Ndërlidhjet

VV: Me privatizimin e KEDS-it dhe PTK-së, po dëmtohet vendi


KEK
KEK
Përfaqësuesit e subjektit politik Vetëvendosje, kritikuan sërish Qeverinë e Kosovës për privatizimin e distribucionit të KEK-ut dhe PTK-së.

Vetëvendosje konsideron se me privatizimin i distribucionet dhe PTK-së janë bërë shumë shkelje dhe nga nënshkrimi i kontratave me ofertuesit humbësit me të mëdhenj janë qytetarët kosovarë.

Në një konferencë për media të mbajtur në selinë e kësaj partie, nënkryetari Shpend Ahmeti tha se nga ajo që është parë deri me tash po kuptohet se shitja e distribucionit të KEK-ut nuk është bërë as për 26, milionë euro.

“Po e përmendi vetëm edhe një fakt tjetër, sepse ky është vetëm një prej shumë gjërave të tjera. Investimet në vitet e fundit në distribucion, kanë qenë me qindra miliona. Në tre muajt e fundit, vetëm për ndërrimin e orëve digjitale KEK-u ka investuar mbi 15 milionë euro. Pra. u dhanë 17, 9 për mosngritjen e çmimit, u investuan 15 milionë, vetëm këto të dyja na japin një shumë për 32, 9 milionë euro, e u shit për 26,3”. Pra, po del që pos që nuk na kanë paguar asnjë gjë, ne ju paskemi dhënë para këtyre dy kompanive që ta marrin nga pronësia publike pra blerësi po del se shitësit i paska borxh”, tha Ahmeti.

Në kohën kur është nënshkruar kontrata, kompania fituese ka premtuar se për 15 vjetët e ardhshëm do të bëjë investime prej 300 milionë eurosh për distribuimin e energjisë elektrike.

Po ashtu, kompania është zotuar se privatizimi siguron furnizim stabil, kosto të përballueshme për qytetarët dhe në të njëjtën kohë do të mbrojë të drejtat e punëtorëve.

Mirëpo, Ahmeti nga Vetëvendosje mendon se çmimi i energjisë elektrike do të rriste dhe se kompaninë fituese nuk do të mund ta kontrollojë Zyra e Regullatorit.

“Më një janar Zyra e Regullatorit nuk do të mund të ndikojë më në çmimin e operatorëve të licencuar. Pra, ‘Çalik & Limak’ pas një viti e gjysmë do ta ketë mundësinë ta rrisë çmimin si të dojë dhe këtu Zyra e Rregullatorit nuk do të mund të ndikojë. Nuk ka asnjë justifikim apo shpresë se blerësi nuk do ta kërkojë ngritjen e çmimit të energjisë”, theksoi Ahmeti.

Ai shtoi se punëtorët, të cilët kundërshtojnë privatizimin, po detyrohen të nënshkruajnë disa kontrata, në të kundërtën siç tha ai, ata do të largohen nga puna.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe të konsorciumit “Çalik &Limak” kanë theksuar se privatizimi i KEDS-it do të ndikojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe do të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu, Dardan Sejdiu nga Vetëvendosje, tha se jo vetëm me shitjen e distribucioni të KEK-ut, janë bërë shkelje.

Sipas tij edhe me privatizimin e PTK-se kanë ndodhur parregullsi të mëdha duke u nisur nga ajo se Qeveria nuk ka treguar se kush janë blerësit.

“Tash kemi edhe një problem për blerjen e PTK-së, nuk dihet se kush qëndron prapa AXOS-it, dhe përfundimisht edhe pretendimet se AXOS paska mbledhur ose menaxhuar shuma prej 250 milionë apo 700 milionë euro, tashmë vihet në pikëpyetje”, tha Sejdiu.

Sipas partive opozitare, privatizimi i Telekomit është në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ndërsa në Kosovë nuk ka fare ligj për privatizim, nuk ka as ligj për privatizimin e PTK-së.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pati thënë se privatizimi i 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës, është bërë në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës se Kosovës. Ai ka theksuar, po ashtu, se procesi ka përfunduar me transparencë të plotë.

Shtatëdhjetepesë për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës, i ka blerë kompania gjermane "AXOS- Capital”, në konsorcium me “ Najafi Companies LLC" dhe me partnerët e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG