Ndërlidhjet

Thaçi ende optimist për marrëveshjen me Beogradin


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të pranojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Mungesa e marrëveshjes mund të përkeqësojë edhe më tepër situatën dhe raportet midis dyja vendeve, ka thënë Thaçi, duke shprehur gatishmërinë e Prishtinës që të rikthehet në Bruksel për të përmbyllë me marrëveshje procesin e negociatave të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Thaçi i ka bërë këto komente në Prishtinë gjatë një konference ku ka folur për rolin e diplomacisë publike dhe bashkëpunimit ndër-kufitar.

“Unë dua të shpresoj që ditët e ardhshme do të jenë aktive, dinamike, pozitive që do të qojnë lidershipin edhe në Prishtinë edhe në Beograd drejt vendimmarrjes dhe marrëveshjes. As unë nuk jam entuziast, nuk e ndiej veten fitues, por të përgjegjshëm për vendimmarrje”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha se bisedimet tashmë janë në fazën finale të vendimmarrjes duke shtuar se mbetet optimist që edhe Beogradi do të reflektojë pozitivisht dhe pranojë marrëveshjen dhe normalizimin.

E kundërta e marrëveshjes, shtoi ai, do të ishte destabilizimi.

Jam optimist për normalizim dhe jo për destabilitet. Nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë, atëherë thënë të drejtën nuk pres një situatë më të mirë, por pres përkeqësim. Andaj është ftesë edhe e imja që të shkohet drejt marrëveshjes”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi dhe delegacioni qeveritar gëzon një mbështetje në Prishtinë për dialogun me Beogradin edhe nga dy parti opozitare, LDK dhe AAK.

Por, këtë mbështetje nuk e ka edhe nga subjekti tjetër i opozitës, Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i këtij subjekti politik, Glauk Konjufca tha se Serbia po funksionon me strategji duke u paraqitur si viktimë në këtë proces, përderisa delegacioni i Kosovës, sipas tij, po pranon tashmë një marrëveshje në dëm të interesave të vendit.

Marrëveshjet e deritashme të Qeverisë së Kosovës të arritura përmes Edita Tahirit, kanë qenë në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës të cilat kulmuan në degradimin e emërtimit politik të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nga Republika e Kosovës, në Kosovën me fusnotë. Thaçi e nisi dialogun në këtë pikë pra, jo nga zeroja e as nga Kushtetuta e Kosovës, por nga Kosova e fusnotës”.

Kryeministri pastaj e vazhdoi me koncesionet e reja, duke pranuar Asociacionin e komunave serbe, për ta degraduar tutje decentralizimin etnik në centralizim etnik, duke krijuar kështu formën e autonomisë përmes definimit të territorit”, është shprehur Konjufca.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi beson se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi do të ishte një mesazh se rajoni i Ballkanit po i përmbyllë konfliktet e këtyre 20 viteve të fundit.

Dialogu Prishtinë - Beograd po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe si synim ka normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Pas takimit të 2 prillit, ku palët nuk arritën marrëveshje, ndërmjetësuesi u ka lënë palëve të vendosin nëse mund të kthehen në fillim të javës tjetër në Bruksel për të arritur marrëveshjen apo jo.

Dallimet mes palëve janë të mëdha në lidhje me pozitën e komunitetit serb që jeton në Kosovë, sidomos atij në veri për të cilin Beogradi kërkon edhe një lloj autonomie, çka për Prishtinën mbetet kërkesë e papranueshme.
XS
SM
MD
LG