Ndërlidhjet

Protestuesit nuk mjaftohen me shkarkimet në KEK


Protesta në Prishtinë
Protesta në Prishtinë
Për fryrjen e faturave të energjisë elektrike për muajin janar të këtij viti, të mërkurën është protestuar për të pestën herë.

Më shumë se dhjetë organizata joqeveritare, aktivistë të subjekteve politike opozitare, si dhe qytetarë të shumtë, kanë dalë para ndërtesës së Korporatës Energjetike të Kosovës për të protestuar.

Rron Gjinovci, një nga organizatorët e protestës, flet për Radion Evropa e Lirë për arsyet e protestës.

"Kërkesat tona janë mos të ç'kyçen qytetarët nga energjia elektrike derisa të kryhet hetimi i thellë prej gjithë akterëve politikë dhe institucionalë, sidomos prej organeve të drejtësisë, që deri tash ne nuk kemi parë asgjë serioze prej tyre", thotë Gjinovci.

Ndërkohë, në një komunikatë për media, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut e ka informuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik se me të gjeturat nga faturimi i energjisë elektrike për janar në marrëveshje me menaxhmentin e KEK-ut, ka vendosur që t’i suspendojë udhëheqësit e Distriktit të Prishtinës.

Me këtë vendim janë suspenduar menaxheri i faturimit në Divizionin e Furnizimit në nivel të KEK-ut, drejtori i distriktit të Prishtinës, menaxheri i furnizimit të Prishtinës dhe udhëheqësi i përkujdesjes në distriktin e Prishtinës.

Por organizatorët e protestës kanë një mendim ndryshe nga e gjithë kjo gjendje e krijuar brenda KEK-ut.

"Gjatë ditëve të kaluara kanë ndodhur zhvillime të tilla, si përjashtimi i punëtorëve dhe suspendim e vërejtje për qindra punëtorë tjerë. D.m.th diçka ka ndodh brenda KEK-ut por neve nuk po na tregojnë çka. Pse kanë dalë punëtorët nga puna dhe çka ka ndodhur? ", shprehet Gjinovci.

Ndërkaq, qytetarët kanë ankesa të shumta rreth çmimeve të fryra që kanë pranuar nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Një nga ta është edhe Tahir Tahiri, pensionist.

"Me atë pension duhet ta paguaj rrymën. Muajin dhjetor ka ardhur 40 euro, ndërkaq në janar 84 euro. Jam vetë i gjashti anëtar i familjes. Veç pensionin tim e kemi burim të të ardhurave".

Derisa Teuta Hoxha, pjesëtare e grupit organizator, thotë se protestat do të vazhdojnë në ditët në vijim, varësisht nga vullneti i qytetarëve.

"Protestat do të vazhdojnë varësisht vullnetit të qytetarëve. Siç po shihet sot, qytetarët janë të disponuar të protestojnë sepse iu është bërë e padrejtë. Organizatat joqeveritare, avokati i popullit dhe subjekteve politike, meqë gjitha në programin e tyre e kanë të përfshirë mirëqenien e qytetarit, kanë bërë thirrje. Rreth 10 OJQ i janë bashkangjitur protestës, gjithashtu edhe aktivistë të subjekteve të ndryshme opozitare të partive politike", shprehet Hoxha.

Sidoqoftë, reagime për këtë çështje ka pasur nga partitë politike – kryesisht ato opozitare, duke shfaqur shqetësimin e tyre lidhur me ngritjen e faturave të energjisë elektrike për muajin janar dhe kanë thënë se faturat e muajit të fundit, janë dy deri në tre herë më të mëdha se në muajit paraprak.

Sipas tyre, një familje kosovare e cila ka rreth 300 euro të hyra mujore, nuk mund të përballojë një shumë të aq të lartë të detyrimeve për energji elektrike.
XS
SM
MD
LG