Ndërlidhjet

Gara për patriotizëm


Prishtinë...
Prishtinë...
Përplasjet e fundit deklarative ndërmjet udhëheqësve të vendit dhe përfaqësuesve të opozitës në Kuvendin e Kosovës flasin për mungesën e përvojës politike të tyre, ndërsa vënë në pikëpyetje nivelin e komunikimit në legjislativ, thanë analistët në Prishtinë.

Analisti Ismail Hasani tha se fjalori politik që po përdoret në parlament, nuk i kontribuon askujt, ndërsa dëshmon nivelin e ulët të kulturës së deputetëve në kuvend.

Atëherë kur nuk ka alternativë për të zhvilluar debat në tema të rëndësishme për zhvillimin e vendit, për procese politike të ndërlikuara, në të cilat po kalon Kosova, rruga më e lehtë për njerëzit që janë pa informata dhe pa profil politik, është përplasja ose bartja në rrafshin personal të sulmeve, etiketimeve, përfshirë edhe denigrimet”, tha Ismaili.

Komenti i tij pason diskutimet e zhvilluara në seancën e së mërkurës të Kuvendit të Kosovës, ku ka pasur akuza të ashpra ndërmjet kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, dhe kreut të partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me “të qenit patriot”.

Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se çështje të tilla të diskutimit nuk i kontribuojnë nxitjes së debatit demokratik, por se kanë një efekt të kundërt duke prodhuar tensione.

Siç duket politikanët tanë kanë zgjedhur që të përfaqësojnë veten e tyre dhe të përfitojnë imazhe, ose perceptime të njerëzit se ata janë ndryshe. Realisht kjo nuk i shërben uljes së tensioneve politike të krijuara në mes të subjekteve politike ose polarizimit të tyre të skajshëm. Kjo fatkeqësisht ndikon edhe në rritjen e tensioneve dhe polarizimit të shoqërisë në Kosovë në përgjithësi”, tha Selmanaj.

Burimi kryesor, për këtë, sipas Selmanajt është një profil i papërmbushur politik i deputetëve dhe mungesa e aftësive të tyre për të komunikuar me gjuhën parlamentare.

Kakofonia e krijuar në Kuvendin e Kosovës, me akuza e kundërakuza reciproke mes deputetëve ose përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës po krijon tensione të panevojshme, madje deri në terror verbal, duke fyer dhe akuzuar njeri-tjetrin. Definitivisht kjo për demokracinë në Kosovë është e dëmshme”, tha Selmanaj.

Nga ana tjetër, edhe qytetarët kanë kritika të shumta për mënyrën se si zhvillohen debatet në Kuvendin e Kosovës.

Isuf Beha nga Prishtina thekson se është e turpshme për deputetët se në çfarë mënyre diskutojnë në seanca.

Ata çka janë duke bërë në Kuvend mes vete është e turpshme, atë e bëjnë njerëzit pa shkollë. Edhe unë mund të them se janë patriot, po nuk jam, se nuk kam qenë në luftë fare. E ata mund të thonë se janë patriotë se kanë qenë në Zvicër, në Gjermani, Amerikë e kudo, e janë kthyer tash e kanë zënë pozitën edhe thonë jam patriot. Ata që kanë qenë patriotë, ata janë vrarë”, tha Beha.

Ngjashëm mendon edhe Xhemajl Canolli. Sipas tij, në Kosovë duhet të ketë demokraci dhe të kritikohet ai që është për t’u kritikuar, por fjalori fyes nuk duhet të përdoret në kuvend.

Dihen patriotët kush janë, edhe ata njerëz që kanë luftuar. Dikush në këtë drejtim mundohet të fitojë poena politik, po populli e di kush është patriot e kush jo”, tha Canolli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG