Ndërlidhjet

Kuvendi nuk miraton Projektligjin për Amnistinë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar Projektligjin për Amnistinë.

Pas një debati të gjatë, Projektligji mori 70 vota për, 21 kundër dhe 2 abstenime. Për të kaluar, ky Projektligj duhet të merrte 80 vota për.

Projektligji buronte nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Mirëpo, si i tillë, ky Projekt i sponsoruar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi nga shumë deputetë u cilësua se e tejkalon marrëveshjen dhe mundohet të amnistojë krime ordinere që janë kryer në gjithë territorin e Kosovës.

Ndërkaq në arsyetimin e tij, ministri i Drejtësisë dhe zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se qëllimi nuk është amnistia ndaj kriminelëve, por se Kosova ka marrë disa obligime për t’i integruar serbët e veriut dhe se kjo fazë kalon edhe përmes amnistisë.

“Përparimi është që ne jemi pajtuar duket, që të bëjmë një lëshim për hir të integrimit të minoritetit serb, për hir të integrimit të asaj pjese të territorit tonë. Dhe po duket se jemi pajtuar që obligimet që i kemi marrë nga marrëveshja, shumica dërmuese është e gatshme t’i realizoj dhe kjo është për përgëzim”, ka thënë Kuçi.

Gjatë debatit, mospajtimet më të shpeshta ishin në lidhje me faljen apo jo të veprave të kryera nga zyrtarët dhe shërbyesit publik, shtetëror.

Projektligji pa ndonjë hezitim është përkrahur nga partitë e koalicionit dhe ato të pakicave.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë vërejtje për numrin e madh të veprave që parashihen të falen me Projektligjin për Amnistinë.

Deputeti i LDK-së, Haki Demolli ka thënë se aty parashihet falje edhe për vepra penale që nuk guxojnë të amnistohen.

Sipas tij, me këtë Ligj, do të përfitojnë më shumë shqiptarët sesa serbët e veriut, madje persona që u përkasin apo janë të lidhur me strukturat e pushtetit.

“Qeveria jonë synon që përmes këtij projektligji nën pretendimin e presionit ndërkombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të amniston kriminelët e të dy grupeve etnike të cilët kanë vepruar nën direktivat dhe mbikëqyrjen si të qeverisë në Prishtinë ashtu edhe të asaj në Beograd. Madje ka shkuar aq larg sa që amnistinë e disa veprave penale ua ka përshtatur disa prej zyrtarëve të lartë politik nga radhët e partisë në pushtet”, ka thënë Demolli.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kategorike kundër këtij Ligji. Deputetja Albulena Haxhiu nga ky subjekt politik e cilësoi këtë projektligj si kriminal.

Kërkesat e saj dallonin nga pjesa tjetër e opozitës, pasi që shprehej tërësisht kundër këtij ligji.

Kur kryeministri dhe zëvendësi i tij, Kuçi thonë se ky ligj nuk është vetëm për veriun por edhe pjesët tjera të Kosovës i kanë në mendje pikërisht kriminelët, të korruptuarit që vijnë nga strukturat aktuale partiake që e kanë pasur pushtetin, por edhe që e kanë tashmë”, është shprehur Haxhiu.

Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes deputetit Ardian Gjini është pajtuar që amnistia të vlen për pjesën veriore me qëllim të integrimit, por jo edhe për zyrtarët tjerë, ata shtetëror të Kosovës të cilët kanë bërë çfarëdo vepre kriminale.

“Ne të nderuar deputetë, mund të falim këdo. Mund të falim edhe një kriminel. Por ne nuk kemi të drejtë të falim vetveten. Ne jemi ata që e kemi ngritur dorën dhe jemi betuar solemnisht në Kuvend, qeveria, kryetarët e komunave janë betuar, të gjithë dhe zyrtarët publik, administrata kanë nënshkruar kontratë me shtetin dhe janë betuar se do ta mbrojnë interesin publik dhe se do të menaxhojnë mirë me punën që u është besuar”, ka thënë Gjini.

AAK e kushtëzoi votën e saj me heqjen e disa neneve nga ky ligj, sidomos atyre që mundësojnë faljen e pushtetarëve nga veprat e kryera.

Me refuzimin e këtij Projektligji, qeverisë i mbetet të provojë që të procedojë një draft tjetër të Ligjit për Amnisti, pasi që një përmbajtje e tillë nuk mund t’i procedohet në të ardhmen Kuvendit.

Projektligji i refuzuar nga Kuvendi, me përmbajtjen që kishte është kundërshtuar ashpër edhe nga shoqëria civile.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG