Ndërlidhjet

Kuvendi i pa pushtet, Qeveria e gjithëfuqishme


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi
Qeveria ka fuqi kontrolluese në raport me Parlamentin, u tha të hënën në një debat në lidhje me 10-vjetorin e parlamentarizmit në Kosovë.

Debatit të organizuar nga "Forumi 2015", i ka shërbyer si pikënisje një raport analizues dhe përmbledhës i dekadës së parë të parlamentarizmit i publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës që merret me monitorimin e punës së legjislativit.

Aty konstatohet se parlamentarizmi në Kosovë ka një zhvillim evolutiv nga faza e administrimit të UNMIK-ut, ajo e pavarësisë së mbikëqyrur dhe faza e tashme e pavarësisë së plotë.

Driton Selamanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se në këtë fazë ka një tendencë në rritje të kontrollit të punës së Parlamentit nga ana e Qeverisë.

“Ndikimi i Qeverisë në punën e Kuvendit në një demokraci normale do të mund të reflektonte, sepse qeveria e ka mbështetjen, i ka numrat dhe e ka shumicën parlamentare në Kuvend. Por në Kosovë disa gjëra po ndodhin ndryshe sepse kemi raste kur edhe pse Kuvendi ka votuar diçka, qeveria e ka vlerësuar si jo të drejtë dhë më pas ka ndikuar te deputetët që ata ta ndryshojnë qëndrimin”, vlerësoi Selmanaj.

Një formë tjetër e ndërhyrjes së Qeverisë në Kuvend, është ajo e presionit të ministrave ndaj deputetëve, tha Selamanaj, duke konsideruar se Kuvendi tashmë është shndërruar në një institucion pa pushtet.

Rreth parlamentarizmit në Kosovë debatuan edhe deputetët e partive më të mëdha që përfaqësohen në Kuvend. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, tha se nuk është Kosova i vetmi rast ku Qeveria ka një fuqi të madhe, krahasuar me institucionet e tjera. Ai theksoi se janë liderët e partive politike ata që kanë rolin kryesor në politikë-bërjen në Kosovë.

“Rolin kryesor në politikë-bërjen në Kosovë e kanë liderët e partive politike dhe kjo pranohet në njëfarë mënyre edhe nga mediat, Parlamenti edhe nga qytetarët”, u shpreh Haliti.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, konstatoi se legjislatura aktuale është më e dobëta, ngase një numër i konsiderueshëm i deputetëve kanë marrë ulësen në Kuvend, përmes procesit të manipuluar zgjedhor. Edhe Beqiri është pajtuar me konstatimet që Qeveria ka një kontroll të plotë mbi Kuvendin.

“Problemi më i madh në këtë legjislaturë është tentimi në çdo mënyrë që agjenda e Qeverisë, e mirë apo e keqe, pika e projektligje të caktuara, të mira apo të dëmshme të kalojnë dhe këtë tashmë e kemi parë”, theksoi Beqiri.

Nga të gjitha folësit e tjerë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, veçoi edhe një zhvillim tjetër në Kuvend, e që sipas tij, ka të bëj jo vetëm me ndërhyrjet dhe kontrollin e Qeverisë, por edhe me ndërhyrjet e ambasadave e të huaja në punën e Kuvendit. Ai shprehu habinë se si raporti i KDI-së nuk e kishte përfshirë edhe këtë aspekt.

“Ndërhyrja e ambasadave, veçanërisht e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe e Britanisë së Madhe dhe ambasadave tjera në punën e Kuvendit është e gjithë-pranishme dhe e përditshme dhe këtë e dinë veçanërisht këta që e monitorojnë punën e Kuvendit si KDI-ja”,u shpreh Ymeri.

Përndryshe, raporti i KDI-së në lidhje me parlamentarizmin në Kosovë konstaton mes tjerash se sendërtimi i demokracisë dhe funksionaliteti i institucioneve më të rëndësishme shtetërore, si Parlamenti e Qeveria, shpesh dëshmoi për tendencën e dirigjimit dhe mungesën e integritetit pavarësisht dispozitave kushtetuese që e garantojnë atë.
XS
SM
MD
LG