Të rreshtuar dhe duke pritur që t’ju drejtohet komandanti i tyre, pjesëtarët e dy kontingjenteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të parët që zbarkojnë jashtë vendit në një ushtrim fushor për të dëshmuar aftësitë për menaxhim të krizave.
Gjenerallejtënant Kadri Kastrati erdhi për t’i përcjellë dhe për t’u thënë se këto dy kontingjente që po marrin pjesë në një ushtrim të tillë rajonal, krah me krah me ushtritë e tjera, janë imazhi i vendit.
Andaj, ai kërkoi edhe përgjegjësi shtesë nga ta.
“Ne, për herë të parë po zbarkojmë jashtë vendit me ju dhe unë jam shumë i bindur që ju do ta performoni Forcën e Sigurisë në veçanti, por edhe në përgjithësi Kosovën dhe do ta prezantoni ashtu si na ka hije neve”, tha Kastrati.
Për t’i motivuar pjesëtarët e FSK-së, Kastrati theksoi se nga viti 2014, mund të ndodhë që pjesëtarë tjerë të marrin pjesë edhe në misione paqeruajtëse, apo humanitare.
“Ne kemi bërë kërkesat tona edhe në NATO, edhe te SHBA-ja, edhe te miqtë tanë tjerë ndërkombëtarë, që synim yni për vitin e ardhshëm është që të marrim pjesë, krah për krah me ushtritë tjera në operacione humanitare, operacione paqeruajtëse, të udhëhequra nga NATO-ja, BE-ja apo OKB-ja”, bëri të ditur Kastrati.
Dy kontingjente me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që u nisën nga kazerma "Adem Jashari" në Prishtinë, do të dislokohen njëra në Shqipëri, kurse tjetra në Maqedoni.
Komandantit shpjegoi se, në kuadër të konceptit të NATO-së ‘Smart Defence’, FSK-ja për herë të parë, do të marrë pjesë me oficer shtabor edhe në shtabet e përbashkëta, që është formuar në Shqipëri, ku do të testohet misioni i kërkim-shpëtim rajonal.
Por, jo vetëm në rajon FSK-ja, sipas komandantit të saj, mund të tregojë sukses.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, gjenerallejtënant Kadri Kastrati shpjegon se investimet që ka bërë Aleanca Veri-Atlantike dhe partnerë tjerë direkt për pesë vjet me radhë, duhet të shpaguhen.
“Ka ardhur koha dhe kemi zhvilluar forcën (FSK) deri në atë nivel, sa ne mund të shndërrohemi nga konsumator i deritashëm në ekspertues të sigurisë”, theksoi ai për Radion Evropa e Lirë.
Këtë faktor, komandanti i FSK-së thotë se e bazon në profesionalizmin e forcës dhe vlerësimin që i ka bërë NATO-ja.
“Ne mendojmë - por jo vetëm ne, por edhe NATO mendon-që është koha që FSK-ja të dalë edhe jashtë kufijve të vet, të japë kontributin në operacionet e udhëhequra nga NATO-ja, qofshin ato për paqe, qofshin ato humanitare, por jemi të gatshëm për një punë të tillë”, shpjegoi Kastrati.
Komandanti i FSK-së, tha se po të pyetej ai, pjesëtarët e FSK-së do të merrnin pjesë në Forcën Ndërkombëtare të Asistencës në Siguri (ISAF) që vepron në Afganistan. Të paktën sipas tij, FSK-ja do të mund të dërgonte “oficerë shtabor” në kuadër të kontingjenteve tjera në ISAF, apo kudo tjetër në glob.
"Nuk varet nga ne, por ne presim në rend të parë nga SHBA-ja, NATO-ja, që kudo që është nevoja në të ardhmen, që të na ftojnë. Dhe, unë besoj që në të ardhmen FSK-ja do të jetë e ftuar që ta japë kontributin e vet. Por, edhe në një mënyrë, që të arsyetojmë të gjithë ato investime që janë bërë në Kosovë, dhe që të japim kontributin tonë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Gjenerallejtënant Kadri Kastrati.
Në ushtrimin “Joint Reaction 13” në Maqedoni, që do të zgjasë nga 2 deri më 7 qershor, FSK - ja merr pjesë më 25 pjesëtarë, kurse në ushtrimin “Shared Resilience 13 ” në Shqipëri, që do të zgjasë nga data 27 maj deri më 7 qershor, FSK -ja merr pjesë me 11 pjesëtarë.