Ndërlidhjet

Gazetarët në Kosovë, të kërcënuar


Ilustrim
Ilustrim

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes, Qeveria, sistemi i drejtësisë, autoritetet e rendit dhe disa biznese, kanë qenë në thumb të kritikave nga gazetarët kosovarë se po ndikojnë në lirinë mediave.

Në një debat të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuar (UNDP), u tha se gazetarët në vend vazhdojnë të përballen me sfida e probleme të mëdha derisa e ushtrojnë profesionin e tyre.

Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetareve Profesionistë, Liridona Lluka, tha se profesioni i gazetarisë në Kosovë është bërë i vështirë për t’u ushtruar nga kërcënimet. Por, sipas saj, pavarësisht problemeve gazetarët nuk do të ndalen për t’i informuar drejt qytetarët.

“Ne edhe sot, kur Kosova përballet me sfidat e tranzicionit dhe integrimit, jemi mësuar të ballafaqohemi me pengesa e sfida, që nuk janë të pakta, në përpjekje për të mos na lejuar të nxjerrim në pah parregullsitë”, tha Lluka.

Për vështirësitë, kërcënimet dhe problemet e gazetareve, foli gazetarja Arbana Xharra, nga gazeta e përditshme “Zëri”.

“Trysnitë ndaj gazetarëve janë në vazhdimësi e në rritje. Vetëm në ditët e fundit kemi kërcënime dhe skandale që kanë ndodhur me gazetarët e me punën e tyre në terren. E, këto kërcënime janë të formave të ndryshme. Fatkeqësisht prej atyre klasike, të përcjelljeve të gazetarëve, të kërcënimeve përmes telefonit dhe formave të tjera dhe presioneve që po bëhen përmes gjykatave dhe padive, që është edhe presion psikologjik, pra tentimi që të mbyllet goja”, u shpreh Xharra, duke kritikuar ekzekutivin e vendit për mosprani të ndonjë përfaqësuesi në debat.

Gazetari i Radio Televizionit të Kosovës, Gëzim Bimbashi, i cili ishte sulmuar në fund të muajit të kaluar brutalisht gjatë raportimit të një proteste të serbëve në sheshin “Shumadija” në pjesën veriore të Mitrovicës, tha se gazetarët në Kosovë, në shumë media nuk kanë përkrahjen e duhur nga organet kompetente.

Ai tha, po ashtu, se në shumë media, gazetarët nuk kanë as kontrata pune.
Ka shumë gazetarë që punojnë pa kontrata pune dhe kjo vazhdon të mbetet pika më dobët dhe më e vështirë për mediat qendrore që ende i shfrytëzojnë gazetarët si të ishin raste sociale

“Ka shumë gazetarë që punojnë pa kontrata pune dhe kjo vazhdon të mbetet pika më dobët dhe më e vështirë për mediat qendrore që ende i shfrytëzojnë gazetarët si të ishin raste sociale”, theksoi Bimbashi.

Një gjendje jo të mirë të lirisë së mediave në Kosovë, e ka raportuar organizata ndërkombëtare “Freedom House” në raportin e fundit të saj. Në raport është thënë se mediat në Kosovë vazhdojnë të jenë pjesërisht të lira.

Megjithatë, përfaqësuesi i UNDP-së, Mytaher Hasakuka, tha se me gjithë problemet ekzistuese, në profesionin e gazetarisë në vend ka përparim.

“Problemet në Kosovë janë evidente, por unë besoj se ka një përparim. Vetë fakti që në vitit 2012, gazetarët u bashkuan në kundërshtimin e neneve 37 dhe 38 të ligjit të Kodit Penal, tregon që ka filluar organizimi i gazetarëve në Kosovë”, tha Haskuka.

Ai, po ashtu theksoi se mediat e lira kontribuojnë në rritjen e transparencës llogaridhënëse, qeverisjes së mirë, zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Prokurorisë së Shtetit, thanë se prokuroritë e vendit janë të gatshme të bashkëpunojnë nga afër me gazetarët.

“Mund t’ju shprehim gatishmërinë tonë se në punën tonë do të kemi prioritet kërcënimet e gazetarëve, e këto në kohët e fundit nuk janë të pakta, për të cilat me kohë do të informohet opinioni për procedurat dhe që rastet të procedohen sa më shpejt”, u shpreh Haxhi Dërguti, prokuror.

Ndryshe, me rastin e 3 Majit Ditës Botërore të Shtypit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se “të drejtat themelore të njeriut, që përfshijnë edhe lirinë e shprehjes, janë të mishëruara dhe të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe ato duhet të gjejnë zbatim të plotë në shoqërinë tonë”.

Në një komunikatë për media nga Presidenca thuhet se “megjithatë, është shqetësues fakti se mediat në Kosovë, vlerësohen të jenë pjesërisht të lira, gazetarët vlerësojnë të jenë të kërcënuar dhe nën presion. Është e papranueshme që në Kosovën që po e ndërtojmë të pengohet puna e mediave dhe të pamundësohet liria e tyre. Presioni, shantazhi dhe kërcënimet ndaj tyre janë të papranueshme dhe të patolerueshme. Shteti i Kosovës është shtet ligjor ku rendi dhe sundimi i ligjit janë parimet bazë të ndërtimit të tij”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Presidencës.

Në Ditën Botërore të Shtypit, thuhet në fund të komunikatës, “inkurajojmë mediat dhe gazetarët që të vazhdojnë punën e tyre, duke forcuar etikën dhe profesionalizmin e tyre”.
XS
SM
MD
LG