Ndërlidhjet

FSK - Ushtri apo jo?


FSK
FSK
Skadimi tre ditë më parë i kushtëzimeve që ekzistojnë në Planin e Ahtisarit, ku thuhet se mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të rishikohet pas periudhës 5 vjeçare, ka qenë vetë, një shkas për të diskutuar lidhur me të ardhmen e FSK-së, në konferencën e organizuar sot nga grupi i organizatave joqeveritare “Forumi 2015”.

Çka tutje me Forcën e Sigurisë së Kosovës: Ushtri apo jo?”, është tema e analizës së prezantuar në konferencën e sotme nga përfaqësuesit e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, në të cilën kanë marrë pjesë si panelistë edhe përfaqësuesit e institucioneve të larta të vendit, kompetente për sigurinë.

Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, duke shpërfaqur aspekte të ndryshme të analizës së prezantuar, ka thënë se në këtë analizë janë paraparë 3 skenarë të mundshme për të ardhmen e FSK-së.

Skenari i parë, sipas tij, është mbetja e FSK-së në mandatin që aktualisht e ka.

Skenari i dytë parasheh transformimin e FSK-së në Forca Mbrojtëse të Kosovës, të cilat do të përbëheshin nga 3 mijë e 500 pjesëtarë aktiv, si dhe skenari i tretë parasheh transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës e cila do të përbëhej nga të paktën 5 mijë pjesëtarë aktiv, por pa u kufizuar vetëm në këtë shifër.

Skenari i dytë, që ne e kem i identifikuar, ne e kemi quajtur Forcë Mbrojtëse e Kosovës, mirëpo në fakt nuk ka dallim ndërmjet skenarit të tretë, që e kemi titulluar , drejtë për drejtë ‘Ushtri’. Vetëm për arsye politike e kemi marrë parasysh këtë emërtim ‘Mbrojtëse’, në kuptimin ‘defenses’ dhe jo ‘protection’ siç ka qenë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës".

"Ne, në bazë të kësaj, kemi menduar që gradualisht, përveç mandatit ekzistues që ka Forca e Sigurisë së Kosovës, të marrë edhe një mandat shtesë dhe ai është sigurimi i integritetit territorial të vendit, ashtu siç i takon çdo ushtrie të vendit, gjithmonë në kuadër të marrjes graduale të kompetencave nga KFOR-i”, ka thënë Qehaja.

Armend Muja, po ashtu nga Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë dhe autor i analizës, ka theksuar se indeksi i militarizimit të rajonit tregon se Kosova, pa përfshirjen e prezencës së KFOR-it, është vendi më së paku i militarizuar.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, megjithatë, mendon se siguria ka implikime rajonale dhe natyra e kërcënimeve është rajonale. Atëherë edhe fqinjët duhet ta kenë një qasje të balancuar dhe koordinuar të formësimit të qasjes së sigurisë, ku asnjëri nuk paraqet rrezik për tjetrin. Do të thotë, të ketë një nivelim apo përafrim të kapaciteteve ushtarake në këtë drejtim”, tha Muja.

Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe FSK, ka theksuar se 5 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, kanë mjaftuar që Forca e Sigurisë t’i rritë kapacitetet e veta, në mënyrë që të vlerësohet edhe nga opinioni i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtarë, i cili është i ndërlidhur me sigurinë e Kosovës.

Për pesë vjet të pavarësisë së Kosovës, ne kemi bërë angazhim të jashtëzakonshëm në kuptimin e funksionimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe tash mendojmë se është koha e kompletimit institucional të Kosovës”, theksoi Isufi.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka theksuar se qeveria e Kosovës është angazhuar dhe vazhdon ta bëj këtë për ndërtimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Por ai nuk ka qenë i qartë lidhur me opsionin që do ta ndjekë qeveria e vendit për transformimin eventual të FSK-së.

Elita politike në Kosovë, nënkuptohet këtu edhe ministri edhe Komisioni parlamentar për mbikëqyrje të FSK-së, duhet edhe më tej të mbaj dhe të ushqej partneritetin me NATO-n dhe t’i shmanget ndonjë hapi të njëanshëm që mund ta rrezikoj anëtarësimin e ardhshëm në NATO”, tha Çeku.

Por, Rexhep Selimi, zëvendëskryetar i parë i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe FSK, ka theksuar se janë pesë arsye pse FSK duhet të bëhet ushtri.

Siç tha ai, Kosova është shtet dhe ushtria është komponetë për çdo shtet normal dhe funksionl. Ushtria e Kosovës, sipas tij, do të ishte partnere jetike për pranin ushtarake në Kosovë dhe përn krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës.

“Përderisa Kosova pretendon me të drejtë të jetë anëtarë i NATO-s, atëherë kjo arrihet vetëm nëse Kosova ka ushtri, e cila ndërkohë ka arritur standardet e ushtrive të NATO-s. Prandaj, nuk kund të pretendojmë të kemi partner ushtarak me shtetet e NATO-s duke mos e pasur këtë komponentë ushtarake. Një ushtri profesionale, me standarde të NATO-s do të ishte në gjendje ta ndajë barrën me partnerët e saj strategjik në misionet e ndryshme, qoftë brenda qoftë edhe ndërkombëtare”.

Ndryshe, në analizën që Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë e ka ofruar, janë edhe një varg rekomandimesh dhe konkluzionesh lidhur me temën për të cilën është biseduar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG