha depozitimet kohore deri më tani janë bërë në formë të depozitave kohore në Bankën Qendrore të Kosovës”, bën të ditur Kaloshi.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se investimi i këtij fondi në këtë mënyrë nuk ka sjellë përftime.

Eksperti i ekonomisë, Milazim Abazi thotë për Radion Evropa e Lirë se investimi i këtyre mjeteve jashtë vendit është duke u bërë me kamata shumë të ulëta dhe pa ndonjë interes të madh për fondin.

Ky fond nga ky investim që ka bërë Banka Qendrore e Kosovës nuk përfiton asgjë. Me kamata minimale janë duke i mbajtur jashtë prej 0.1, 0.5 maksimalisht 1 për qind në vit. Ndërsa në Kosovë në burimet e mjeteve janë të larta. Bankat paguajnë për depozitat e qytetarëve 5 deri në 6 për qind. Ndërsa po deshën bankat kosovare të marrin para jashtë vendit e kanë shumë të vështirë, por edhe nëse marrin kanë norma të lara 8 deri në 10 për qind”, shprehet Abazi.

Me këto mjete të Fondit të Privatizimit, sipas Abazit, Kosova do të mund të realizonte shumë projekte, njëra nga ta, siç thotë ai, do të ishte fabrika e ujit, infrastruktura rrugore si dhe projektet tjera në shëndetësi e arsim.

Ndërkaq, profesori i ekonomisë Musa Limani thotë se përgjegjësinë për mos futjen e këtyre mjeteve në për zhvillimin ekonomik e bartin institucionet përkatëse, të cilat merren më hartimin edhe zbatimin e politikave ekonomike.

Qeveria e Kosovës së bashku me Bankën Qendrore të Kosovës të gjejë rrugën, formën, modelin që sa më parë t’i kthejë në sistemin bankar dhe t’i fusin në funksion të zhvillimit ekonomik. Po të ishin këto mjete në tregun e kapitalit të Kosovës përkatësisht në sistemin bankar të Kosovës ato do të ndikonin në ngritjen e kapitalit të bankave që do të ndikonin në dhënien e kredive me kushte më të mira”, thotë Limani.

Ndryshe, Fondi i Privatizimit është investuar sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, si dhe në bazë të politikës së investimeve të aprovuar nga bordi drejtues i BQK-së. Fondi i privatizimit është i investuar në institucionet financiare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG