Ndërlidhjet

Shtohet numri i rasteve me kancer


Qeliza kanceri
Qeliza kanceri
Në tremujorin e parë të këtij viti, janë zbuluar më shumë se 250 raste të reja të personave të prekur me kancer. Këtë e thotë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Onkologjik, Behxhet Osmani, duke shtuar se tashmë janë duke mbajtur evidencën e kësaj sëmundje.

“Kemi bërë një analizë në tremujorin e parë dhe personat që janë prekur me kancer, janë rreth 250 raste të reja. Të gjithë kanë filluar trajtimin te ne. Ne nuk kemi numër të saktë nga vitet e kaluara, dhe nuk mund të bëhet ndonjë krahasim, por nga viti në vit shihet se ka rritje të numrit, bazuar edhe në vendet në gjithë botën”, thotë Osmani.

Këtë vit në Institutin Onkologjik është lëshuar në funksion edhe radioterapia terapeutike, shërbim ky që ka munguar për pacientët.

Ndërkohë, derisa radioterapia terapeutike nuk ka funksionuar, pacientët këtë shërbim e kanë marrë jashtë vendit, duke paguar për një seancë rreth 2 mijë euro.

Ndërsa, për shërbimet për pacientët me sëmundjen e kancerit, në këtë institut, Osmani jep më shumë hollësi:

“Përveç disa kacereve më të rralla që duhet trajtohen jashtë vendit, 95 për qind e rasteve trajtohen tek ne. Duke filluar nga trajtimi kirurgjik, me barna, me rrezatim dhe hemioterapi”.

Ndryshe, objekti i Institutit të Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka filluar të ndërtohet në vitin 2004 dhe në këtë objekt janë investuar rreth 6 milionë euro. Së fundmi është hetuar nga organet e drejtësisë shuma e madhe e parave që ka hyrë në këtë institucion.

E, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se si udhëheqës i ministrisë është shumë i interesuar që ta heqë barrën korruptive për Institutin Onkologjik dhe sistemin shëndetësor në përgjithësi, dhe për të ofruar shërbime sa më cilësore për qytetarët.

“Jemi të interesuar që ta heqim barrën korruptive nga sistemi i shëndetësisë. Unë jam i lumtur që kam arritur që për Institutin Onkologjik, ta mbyll kapitullin e errët për më shumë se një dekadë , pas miliona eurove të shpenzuar në të, të jetë në funksion për qytetarët”.

“Aty zbatohen në mënyrë të plotë shërbimet hemoterapeutike, radioterapeutike, me një perspektiv shumë të mirë të ngritjes së kapaciteteve të ngritjes edhe teknike edhe profesionale”,
deklaron Agani.

Ndërkohë, Osmani bën të ditur se nga protokolli i pacientëve të prekur nga sëmundja e kancerit, i cili po bëhet për herë të parë këtë vit, priten të bëhen analiza më të thella, që do të tregojnë se nga cilat komuna janë rastet më të shpeshta me këtë sëmundje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG