Ndërlidhjet

Maqedoni: Punësime të reja në administratë


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Për të ndihmuar shtresën më të ndjeshme sociale, Qeveria e Maqedonisë ka marrë vendim që të realizojë 1600 punësime të reja në administratën publike.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha, ka sqaruar se grupet e ndjeshme janë të ndara në katër kategori dhe prej secilit prej tyre, do të punësohen nga 400 persona.

“Qëllimi i kësaj është të ndihmohen personat apo ato familje, të cilat nuk kanë asnjë të punësuar", deklaron Hoxha.

Ai thekson se në kuadër të këtij numri, prej 1600 administratorëve, do të respektohet parimi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore, konform Marrëveshjes së Ohrit.

“Marrëveshja e Ohrit do të përcaktojë edhe përkatësinë etnike të personave, të cilët do të mund të aplikojnë dhe do të mund të punësohen në bazë të këtyre masave që i kemi prezantuar dhe në konkursin që do të hapet në fund të këtij muaj apo në fillim të majit”, potencon Hoxha.

Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha sqaron se për të qenë sa më efikas këta administratorë në punën e tyre, Agjencia për zhvillim, do të organizojë edhe trajnime shtesë varësisht vendit të punës ku do të angazhohen.

Ndërkohë, paratë për pagat nuk janë parashikuar në Buxhetin e vitit 2013, por ky ngarkim i ri do të mund të përballohet nga arka shtetërore.

Ish- zëvendësministri i Ekonomisë, Zoran Vitanov, konsideron se përmes këtij projekti, thjesht synohet të shpërblehet ajo pjesë e elektoratit, e cila u siguroi fitore të thellë partive në pushtet në zgjedhjet lokale.

"Dua të theksoj një të dhënë. Maqedonia, aktualisht, krahasuar me vitin 1998, disponon me kapacitet më të vogël industrial edhe atë për 3.5 herë, ndërkohë që numri i të punësuarve në administratë, është katër herë më i madh krahasuar me 15 vjet më parë. Kjo dëshmon qartë politikat shtetërore sa i përket menaxhimit me resurset njerëzore, kryekëput janë të dështuara”, vlerëson Vitanov.

Sipas tij, pasojat do të jenë edhe më të parashikueshme në konotacion negativ në momentin kur e ashtuquajtura “vrimë e errët” në fondin pensional nuk do të mund të mbulohet nga huat që merr shteti përmes linjave kreditore, duke porositur se duhet ndërprerë praktika që shteti të jetë punëdhënësi kryesor.

Por, me këtë nuk pajtohet eksperti për çështje ekonomike, Mirolub Shukarov, sipas të cilit përmes punësimit të personave që i takojnë kategorisë më të ndjeshme sociale, zbarkohet arka shtetërore, ngase kjo kategori siç thekson ai, edhe ashtu ka shfrytëzuar benificione të ndryshme nga shteti, përmes shfrytëzimit të ndihmave sociale, sigurimit shëndetësor, pa dhënë asnjë kontribut.

“Kjo teori është e njohur që do të thotë zhvillim i shtresës së varfër, një injektim financiar i kësaj kategorie, që nuk do të blejë, kushtimisht thënë, makina luksoze, por paratë i shpenzon për nevoja ekzistenciale, ushqim dhe shpenzime për amvisëri, gjë që inicion të ashtuquajturën 'valë multiplikative' dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla. Kjo teori është e njohur dhe aplikuar në praktikë në më shumë vende”, sqaron Shukarov.

Ndryshe, Maqedonia si shtet, me vite është e ekspozuar ndaj kritikave të ashpra në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, se administrata shtetërore është e stërngarkuar, joprofesionale dhe nuk arrin t`u shërbejë qytetarëve me efikasitetin që parashihet sipas standardeve të BE-së.

Ndryshe, në administratën shtetërore janë të përfshirë 118 administratorë, që do të thotë se çdo i katërti i punësuar në Maqedoni, është pjesë e administratës shtetërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG