Ndërlidhjet

A mund ta forcojë marrëveshja për armët, regjimin e Assadit?


Siri...
Siri...
Fuqitë perëndimore dhe Moska janë pajtuar se mënyra më e mirë për të parandaluar përdorimin e armëve kimike në Siri është shkatërrimi i agjentëve nervorë të Damaskut.

Por, a mund t’i japë kjo më shumë jetëgjatësi regjimit të presidentit Bashar al-Assad, duke e bërë atë pjesë të procesit njëvjeçar të çarmatimit?

Çështja del në pah pasi marrëveshja për çarmatim, të cilën fuqitë botërore e kanë shndërruar në rezolutë të OKB-së, varet nga mosndryshmet në ushtrinë siriane derisa të dorëzohet armatimi kimik tek inspektorët ndërkombëtarë.

Dhe, për aq kohë sa ushtria siriane mbetet e paprekur, ka pak shanse që rebelët të rrëzojnë regjimin e Assadit që e kontrollon atë.

Paul Schulte, ekspert i çarmatimit në Institutin Mbretëror të Londrës, e shpjegon në këtë mënyrë pozicionin e regjimit sirian:

“Regjimit i është bërë një poshtërim i çuditshëm. Ai gjykohet për një krim të madh lufte, por, në anën tjetër, është bërë disi i domosdoshëm”.

Heiko Wimmin, ekspert për Sirinë në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, po ashtu thotë se marrëveshja e ka bërë Assadin më të fortë.

“Ai e ka ringritur veten si një aktor, me të cilin njerëzit nuk duan të bëjnë biznes, por duhet të bëjnë për të marrë rezultatet që duan”, thotë Wimmin.

Rebusi ngre pyetje. Si mund ta bëjnë një gjë të tillë shtetet perëndimore dhe arabe, të cilat mbështesin rebelët me fonde dhe armë, pa rrezikuar nevojën për stabilitet të mjaftueshëm në Siri që është kusht për çarmatimin kimik të Damaskut?

Për momentin, është herët të dihet përgjigjja. Por, pyetja do të përsëritet në muajt e ardhshëm kur ekspertët e armëve kimike të nisin punën.

Ata do të punojnë në mes të konfliktit dhe do të kenë nevojë për mbrojtje nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara, derisa të mbledhin dhe të shkatërrojnë armët kimike që arrijnë deri në 1,000 tonelata.

Por, edhe forca paqeruajtëse nuk do të jetë e mjaftueshme për të garantuar sigurinë e tyre, nëse nuk ka bashkëpunim nga Damasku dhe grupet rebele. Marrëveshja SHBA-Rusi, e arritur këtë muaj në Gjenevë, parasheh që ekipet e armëve të përfundojnë punën e tyre në mes të vitit 2014.

Edhe pse disa analistë e shohin këtë marrëveshje si forcim të pozicionit të Assadit, të tjerët thonë se ajo mund të hapë rrugën për një zgjidhje të negociuar të konfliktit të madh sirian.

Hilal Khashan, profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Bejrutit, thotë se pranimi i menjëhershëm i marrëveshjes Uashington-Moskë, për të shmangur ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së, nënvizon dobësinë e regjimit sirian në mënyrë publike.

“Për vite me radhë, regjimi sirian mburrej se është një shtet refuzues dhe i palëkundur, që kundërshton planet amerikane në rajon. Por, në fakt, e gjithë ajo që është dashur të bëjnë Shtetet e Bashkuara për të zbutur Assadin, ka qenë dërgimi i disa anijeve në Mesdheun Lindor”, thotë Khashan.

Fakti se Moska dhe Uashingtoni kanë qenë në gjendje të pajtohen për një marrëveshje kornizë, ngre po ashtu shpresat se ato mund të bëjnë presion mbi të gjitha palët në Siri për të gjetur një zgjidhje paqësore.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG