Ndërlidhjet

+ 355, zgjidhja më e mirë


Ilustrim
Ilustrim
Edhe pas më shumë se katër vjetësh që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ende nuk ka kodin shtetëror telefonik.

Në mungesë të këtij kodi, operatorët e telefonisë mobile dhe telefonisë fikse, shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë.

Ekspertët e telekomunikacionit dhe zyrtarë të qeverisë, vlerësojnë se procedurat për marrjen e kodit telefonik shtetëror janë të vështira.

Sipas Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, thuhet se në mënyrë që Kosova të ketë kodin e vet telefonik, se pari duhet të anëtarësohet në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) ose Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e pastaj të aplikojë për kodin shtetëror të telefonisë.

Për anëtarësim në këtë unionin ekzistojnë dy mundësi: së pari anëtarësimi në OKB, e pastaj kërkesa formale për anëtarësim në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.

Ndërsa, anëtarësimi direkt në ITU, pa qenë anëtare e OKB-së, ku me këtë rast do të nevojiten së paku 2/3 e votave të shteteve anëtare, që do të rreth 190 anëtarë.

Eksperti i telekomunikacionit, dikur drejtor në Post Telekomin e Kosovës, Agron Dida, konsideron se për shkak të vështirësive për anëtarësim në Unionin e Telekomunikacionit, mundësia për shfrytëzimin e kodit telefonik të Shqipërisë, aktualisht është zgjidhja më e mirë.

Është zgjidhje e shkëlqyeshme, kjo është një kontribut sikur autostrada kombëtare, kjo është një autostradë telekomunikuese kombëtare dhe është zgjidhje e shkëlqyeshme”.

Kjo do t’i ndihmojë biznesit, komunikimet e ndërsjella, tarifat do të jenë lokale, faktikisht dhe kjo është jashtëzakonisht e mirë”, thotë
Dida.

Ndryshe, deputet të Kuvendit të Kosovës, të enjten kanë miratuar projekt –rezolutën, që në rast të mos marrjes së kodit të vet telefonik, atëherë t’i lejohet të shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë (+355).

Ekrem Hoxha, drejtor i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky projekt rezolutë inkurajon autoritet kosovare, por sa është e mundur kjo, varet nga vullneti i shtetit shqiptar.

Në qoftë se ky vullnet merr formë nga të dyja shtetet, ne si ART , pas qartësimit pas marrjes së vendimit, brenda një periudhe 6 mujore do të ngrijmë kornizën e legjislacionit sekondar për të jetësuar një vendim të tillë”.

Me telefoninë fikse kjo mund të arrihet më shpejtë në afate kohore, ndërsa më telefoninë mobile kompleksiteti është më i shtuar, numri i abonentëve është më i madh, dhe për këtë merr kohë më të gjatë”, shprehet Hoxha.

Duke pasur parasysh faktin që momentalisht Kosova nuk ka kod të vetin telefonik, atëherë operatorëve të licencuar iu është lënë mundësia që të bëjnë marrëveshje me shtete tjera për shfrytëzimin e kodeve të tyre.

Ndërsa, pas marrjes se kodit, të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë do të jenë të obliguar që të përdorin kodin e ri unik pas një periudhe të përcaktuar nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG