Ndërlidhjet

Kanceri i gjirit: Rreth 200 raste të reja në vit


Derisa numri i grave që po preken me kancer në gji, po rritet, Qendra Klinike Universitare e Kosovës po ballafaqohet me vështirësi për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Përhapja e sëmundjes së kancerit të gjirit në botë dhe në vendet e rajonit është alarmante, thonë zyrtarë shëndetësorë.

Shqiptar Demaçi, kirurg torakal, deklaron për Radion Evropa e Lirë, se rreth 200 raste të reja në vit paraqiten me kancer në gji.

Sipas tij, problemet, me të cilat ballafaqohet stafi mjekësor në Kosovë, në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, lidhur me trajtimin e kësaj sëmundjeje, janë të natyrave të ndryshme.

Demaçi thotë se ka mungesë të kirurgëve torakal, mungesë anesteziologësh, e posaçërisht si problem shumë të madh, ai e përmend mungesën e aplikimit të radioterapisë në Institutin Onkologjik në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Janë rreth 200 raste të reja në vit me kancer të gjirit. Trajtimi është standard. Sa i përket punës së operacioneve, na mungojnë anesteziologët, edhe pse pacientët me kancer të gjirit kanë prioritet. Radioterapia mungon, edhe pse qe 7 vjet është blerë aparati në QKUK”, thekson Demaçi.

Por, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se gjithçka ka qenë gati sa i përket fillimit të aplikimit të radioterapisë, derisa, me kërkesën e Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, për shkak të dyshimeve të radioaktivitetit brenda objektit të Institutit Onkologjik, është ndërprerë puna.

Ne kemi qenë gati qysh në janar të fillojmë me trajtimin e radioterapisë, por kërkesa nga Prokuroria e EULEX-it ka bërë që ta ndërprejmë këtë aktivitet. Kemi dashur t’i qartësojmë dilemat në këtë aspekt. Në momentin që do t’i heqim dilemat, do të fillojmë me aplikimin e radioterapisë”, thotë ministri Agani.

Ndërkaq, Demaçi shton se me kalimin e kohës, gratë dita ditës po vetëdijesohen sa i përket kontrolleve rutinore të gjirit.

Andaj, shumica e grave që kanë kancer në gji, paraqiten me kohë, derisa, siç tha ai, ka edhe raste kur paraqiten me vonesë dhe kanceri ka avancuar.

Për shkak të rritjes së vetëdijes, gratë vijnë me kohë te mjeku, por ka edhe raste të avancuara. Por, në klinikën tonë na mungon aparati i ultratingullit, përpos që nuk aplikohet as radioterapia”, shton Demaçi.

E, gratë e prekura me kancerin e gjirit, bëjnë apel që kontrollet nga ana e grave, të jenë sa më të shpeshta, për shkak se, siç thonë ato, diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

Njëra nga to është edhe Nafije Latifi, nga organizata “Jeta Vita”, njëherësh e prekur me kancer në gji.

Diagnostikimi i hershëm është puna e parë që duhet të bëhet. Është e rëndësishme, sepse shpëton jetë. Por, në anën tjetër, një person i sëmurë në familje, është e sëmurë e gjithë familja”, thotë Nafije Latifi.

Sidoqoftë, Kosova nuk ka regjistër të kancerit. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, tashmë është përpiluar formulari nga bordi shtetëror për parandalimin e sëmundjeve malinje dhe, siç zotohet ai, deri në fund të vitit 2012, Kosova do të ketë të dhëna të sakta me të diagnostikuarit me kancer.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG