Ndërlidhjet

Rezistencë ndaj Ligjit për duhanin


Ilustrim
Ilustrim
Edhe pse Ligji për kontrollin e duhanit, i cili ndalon 100 për qind tymosjen në hapësirat e mbyllura publike, tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe është nënshkruar nga presidentja Atifete Jahjaga, ai vazhdon të mos respektohet.

Duhani vazhdon të konsumohet në ambientet e mbyllura publike, e gjithashtu edhe të reklamohet dhe ekspozohet nga ana e shitësve, gjë e cila ndalohet me nenin 9, pika 2 e Ligjit për kontrollin e duhanit.

Shoqata e bizneseve të vogla, me përkrahjen e Odës Ekonomike të Kosovës, e kanë kundërshtuar pikërisht nenin 9, pika 2 e këtij ligji, duke e cilësuar si shkelje elementare kushtetuese për ekonominë e tregut.

Kompanitë që merren me shitjen me shumicë dhe pakicë të duhanit, si dhe shitësit nëpër dyqane, kanë reaguar, duke kërkuar që neni në fjalë i këtij ligji, të ndryshohet, meqë, thonë se i dëmton bizneset e tyre.

Hasim Vitija, kryetar i Shoqatës së bizneseve të vogla të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ligjin për kontrollin e duhanit, tashmë e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

"Ne e kemi bërë kërkesën në Gjykatë Kushtetuese. Po presim se çka do të thotë Gjykata Kushtetuese. Ne e kundërshtojmë nenin 9, pika 2 për ekspozimin e duhanit, sepse ne duhet ta ekspozojmë duhanin që të duket. Kushtetuesja na garanton liri të biznesit sipas nenit 110, faqja 10. Kjo ndikon shumë në biznes. Shumë kioska e kanë paraqitur mbylljen e tyre, sepse nuk mund ta mbajnë", ka thënë Vitija.

Por, jo vetëm Shoqata e bizneseve të vogla e kundërshton këtë pikë të nenit. Edhe zyrtarë nga Oda Ekonomike e Kosovës, konsiderojnë se neni 9, pika 2, shkel një parim elementar kushtetues që është ekonomia e tregut dhe e bën të pamundshëm funksionimin normal të tregut.

Berat Rukiqi
Berat Rukiqi
"Konsiderojmë që neni 9, pika 2, e shkel një parim elementar kushtetues që është ekonomia e tregut dhe e bën të pamundshëm funksionimin normal të tregut, për një pjesë, në këtë rast për konsumatorin. Në këtë drejtim, kemi qenë koherentë në kundërshtim pikërisht të këtij neni".

"Ne mendojmë se kufizimi i të drejtës së konsumatorit për ta parë produktin dhe pastaj për ta zgjedhur produktin, është një shkelje që i bëhet të drejtës së konsumatorit, por e dëmton edhe konkurrencën ndërmjet kompanive që merren me shitjen e këtyre produkteve. Ligji nuk mund të dedikohet vetëm për një shtresë, por për gjithë shoqërinë", ka thënë Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ndërkaq, Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, njëherësh anëtar i Grupit punues në Ligjin për kontrollin e duhanit, ka deklaruar se ligji në fjalë duhet respektohet, edhe pse çdo fillim ka vështirësitë e veta.

"Ligji është miratuar që të zbatohet dhe të mbrohet shëndeti publik. Çdo fillim ka vështirësitë fillestare, por Ministria e Shëndetësisë bashkë me ministritë e tjera dhe trupat e tjerë përgjegjës për zbatimin e këtij ligji, janë të vendosur që ta zbatojnë atë. Ka raste që ende vazhdojnë ta konsumojnë duhanin në vendet publike, por me kohë do të ketë fillim të inspektimeve për ta zbatuar ligjin, si dhe ka shumë subjekte afariste që kanë filluar ta zbatojnë ligjin", ka theksuar Hoti.

Më 4 prill të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 71 vota për, 2 abstenime dhe asnjë votë kundër kishte miratuar Ligjin për kontrollin e duhanit, i cili ligj më pas
është nënshkruar edhe nga presidentja Atifete Jahjaga.

Ndërkaq, janë paraparë edhe gjobat në raste mosrespektimi. Gjoba për persona fizikë, të cilët tymosin duhan në vendet publike, është 50 euro, ndërsa për subjekte të ndryshme afariste, varësisht nga shkalla e shkeljes së ligjit, pasojnë edhe gjobat, të cilat fillojnë nga 500 deri në 20 mijë euro, kanë bërë të ditur zyrtarë kompetentë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG