Ndërlidhjet

Maqedoni: Korrupsioni nuk është luftuar sa duhet


Korrupsioni në Maqedoni ka shënuar ulje në krahasim me periudhën e para tre viteve, por sërish të dhënat e organizatës Transparency International tregojnë se aktivitetet e qeverisë për luftimin e kësaj dukurie nuk janë në nivelin e duhur.

Derisa para tre viteve 21 % e qytetarëve kishin deklaruar se kanë dhënë ryshfet për kryerjen e ndonjë pune, tani kjo është ulur në 17 %.

Por, nga ana tjetër është rritur nga 39 në 52 përqindja e qytetarët të cilët mendojnë se qeveria nuk angazhohet sa duhet për luftimin e korrupsionit.

Ndërkohë, sipas të dhënave, institucionet ku më së shumti është i pranishëm korrupsioni janë sektori publik, policia, gjykatat si dhe partitë politike, të cilat, në veçanti shihen si më të korruptuarat në vend.

“Ajo që ne shohim për çdo ditë ka të bëjë me ndikimin e politikës në punën e përditshme të institucioneve dhe në jetën e përditshme të qytetarëve si në arsim, shëndetësi, pra gjithandej kemi ndërhyrje të politikës Askush nuk mund të punësohet, apo fitoj ndonjë tender, pa pasur një lidhje me partinë politike“, thotë Sllagjana Taseva, drejtuese e organizatës Transprency International-Maqedoni.

Edhe qytetarët flasin për praninë e korrupsionit në politikë.

“Korrupsioni rrjedh nga partitë politike, në veçnati prej atyre që janë pushtet. Gjithkund ka korrupsion, që nga sferat më të ulta e deri tek ato më të larta të shoqërisë“.

“Dihet që ka korrupsion, por më mirë është që të heshtë“, thonë disa qytetar të cilët nuk dëshirojnë të publikojnë identitetin e tyre për shkak të siç thonë pasojave që mund të kenë në vendet e punës.

Edhe Arif Musa, ish anëtar i komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit flet për praninë e dukurisë negative, veçanërisht te partitë politike.

“Ndikimi i partive politike në punësimin e kuadrove shqiptar është shumë i madh, por jo vetëm për kuadrot shqiptar. Nevoja për një vend pune është shumë e madhe dhe dhënia apo marrja e korrupsionit është shumë e lartë. Këto janë dukuri për të cilat rrall flasin njerëzit apo ata që janë të prekur, andaj realiteti është më i rëndë nga ai që përshkruhet nga organizatat joqeveritare, komisioni për parandalimin e korrupsionit e të tjera“, thotë Arif Musa.

Sllagjana Taseva nga Transprency International-Maqedoni thotë se kemi të bëjnë me një rrjet të organizuar i cili vështirë se mund të luftohet.

Është shumë e vështirë të kërkohet dalja nga gjendja e tanishme në kushte kur shteti apo sërish do të them politika paraqitet punëdhënësi më i madh. Është vështirë edhe për faktin se në vend të dytë sa i përket pranisë së korrupsionit është gjyqësori, që në fakt do të duhet të ishte vendi për luftimin e këtij fenomeni. Qytetarët sipas hulumtimeve tona janë të gatshëm të kyçen në luftimin e korrupsionit, para së gjithash dëshirojnë që këtë ta bajnë përmes mbledhjes së firmave, por këto firma ata nuk dinë se kujt t'ia adresojnë“, thotë Sllagjana Taseva

I pyetur për rolin e komisionit ani-korrupsion, Arif Musa thotë se ai ka dështuar në misionin e tij për shumë arsyeje.

Që nga themelimi e deri më sot komisioni nuk ka mundur ta gjej veten në sferën ekzekutive për arsye se kompetencë e tij është vetëm mbledhja, përgatitja dhe dorëzimi i dokumentacionit në prokurori, pra nuk mund të bëhet ndonjë hap shumë i madh në këtë drejtim pasi sërish i mbetet prokurorit që të vendos. Pra rezultate konkrete vështirë se do të ketë pa u bërë ndryshimet ligjore“, thotë ish anëtari i komisionit anti korrupsion.

Sipas ekspertëve, ndërhyrja e politikës gjatë punësimeve ka pasoja shumë të mëdha për mbarëvajtjen e punës së institucioneve, pasi në rast të tilla nuk vijnë në shprehje kuadrot e mirëfilltë por ata që japin më shumë para edhe pse përgatitja e tyre mund të mos jetë adekuate.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG