Ndërlidhjet

"Bursa" punëson 190 veta


Punëtor në Kosovë - Ilustrim
Punëtor në Kosovë - Ilustrim
Përmes “Bursës së Punësimit” janë punësuar 190 punëtorë në kompani të ndryshme private në Kosovë, bëjnë të ditur përfaqësues të Aleancës Kosovare të Biznesit, si organizatorë të këtij projekti.

Ata theksojnë se janë edhe 150 vende të lira të punës në sektorin e bujqësisë, që pritet të plotësohen.

Gjatë kohës sa ka qenë e hapur “Bursa e Punësimit” sipas të dhënave të AKB-së, kanë aplikuar për punë 494 punëkërkues për 445 vende të reja të punës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson se rezultatet e arritura nga ky aktivitet, kanë qenë inkurajuese.

Në këtë projekt janë vizituar më shumë se 400 kompani nga krejt ky angazhim ne kemi arritur t’i grumbullojë 70 kompani, të cilat kanë qenë të pranishme në ‘Bursën e Punësimit’. Në total numri i të punësuarve deri në këtë moment është 190 persona”, thotë Shahini.

Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet një problematikë mjaft shqetësuese. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, papunësia thuhet se është 35.1 për qind.

Shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë aktive është 36.8 për qind dhe shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë joaktive është 63.2 për qind.

Kompania e vreshtarisë dhe verarisë “Stone Castle” nga Rahoveci, e cila kishte hapur 300 vende të reja të punës ka punësuar 85 persona, derisa kishin aplikuar vetëm 150 punëkërkues.

Agron Aliçkaj nga kjo kompani, ka kërkuar përkrahje edhe më tutje të zyrave regjionale për punësim, sidomos nga ajo e regjionit të Prizrenit që t`i ndihmojë në gjetjen e punëtorëve, pasi siç thotë ai, kjo kompani ka nevojë sidomos për punëtorë sezonalë.
Neve na kanë ofruar ndihmë, por prapë kemi nevojë për punëtorë.

“Rajoni i Rahovecit pjesa më e madhe kanë vreshtat e veta. Neve na duhet ndihmë nga zyrat rajonale të punësimit për të gjetur punëtorë. Neve na kanë ofruar ndihmë, por prapë kemi nevojë për punëtorë”, thekson Aliçkaj.

Ndryshe, sipas organizatorëve të “Bursës së Punësimit”, aktiviteti për plotësimin e vendeve të lira të punës në kompanitë, siç është ajo e vreshtarisë dhe verarisë nga Rahoveci “Stone Castle” do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

“Bursa e Punësimit” është projekt tradicional i Aleancës Kosovare të Biznesit dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili në vit thuhet të ketë arritur t’i punësojë mbi 500 të papunë.

Këshilltari i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi, thotë se ministra do të angazhohet që edhe në të ardhmen të përkrahë aktivitete të tilla, në mënyrë që numri i të papunëve, të cilët janë të regjistruar si punëkërkues në zyrat regjionale të punësimit, të ulet gradualisht.

“Ne, përmes qendrave regjionale të punësimit, do të ofrojmë të gjitha listat dhe kualifikimet e nevojshme që kërkohen për punësim në kompani”, shton Gaxhiqi.

Në anën tjetër, kryetari i Bashkimit të Sindikatave Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkalla e papunësisë në Kosovë është në nivel shumë të lartë dhe mund të konsiderohet alarmuese.

“Me të dhënat që edhe ne i marrim, papunësia në Kosovë është mbi 50 për qind dhe jo sipas statistikave zyrtare që thuhet se është 38 për qind. Andaj, institucionet duhet të merren me këtë çështje dhe të punohet në subvencionimin e sektorëve, në veçanti në bujqësi”, thotë Arifi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG