Ndërlidhjet

Thaçi e Daçiq sërish do të diskutojnë për zgjedhjet


Kryeminstrat Ivica Daçiq (majtas) dhe Hashim Thaçi (djathtas)
Kryeminstrat Ivica Daçiq (majtas) dhe Hashim Thaçi (djathtas)
Ekzekutivi kosovar është zotuar se do të angazhohet që zgjedhjet e tre nëntorit të jenë fer, të lira dhe demokratike.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë, deklaroi se është e rëndësishme që këto zgjedhje do të mbahen për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas tij pjesëmarrja e shumë partive politike, do ta rrisë peshën dhe konkurrencën e garës në nivel lokal.

“Theksoj se ajo që është shumë me rëndësi, është që organizimi i zgjedhjeve bëhet për herë të parë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me pjesëmarrje të madhe të partive politike, dhe do të organizohen sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare”, deklaroi Thaçi.

Thaçi kërkoi që puna e organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të mos politizohet, derisa shprehu besimin se fryma evropiane e Kosovës do të shihet edhe në veri.

“Ne mbështesim çdo vendim që është në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, dhe asnjë vendim tjetër, vetëm vendimet që janë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Deri tani të gjitha veprimet e Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës kanë qenë kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh Thaçi, duke aluduar në vendimin e fundit të KQZ-së për largimin e stemës së Republikës së Kosovës nga fletëvotimet.

Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë njoftoi se të dielën do të mbahet takimi i radhës me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, në Bruksel.

Thaçi tha se qëllimi i këtij takimi është që të përmbyllet marrëveshja për telekomin dhe energjinë.

Kurse, zyrtarët në Bruksel, bënë të ditur se pos për telekomin dhe energjinë, çështje kryesore e takimit ndërmjet kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, dhe atij serb, Ivica Daçiq, do të jetë mbajtja e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, shpjegoi:

“Fokusi kryesor do të jetë përgatitja e mbajtjes së zgjedhjeve. Ju e dini që zonja Ashton ka përshëndetur përparimet që janë bërë në Beograd e Prishtinë, për përgatitjen e zgjedhjeve dhe ka ftuar të dyja palët që të vazhdojnë përgatitjet ashtu që zgjedhjet të mbahen në mënyrën e duhur dhe të ketë dalje të votuesve”.

Ndërkohë, që mediat vendore në Kosovë kanë njoftuar se pas heqjes së stemës nga fletëvotimet e zgjedhjeve të 3 nëntorit, mund të shtohet nevoja edhe e ndryshimit të vulës së KQZ-së.

Por, një gjë të këtillë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e kanë hedhur poshtë duke thënë se kjo nuk do të mund të ndodhë.

Anëtari i KQZ-së, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Binak Vishaj, tha për Radion Evropa e Lirë se vula aktuale e identifikon KQZ-në dhe nuk do të ketë ridizajnim të asaj vule.

“Kjo vulë gjithmonë ka qenë në fletëvotime. Vula e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë në të gjitha zgjedhjet e mëhershme dhe asnjë herë nuk ka qenë ndryshe deri tash. E njëjta do të jetë edhe në këto zgjedhje, do të thotë vula është stema e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, theksoi Vishaj.

Edhe anëtarët e tjerë të këtij komisioni deklaruan se nuk mund të ketë ndryshim të vulës aktuale të KQZ-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG