Ndërlidhjet

Sërish për dhe kundër Projektligjit për Amnisti


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Pavarësisht që Qeveria e Kosovës ka bërë ndryshime në Projektligjin për Amnisti, duke larguar krejtësisht nenin tre, përfaqësuesit e subjektit politik Vetëvendosje, vazhdojnë ta kundërshtojnë atë duke thënë se projektligji është në dëm të vendit.

Sipas tyre, me ndryshimet që së fundmi i ka bërë në projektligj, qeveria po mundohet t’iu hedh hi syve qytetarëve të vendit.

Albulena Haxhiu, anëtare e komisionit për legjislacion nga Lëvizja Vetëvendosje tha se me heqjen e nenit tre asgjë nuk ka ndryshuar substancialisht nga projektligji.

“Qeveria e Kosovës, pasi që Ivica Daçiqi mbeti i zhgënjyer nga Kuvendi i Kosovës, bëri sikur e ndërroi këtë ligj duke u përpjekur kështu që t’iu hedh hi syve qytetarëve, shoqërisë civile, deputetëve që e kanë kundërshtuar, duke sjellë dje një version tjetër, pra të njëjtin projektligj për amnistinë".

"Neni pesë i projektligjit ka për qellim amnistimin e krimit, amnistimin e gjithë atyre krimineleve serbë në veri. Dhe i njëjti ka për qëllim krimin e organizuar dhe kontrabandës. Ne si subjekt politik, sigurisht që do ta kundërshtojmë fuqishëm edhe këtë draft që na është sjellë”
, tha Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës ka ri-draftuar Projektligjin për Amnisti të cilin e ka proceduar menjëherë për në Kuvendin e Kosovës.

Pas dështimit të miratimit të këtij ligji, sipas versionit fillestar dhe vërejtjeve të shumta të deputetëve për numrin e madh të veprave që parashiheshin të falen me të, qeveria kësaj radhe fshiu nga projektligji nenin 3, në të cilin parashiheshin amnisti për shumë vepra që nuk ndërlidheshin vetëm me veriun e Kosovës.

Kurse, nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Behar Selimi, nga PDK-ja tha se me heqjen e nenit tre qeveria u ka lehtësuar edhe më shumë punën deputeteve për ta votuar në parim projektligjin për amnisti.

Selimi tha po ashtu se deputetët që kanë votuar për dhe kundër kanë qenë të bindur se projektligji në mes të dy leximeve në kuvend do të pësojë ndryshime.

“Na është lehtësuar shumë puna dhe deputetët do ta kenë më të lehtë për deklarimin e vullnetit, edhe ata që kanë qenë kundër besoj që pas heqjen se nenit tre do të ndërrojnë mendjen dhe do të votojnë për. Por, edhe ata që kanë votuar për, kësaj radhe do ta kenë vullnetin më të qartë dhe do ta votojnë pa shumë hezitime, siç ishte rasti në leximin e parë”, tha Selimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi ka thënë për media se pas largimit të nenit 3, nga projektligji është shtuar neni në të cilin thuhet se “ të gjitha veprat penale që kanë rezultuar me lëndime trupore dhe me vrasje nuk do të amnistohen”.

Kurse në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se e përkrahin në parim këtë projektligj.

Deputeti Haki Demolli, anëtar i Komisionit për Legjislacion, tha për Radion Evropa e Lirë se pas largimit të nenit tre është mirë që edhe neneve të tjera t’u bëhet një analizë.

“Tash pas heqjes së nenit tre, strukturën e tij do të shohim nenin 5 eventualisht mos kanë shtuar...personalisht nuk e kam parë draft ligjin e ri, këtë të ri-rregulluarin i cili do të na sillet në kuvend. Mirë është që të bëhet një analizë dhe neneve të tjera në mënyrë që ai ligj të jetë sa më i qëndrueshëm dhe t’i plotësojë këto kërkesat tona, për të cilat në një far forme edhe kemi kushtëzuar votën tonë, se ne kemi thënë se në parim e përkrahim, po me kërkesë që të bëhen këto ndryshime të cilat i kemi caktuar”, tha Demolli.

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, me 70 vota për, 21 kundër dhe 2 abstenime nuk ka arritur të kalojë në lexim të parë ky Projektligj pasi që janë dashur 2/3 e votave të deputetëve.

Ky projektligji buronte nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Projekti i cili është i sponsoruar nga Ministria e Drejtësisë, nga shumë deputetë u cilësua se e tejkalon marrëveshjen dhe mundohet të amnistojë krime ordinere që janë kryer në gjithë territorin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG