Ndërlidhjet

Hakmarrjet politike në Kuvend


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Njohës të çështjeve politike thonë se interesat e ndryshme të partive politike në Kuvendin e Kosovës, po e shndërrojnë shpeshherë këtë institucion në një arenë hakmarrjesh politike.

Kjo, sipas tyre, ka ndodhur së fundi, kur me nismën e subjektit politik Vetëvendosje, në dhjetor të vitit të kaluar, u miratua mocioni për reciprocitet me Serbinë, ndërsa disa javë me vonë ky mocion “u rrëzua” nga një mocion tjetër po për të njëjtën çështje i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Analisti për çështje politike, Imer Mushkolaj tha se veprimet e fundit në Kuvend kanë dëshmuar se legjislativi i vendit është bërë një platformë për hakmarrje ndërmjet subjekteve politike.

Rasti i fundit kur një kundërmocion e zhvleftëson një mocion paraprak tregon se në çfarë situate është organi më i lartë legjislativ në vend. Po ashtu, këtu duhet parë edhe, nëse mund të themi ashtu, atë moralin e deputetëve. Ta zëmë, deputetët e njëjtë para një jave, dy jave, apo me shumë votojnë për një vendim që nënkupton krejt diçka tjetër, ndërkaq me pas për shkak të hakmarrjeve politike dhe për shkak të përplasjeve politike, të interesave partiake, ata votojnë për një vendim në mënyrë krejt tjetër”, u shpreh Mushkolaj.

Mushkolaj theksoi se veprimet rreth mocionit për reciprocitet me Serbinë tregojnë pafuqinë e këtij institucioni për t’i shtyrë përpara vendimet që merren në të.

Këto që po ndodhin vetëm po na tregojnë se sa i brishtë është Kuvendi i Kosovës si institucion, dhe se sa lehtë mund të nëpërkëmbet për interesa partiake të një partie apo të një partie tjetër. Nuk është e papritur dhe konsideroj që secili prej nesh mund të presë pas këtyre situatave që kanë ndodh së fundi, këtë javë ose javën tjetër të ngritet një grup tjetër politik dhe të bëjë një mocion tjetër, që do ta hidhte poshtë ketë mocion që tashmë është në fuqi”, tha Mushkolaj.

Përgjatë viteve të fundit nuk kanë qenë të pakta kritikat ndaj legjislativit kosovar, sipas të cilave, ky i fundit, në vend se ta kontrollojë qeverinë është shndërruar në dikaster i saji.

Puna e Kuvendit të Kosovës, sipas analistit Halil Matoshi, flet për mungesën e racionalitetit, ndërsa lë përshtypjen për ndikimin motiv të deputetëve.

Në Kuvendin e Kosovës në vend të një patriotizmi konstitucional ligjor, deputetët shpesh bien viktima të një patriotizmi arkaik dhe historik. Kështu që Kuvendi është nën diktatin e qeverisë dhe këtu ka plotësisht të drejtë Lëvizja Vetëvendosje, sepse është shkelje e Kushtetutës dhe e ligjit ndërhyrja në vetëdijen e deputetit të zgjedhur nga vota e popullit, që ai ta dizajnojë votën siç dëshiron partia në pushtet, ose në këtë rast Qeveria e Kosovës”, deklaroi Matoshi.

Mungesa e respektimit të të gjitha vendimeve që merren në Kuvend, sipas tij, tregon që niveli i demokracisë në Kosovë është tejet i ulët.

Edhe Kuvendi i Kosovës është produkt i kësaj shoqërie dhe produkt i këtyre partive politike, të cilat shpeshherë e shkelin me të dyja këmbët vet sistemin e demokracisë, dhe në këtë rast demokracisë parlamentare”, tha Matoshi.

Në një raport të fundit i cili është publikuar të mërkurën nga Instituti Demokratik i Kosovës thuhet se problemi kryesor në Kuvend vazhdon të jetë sfidimi i integritetit të organit më të lartë përfaqësues.

Rasti i fundit, thuhet në raport, është mocioni i Kuvendit për Reciprocitet me Serbinë.

Ky institut që monitoron punën e Kuvendit, konsideron se interpretimi i këtij mocioni nga ana e Qeveris së Kosovës, por edhe i përfaqësuesve ndërkombëtarë, ka qenë i padrejtë dhe në kundërshtim me rendin juridik në Kosovë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash miratoi mocionin e ri për reciprocitet me Serbinë.

Për votuan 59 deputetë, 41 kundër dhe një abstenim.

Mocioni i Partisë Demokratike të Kosovës e shfuqizoi atë të 7 dhjetorit, të inicuar nga Lëvizja Vetëvendosje për reciprocitet të plotë me Serbinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG