Ndërlidhjet

(Mos)marrëveshja do të ndikojë në situatën e sigurisë në veri


Veri...
Veri...

Në rast se Kosova dhe Serbia nuk do të pajtoheshin për të arritur marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe, atëherë situata e sigurisë ne veriun e Kosovës do të komplikohet edhe më shumë se që është, vlerësojnë njohësit e rrethanave të sigurisë në vend.

Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata e sigurisë në rast të mosarritjes së marrëveshjes do të komplikohej për shkak se të gjitha segmentet dhe grupet radikale, të cilat veprojnë në veri, do ta inkurajoheshin edhe më shumë për të mbajtur situatën e tensionuar dhe ta forcojnë kontrollin në atë pjesë të vendit.

Unë pres që praktikisht do të shtohen presionet e këtyre grupeve radikale mbi ata pak shqiptarë që kanë mbetur matanë lumit Ibër. Pastaj, do të ketë pengesa të mëdha për vazhdimin e rindërtimit të shtëpive që Qeveria e Kosovës dhe donatorët e ndryshëm, japin donacione për ndërtimin e atyre shtëpive dhe rikthimin e shqiptarëve që kanë jetuar dhe që dëshirojnë të jetojnë në atë pjesë. Do të komplikohet situata dhe praktikisht do të ketë nevojë për angazhim shtesë të EULEX-it dhe KFOR-it, për ta mbajtur situatën nën kontroll atje”, theksoi Maloku.

Florian Qehaja, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerësoi se strukturat jolegale në veri do t’i gëzoheshin mosarritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e Komunave Serbe, qoftë për shkak të fragmentimit politik që ekziston në veri, qoftë edhe për shkakun se një marrëveshje nuk do të ishte në favor të tyre.

Qehaja tha se nëse marrëveshja dështon, strukturat jolegale në veri do të ribarikadohen dhe ripozicionohen, ndërkohë që nuk pritet të ketë ndonjë reagim nga mekanizmat ndërkombëtarë dhe vendor të sigurisë.

“Konsideroj që KFOR-i, në këtë rast, nuk ka ndonjë plan që do të mund të reagonte - aq më pak edhe EULEX-i dhe Policia e Kosovës – për arsye se deri më tash sinjalet e vetme politike, të cilat janë pritur lidhur me reagim në teren, nuk janë zbatuar, sepse në njëfarë mënyre është pritur se çka po ndodhë në nivelin politik".

"Në fakt, në këtë rast, ‘plani B’ nuk do të ekzistonte për reagim. Do të thotë, me fjalë të tjera, do të kishte një ribarikadim të këtyre strukturave, do të kishte një farë lloji të fuqizimit të tyre, për arsye se do të aludonin atë që kjo pjesë (veriu) në asnjë mënyrë mos të futet në kontrollin e Prishtinës apo edhe forcave ndërkombëtare që ekzistojnë në Kosovë”, u shpreh ai.

Të dy këta njohës të rrethanave të sigurisë në vend, e shohin si të përjashtuar mundësinë e intervenimit të njësiteve të Policisë së Kosovës në veri, për shkak të, siç thonë ata, mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe teknike të organeve të rendit.

Në anën tjetër, ata, megjithatë, kanë mendime të ndryshe lidhur me atë se çfarë do të jetë situata e sigurisë në rast se arrihet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Maloku beson se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të arrihet dhe një gjë tillë, sipas tij, do të ishte shenjë dekurajuese për grupet radikale që janë në veri.

Më pas, sipas tij nevojitet presion i bashkësisë ndërkombëtare që Serbia të bëhet partnere aktive për normalizimin e gjendjes në veri dhe krijimit të mundësive për shtrirjen e autoritetit ligjor dhe të pushtetit të institucioneve të Kosovës.

“Strukturat janë të identifikuara se kush janë. E dinë edhe faktorët ndërkombëtarë, por edhe institucionet e sigurisë së Kosovës. Pra, nuk ka asgjë të panjohur në veri. Ato elemente që janë të ardhura nga Serbia, duhet të tërhiqen, ndërsa, qytetarët e Kosovës (serbë) ata duhet të gjejnë metoda dhe mënyra - por edhe Qeveria e Kosovës – për inkuadrimin e tyre në jetën normale institucionale dhe legale të Kosovës”, tha Maloku.

Por, Qehaja, ndonëse e sheh si mjaft pozitive arritjen eventuale të marrëveshjes, ai nuk mendon se kjo do t’i frenonte strukturat jolegale në veprimet që kërcënojnë sigurinë. Përkundrazi, siç thotë ai, arritja e marrëveshjes do t’i frustronte këto struktura.

“Mendoj që në rast të arritjes së marrëveshjes, edhe në këtë rast, fillimisht do të ketë reagime, qoftë me përdorim të forcës, qoftë reagime të ndryshme politike në veri nga strukturat paralele. Mirëpo, gradualisht, qoftë për shkak të presionit, qoftë për shkak të garancive politike që do t’i merrte EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës, këto struktura, gradualisht, do të fillojnë që të kenë një fuqi më të ulët".

"Por, kjo sipas mendimit tim, do të shkonte deri në tri-katër vjet deri në zhbërjen e këtyre strukturave. Do të thotë, nuk mund të jemi optimist se do të ketë diçka, ndonjë farë ndryshimi konkret sa i përket situatës së sigurisë, në një të ardhme të afërt, edhe në rast të arritjes së këtyre marrëveshjeve”.

Ndryshe, të dy këta njohës të rrethanave të sigurisë në vend, vlerësojnë se në qoftë se eventualisht arrihet një marrëveshje, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet pasur kujdes që të mos krekosen me rezultatin e arritur, sepse realizimi i marrëveshjes eventuale do të ketë nevojë për durim dhe maturi nga të dyja palët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG