Ndërlidhjet

Kosovë: Liria e medias fuqizon sistemin demokratik


Gazetat kosovare
Gazetat kosovare
Në Kosovë, gazetat e përditshme duken pak më ndryshe sot seç duken ditët tjera. Në ballinat e tyre ato kanë vendosur një shenjë, në të cilën thuhet “Stop Playing” (Mos Luani).

Përveç kësaj shenje, faqet e tyre përmbajnë edhe hapësira të zbrazëta, ku është dashur të shtypeshin shkrimet për aktivitetet e institucioneve.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, të gjitha mediat në Kosovë, të shtypura dhe elektronike, kanë marrë një vendim për të bojkotuar institucionet qendrore: Kuvendin, Qeverinë, Presidencën dhe partitë politike.

Arsye për këto reagime të mediave kosovare janë ndryshimet në Kodin Penal, të miratuar në Kuvendin e Kosovës më 20 prill 2012, të cilat përmbajnë artikujt që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet e tyre të informacionit në rast të hetimeve kriminale.

Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria kanë marrë kritika të shumta nga gazetaret kosovarë se po mbysin fjalën e lirë.

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, organizatat që përfaqësojnë gazetarët kanë organizuar aktivitete të ndryshme për lirinë e mediave.

Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv në Asociacionin e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, tha se politika është ajo që në një farë mase po e cenon lirinë e shprehjes.

“Normalisht që politika, institucionet kanë shumë ndikim të madh në media – ose përpiqen të kenë ndikim. Mbase është legjitime se çdo qeveri, jo vetëm në Kosovë, por në botë, përpiqet që të ketë nën kontroll mediat për t’i realizuar qëllimet e veta. Mirëpo, në mënyrën dhe në formën se si realizohet këtu në Kosovë, kjo është e papranueshme”.

Natyrisht që kjo nuk është një punë e cila bëhet ose kryhet vetëm njëanshëm, por në anën tjetër, janë edhe gazetarët të cilët duhet të gjejnë kompromisin; a dëshirojnë të qëndrojnë dhe t’i bëjnë ballë presioneve që ta kryejnë punën në mënyrë profesionale, apo dëshirojnë të jenë të përfshirë me institucionet, partitë politike apo grupet tjera të interesit”, theksoi Mushkolaj.

Gazetarët kanë protestuar ditë më parë kundër miratimit të neneve 37 dhe 38 në Kodin Penal nga Kuvendi i Kosovës, duke vlerësuar se ato rrezikojnë seriozisht punën e tyre në të ardhmen.

Lidhur me këtë çështje, kryeredaktorja e gazetës “Kosova Sot”, Margarita Kadriu, ka deklaruar se nenet e diskutueshme duhet të hiqen patjetër.

Ajo vlerësoi se nëse këto nene do të lihen në Kodin Penal të Kosovës, do të dëmtohet demokracia.

Shtypi dhe media e lirë, veç tjerave, i shërben gjithmonë forcimit të sistemit politik. Nëse media zhvillohet me liri të plotë, forcon sistemin demokratik".

"Nëse zhvillohet në një censurë nën kanosjen e rastit konkret të neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal, të cilat qëndrojnë kushtimisht thënë si “shpatë” mbi kokën e shtypit dhe medias së lirë, atëherë nuk bëhet gjë tjetër, veçse krijojmë mundësinë të bëjmë një sistem të cilin nuk e duam asnjeri, dhe i cili po përmendet shumë shpesh si diktatorial
”, u shpreh zonja Kadriu.

Kurse, kryeredaktori i gazetës së përditshme “Koha Ditore”, Agron Bajrami, tha se bojkoti, i cili është duke iu bërë institucioneve të Kosovës nga mediat, është një paralajmërim për atë se çka ata (institucionet) kanë bërë me Kodin e ri Penal.

Ai tha po ashtu se esenca e problemit në këtë drejtim është se “ka njerëz në Kosovë që mendojnë se mund të ekzistojë një liri e tepruar e shtypit, andaj edhe duan të kufizojnë”.

Fatkeqësisht njerëzit që mendojnë kështu, jo vetëm që janë në krye të institucioneve të shtetit dhe në maje të partive politike, por ka edhe të tillë që janë në mesin e atyre që vetë kanë punuar si gazetarë".

"Ka të atillë që tash janë profesorë në fakultete të gazetarisë, ose janë deputetë - përfaqësues të popullit. Ajo që unë dua të them është se nuk ekziston liri e tepruar, ekziston vetëm liria, ose nuk ekziston fare
”, tha Bajrami në një debat me temën "Respektimi i kodit të etikës në Kosovë”, i organizuar nga Këshilli i Mediave të Kosovës.

Përveç ndikimeve politike në media, edhe marketingu, tash e disa vjet shihet si mënyrë moderne e kontrollimit të mediave.

Ndryshe, profesori në Universitetn e Prishtinës, Milazim Krasniqi, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ka kritikuar mediat dhe gazetarët, duke thenë se edhe në mesin e tyre, ka të atillë që janë të korruptuar.

Edhe gazetarët janë pjesë e këtij morali të përgjithshëm shoqëror, në të cilin ka edhe korrupsion, shantazh, zhvatje, dhe nuk janë të pakta, për fat të keq, rastet edhe kur gazetarët jo që nuk janë pasqyra e etikës së lartë profesionale, por janë agresivë”, vlerësoi Krasniqi.

Alban Zeneli, nga Unioni i Gazetarëve të Kosovës, që ka organizuar një tryezë me temën: “Sfidat e tanishme të gazetarisë në Kosovë”, tha se liria e shprehjes vazhdon të mos jetë në nivelin e duhur.

Kolegët tanë gazetarë, për çdo ditë përballen me kërcënime e shantazhe nga grupe të ndryshme të interesit, qoftë të politikës apo të bizneseve të ndryshme. Kjo gjë është e papranueshme për Unionin e Gazetarëve të Kosovës, dhe cenon rëndë procesin e demokratizimit e shoqërisë sonë”, tha Zeneli.

Raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare Freedom House e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG