Ndërlidhjet

Shkup: Institucionet, të paafta për të luftuar korrupsionin


Ilustrim
Ilustrim
Organet shtetërore, të cilat janë kompetente për të luftuar korrupsionin në vend, thonë se janë të angazhuara maksimalisht për ta luftuar këtë dukuri në të gjitha format e mundshme, me të cilat mund të shfaqet në shoqëri.

Kryetari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Gjorgje Sllamkov, për Radion Evropa e Lirë thotë se institucioni, të cilin e drejton, në asnjë mënyrë nuk vepron në baza politike dhe se lufta kundër korrupsionit nuk përjashton asnjë bartës funksionar, duke mohuar pretendimet e opozitës se komisioni në fjalë është i dirigjuar nga pushteti aktual.

“Neve nuk na intereson emri dhe mbiemri i personit, por funksioni që kryen, autorizimet publike që ushtron dhe nëse ato kompetenca janë tejkaluar, gjegjësisht, nëse ato janë keqpërdorur për qëllime personale dhe nëse janë ose jo në përputhje me ligjin. Në këta gjashtë muaj sa jam në këtë Komision, si anëtar dhe si kryetar, mund të them se këto akuza janë absolutisht të pasakta. Komisioni ka qasje të njëjtë në përputhje me ligjin për çdo qytetar”, thotë Slamkov.

Ai bën të ditur se është në rritje numri i parashtresave të qytetarëve, që denoncojnë në organet kompetente rastet e korrupsionit, duke mos e saktësuar numrin.

Qytetarët thonë se në shumë institucione shtetërore për të kryer një punë në afat të caktuar në mënyra të ndryshme kërkohet të “paguajnë”.

“Po, gjithkund ka korrupsion, në të gjitha institucionet, madje unë edhe si pensioniste ballafaqohem me këtë dukuri pothuajse në të gjitha institucionet shtetërore, ku është dashur të kryej ndonjë punë”, shprehet Angelina Damjanovska, pensioniste.

“Po ngado është prezent korrupsioni, çdo kush sheh që mos të ta kryejë punën menjëherë punën, por ta zvarrisë. Ata në institucionet shtetërore nuk të kërkojnë para drejtpërsëdrejti, por kanë mënyra tjera thjesht ta zvarrisin punën dhe ti detyrohesh të japësh diçka”, thotë Arif Çajani.

Edhe Toshe Dimovski thotë se korrupsioni është evident në të gjitha institucionet shtetërore:

“Po jam përballur gjithkund, nga pastruesi deri në instancat më të larta, drejtori, gjithkund korrupsioni është i pranishëm, varësisht se ku është më i shfaqur në formë të drejtpërdrejtë dhe diku në formë më të sofistikuar”.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, thotë se problemi kryesorë që e pamundëson luftën ndaj korrupsionit është politizimi i skajshëm i institucioneve shtetërore dhe administrata e politizuar.

“Të gjitha institucionet te ne mbushen me kuadër partiak. Ne nuk kemi ekspertë të pavarur, të cilët do të udhëhiqnin me institucionet shtetërore, qoftë nëse bëhet fjalë për Agjencinë për parandalimin e shpëlarjes së parave, ose Policinë Financiare, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, gjegjësisht Organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të gjitha këto institucione është instaluar kuadër partiak, që gjithmonë është nën presionin e partisë, e cila është në pushtet”, thekson Trajanov.

Njohësi i çështjeve juridike, Osman Kadriu, thotë se në Maqedoni kemi një qasje të dyfishtë sa i përket luftës ndaj korrupsionit. Në njërën anë, pushteti realizon arrestime spektakulare të strukturave të caktuara, të cilat akuzohen për korrupsion dhe në anën tjetër zbrazëtirat ligjore vihen në funksion të mbrojtjes së udhëheqësve të institucioneve shtetërore.

“Ne, mjerisht, tashmë e kemi korrupsionin të inkorporuar në organet e shtetit. Organet e shtetit në një mënyrë janë bartës të korrupsionit në Maqedoni, andaj dhe është shumë rëndë të luftohet kjo dukuri, meqenëse organet e shtetit duket se vihen në mbrojtje të bartësve të institucioneve shtetërore, të cilët duket se janë zhytur në korrupsion”.

“Këto procedura, të cilat paraqiten nga rasti në rast, bëhen në mënyrë selektive, e që jo rrallëherë kanë prapavijë revanshizmin politik dhe njëherësh shfrytëzohen me pretekst para faktorit të jashtëm se ja ne në Maqedoni angazhohemi për të luftuar korrupsionin
”, vlerëson Kadriu.

Analizat e barometrit në nivel global për vitin 2013 të publikuar nga “Transparency International” kanë nxjerrë në pah se 19 % e të anketuarve kanë pranuar se kanë dhënë ryshfet në polici, 16% e tyre në organet gjyqësore, 13 për qind në shëndetësi dhe 10% në procesin arsimor.

Ndërkohë që Maqedonia radhitet në vendin e 69 sa i përket korrupsionit në raportin e fundit të “Transparency International”, krahasuar me vendet e tjera të botës, faktori ndërkombëtarë po njëkohësisht dhe ekspertët theksojnë se Maqedonia duhet detyrimisht të luftojë korrupsionin për të plotësuar kriteret që kërkohen nga BE-ja.

Nga ekspertët kjo shihet dhe si rruga e vetme e sigurt për t`i bindur investitorët e huaj të derdhin kapitalin e tyre në Maqedoni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG