Ndërlidhjet

Sfidat e "rrezikshme" para zgjedhjeve të nëntorit


Fushtë zgjedhore në Prishtinë - foto nga arkivi
Fushtë zgjedhore në Prishtinë - foto nga arkivi
Fakti që në Bruksel nuk është arritur marrëveshje për çështjen e pamjes së fletëvotimeve për zgjedhjet vendore të tre nëntorit, ka bërë që në Kosovë të nisin diskutimet nëse zgjedhjet janë të rrezikuara.

Shqetësimin e parë e ka ngritur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se “Kosova është në një gjendje jo të favorshme", pasi që sipas tij ky proces ka implikime të mëdha politike.

“Ndjeshmëria është e lartë dhe politike. Ne e dimë se vendimi është i KQZ-së, por prapë është politike. Meqenëse është një situatë e tillë ndoshta duhet të jemi sa më të kujdesshëm. Po bëhet fjalë për integrimin e veriut dhe për disa 'gëlltitje' që po duhet t'i gëlltisim disa gjëra që të mund të ndodh integrimi".

"Por, nuk duhet të nxitojmë të biem shumë ulët në shumë hapa. Për atë, sikur se e shihni, nuk është arritur ndoshta deri të një marrëveshje tash. Shpresojmë që ta gjejmë një formë për t’i mbajtur zgjedhjet”, deklaroi Haradinaj në komunën e Shtërpcës, derisa ka prezantuar kandidatin e AAK-së për kryetar komune.

Në pyetjet e gazetarëve se çfarë qëndrimi do të ketë AAK-ja, nëse nga fletëvotimet hiqen simbolet sheqerore, Haradinaj pranoi se nuk është i sigurt në qëndrimet e tij.

“Nuk jam i sigurt në qëndrimin tim dhe tonin për shkak se jemi në mes të një dileme se a duam t'i ndalim zgjedhjet, mos t'i mbajmë, apo duam t'i mbajmë në veri. Ata po e dinë se ne kemi interes t'i mbajmë zgjedhjet dhe po vendosin vazhdimisht pengesa, ndoshta edhe me idenë që ne mos t'i mbajmë zgjedhjet në veri për shkak se në fund do të fitojmë nëse i mbajmë zgjedhjet në veri, Kosova fiton".

"Pra kohë pas kohe po na vijnë pengesa si kjo e tashmja. Pra është në interesin e Kosovës të gjenden mënyra për t'u mbajtur zgjedhjet në veri”, u shpreh Haradinaj.

Kurse, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë, konsiderojnë se pavarësisht që e thonë të kundërtën, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq janë duke arritur marrëveshje lidhur me temat të cilat janë duke i diskutuar në Bruksel.

Analisti politik Behlul Beqaj thotë se kjo ndodh për faktin se të dyja qeveritë e të dyja vendeve, nuk duan që të ketë reagime lidhur me marrëveshjet e arritura.

“Deklarimet publike objektivisht vërtetojnë të kundërtën ngase pavarësisht se nuk pranohet se është arritur ndonjë rezultat, ndoshta çështja e konkretizimit të marrëveshjes po kryhet pa e ditur audienca e gjerë".

"Në ketë kuptim kur është në pyetje vazhdimi i dialogut mendoj se duhet të jemi shumë kureshtarë në analizën e atyre gjërave të cilat nuk thuhen, e objektivisht po kryhen. Ngase kemi reagimet e opozitës në Serbi, sikurse se kemi dhe pakënaqësitë e subjekteve në Kosovës për gjëra të cilat po veprohet e të cilat objektivisht nuk kanë qenë subjekt i bisedave”, tha Beqaj për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Shpend Kursani nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, mendon ngjashëm duke deklaruar se Kosova dhe Serbia tashmë për shumë çështje janë dakorduar.

Sipas Kursanit të dy kryeministrat me takimet e tyre po duan të tregojnë se sa të vështira janë bisedimet Kosovë- Serbi.

“Unë mendoj se zgjedhjen, në këtë rast për energjetiken dhe telekomin, korniza për to vetëm është e ditur për kryeministrat dhe janë marrë vesh dhe vetëm po ngecin, kinse te disa detaje”, tha Kursani për Radion Evropa e Lirë.

Kursani po ashtu tha se me lëshimet që Kosova është duke i bërë karshi Serbisë, duke filluar nga ajo për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve, sipas tij, është hapur rrugë për atë shtet që të ketë kërkesa nga më të ndryshmet, edhe për çështje të brendshme në Kosovë.

Meqenëse tanimë i është hapur rruga Serbisë që të ndikojë edhe në detajet më të vogla të vendimmarrjes brenda në Kosovë, atëherë jo vetëm këto zgjedhje, por duket se edhe shumë çështje të tjera të brendshme të Kosovës do të varen nga kushtëzimet që Serbia do t’ia bëjë kësaj qeverie”, tha Kursani.

Ndryshe, Florjan Dushi anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ka thënë Radios Evropa e Lirë se afati i fundit për caktimin e dizajnit të fletëvotimit në tërësi është data 25 shtatori.
XS
SM
MD
LG