Ndërlidhjet

Prishtina pret përgjigjen e Beogradit për telekomin


Autoritetet në Kosovë ende janë në pritje të përgjigjes nga Beogradi, i cili duhet ta njoftojë Brukselin zyrtar për marrëveshjen ndërmjet dy shteteve mbi çështjen e telekomunikacionit.

Zyrtarët qeveritarë thanë se afati i fundit për Serbinë ka qenë dita e enjte, 8 gusht, për t’u deklaruar nëse e ka pranuar marrëveshjen.

Dren Zeka, këshilltar politik i zëvendëskryeministres, Edita Tahiri, e cila kryeson delegacionin kosovar në bisedimet teknike, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet përgjigja e Serbisë.

“Fillimisht një sqarim, sepse është krijuar një keqkuptim. Nuk ka pasur takim këto ditë për telekomin në Bruksel, që nga takimi i fundit i kryeministrave kur është diskutuar për këtë çështje. Më pas nuk ka pasur asnjë takim. Ka mbetur që pala serbe ta konfirmojë pranimin e marrëveshjes të cilën BE-ja dhe Kosova e kanë pranuar".

"Dje ka qenë afati i fundit kur Serbia është dashur të kthejë përgjigje dhe të konfirmojë pranimin e marrëveshjes, por ne ende nuk e dimë se a e ka bërë këtë konfirmim”, ka shpjeguar Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, Brukseli gjithashtu nuk e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për telekomin në mes të Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ishte raportuar fillimisht.

Maja Kocijançiq, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme, Catherine Ashton e cila ka ndërmjetësuar takimet e kryeministrave Thaçi e Daçiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ende nuk ka asgjë të re rreth kësaj teme.

“Ende nuk ka ndonjë lajm për pranimin e marrëveshjes. Ne shpresojmë që të dyja palët të arrijnë marrëveshjen sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë shkurtimisht Kocijançiq.

Delegacioni kosovar më parë ka thënë se kërkesën pranë Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) për prefiks ndërkombëtar do ta bëjë vet, ose eventualisht do të pajtohej që një shtet i tretë i Bashkimit Evropian ta bëjë kërkesën për të.

Marrëveshja thuhet se parasheh që Kosova të marrë kodin ndërkombëtar +383, kurse Serbia fiton licencimin e një operatori serb të telefonisë mobile në Kosovë.

Beogradi insiston që operatorit t’i jepet licenca pa procedura, kurse Prishtina thotë se licenca është çështje edhe e tenderimit, por se është e gatshme që t’i lehtësojë procedurat për licencimin e një kompanie serbe, e cila do të punonte si operator virtual, brenda rrjetit të dy operatorëve legjitim në Kosovë.

Zoti Zeka shpjegon se çka do të fitonte Serbia konkretisht.

Zgjidhje për një operator të limituar në hapësirë dhe në kohë të përkohshme për komunitetin serb në Kosovë, por që do të jetë i licencuar në Republikën e Kosovës dhe do të operojë sipas ligjeve të Kosovës”, sqaron Zeka.

Ndryshe, ekspertët e telekomunikacionit konsiderojnë se Kosova në mungesë të kodit telefonik ka humbur shumë.

Eksperti Agron Dida tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova po humb miliona euro nga mungesa e një kodi.

“Kosova ka humbur diku mesatarisht për këto 10-14 vjet në proces një milion deri një milion e gjysmë çdo muaj. Nëse llogaritet ajo, pra për ketë periudhe kohore do të mund të ndërtoheshin diku 200 spitale nga një milion euro secili në fshatra ku nuk ka shërbime mjekësore, për kaq Kosova kish me qenë më e pasur me infrastrukturë shëndetësore, p.sh. po t’i kishte këto para që janë dhënë kot së koti”, thekson Dida.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos, +377, ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë, +386, kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin, +381, të Serbisë.

Thuhet se për të pasur Kosova kodin e vet telefonik, së pari duhet të anëtarësohet në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) ose Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e pastaj të aplikojë për kodin shtetëror të telefonisë.

Por, eksperti Dida thonë se edhe pa qenë anëtar të këtyre mekanizmave, Kosova mund te kishte kodin telefonik, po të kishte vullnet dhe angazhim nga vendorët dhe vetë ITU-ja.

“Zgjidhej e këtij problemi qëndron në Gjenevë, në ITU. Në rregullativat e tyre ekziston mundësia legale që Kosova ta ketë një zgjidhje për problemin e vet, por ata nuk janë duke u marrë me ketë punë. Fatkeqësisht nuk janë duke u marrë, po ju duket problem i vogël".

"Kam analizuar dokumentet që i ka ITU-ja, kjo është një çështje e një burokracie të pashembull që është duke ushtruar ai rregullator botëror. Gjithashtu duhet ta kritikoj edhe qeverinë vendore që nuk po angazhohet në këtë drejtim, por edhe institucionet e tjera si rregullatori i Telekomit”, shprehet Dida.

Sido që të jetë, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur deri më tash disa marrëveshje në kuadër të dialogut teknik në Bruksel, por zbatimi i tyre vazhdon të jetë i diskutueshëm.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 19 prill, gjithashtu po shoqërohet me ritëm të ngadalësuar zbatueshmërie.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG