Ndërlidhjet

Irani dhe Siria dominojnë fjalimin e Obamës


Obama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:34 0:00

Obama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se lëvizjet e moderuara të Qeverisë iraniane duhet të ofrojnë bazë për marrëveshje rreth programit bërthamor të Iranit.

Ai u ka thënë udhëheqësve botërorë se barrikadat mund të jenë shumë të mëdha, porse “rruga diplomatike duhet të testohet” për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Republikës Islamike.

Në adresimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Obama ka thënë:

“Amerika preferon të zgjidhë në mënyrë paqësore shqetësimet për programin bërthamor të Iranit, edhe pse jemi të vendosur për ta parandaluar atë nga zhvillimi i armës atomike”.

Obama ka thënë se ka udhëzuar sekretarin e shtetit, John Kerry, që të ndjekë progresin diplomatik, në koordinim me fuqitë e tjera të botës, për zgjidhjen e këtij kontesti.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor.

Presidenti Hassan Rohani i drejtohet po ashtu të martën Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Obama nuk ka dhënë indikacione nëse do të takojë Rohanin në margjina të forumit. Udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë pasur kontakte sy më sy në më shumë se 30 vjet.

Kerry do t’iu bashkohet përfaqësuesve të pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit, plus Gjermanisë, në një takim me ministrin e Jashtëm iranian, i cili do të mbahet të enjten.

Në fjalimin e tij, Obama i ka bërë po ashtu thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të miratojë një rezolutë të fuqishme, e cila siguron se Qeveria siriane u përmbahet angazhimeve të saj për dorëzimin e armatimit kimik.

Ai u ka thënë udhëheqësve botërorë se përgjigjja e komunitetit ndërkombëtar në konfliktin e Sirisë, i cili, sipas Kombeve të Bashkuara, ka marrë 100,000 jetë njerëzish, ka qenë e dobët.

Obama ka thënë se provat, që kanë treguar se regjimi i Bashar al-Assadit ka përdorur armë kimike në një sulm më 21 gusht, kanë qenë “shumë të mëdha”.

“Është fyerje e arsyes njerëzore dhe e legjitimitetit të këtij institucioni, që të sugjerohet se dikush tjetër, jashtë regjimit sirian, ka kryer këtë sulm”, ka thënë presidenti Obama.

Ai u ka bërë thirrje aleatëve të Assadit që të ndalojnë mbështetjen për regjimin e tij.

“Është koha për Rusinë dhe Iranin të kuptojnë se insistimi në sundimin e Assadit do të çojë direkt në rezultatin që ata i druhen: një hapësirë gjithnjë e më e madhe për operimin e ekstremistëve”, ka thënë Obama.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, duke hapur sesionin e 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të martën në Nju Jork, u ka bërë thirrje të gjitha fuqive të mëdha që të ndalojnë “nxitjen e gjakderdhjes” në Siri dhe të ndalojnë dërgesat e armëve për të gjitha palët. (v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG