Ndërlidhjet

KEK-u dhe ankesat e qytetarëve


Pamje nga protestat para KEK-ut
Pamje nga protestat para KEK-ut
Me gjithë protestat e qytetarëve për fatura të fryra dhe çmime enorme të energjisë elektrike, të cilat kanë vazhduar edhe të premten, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës vazhdojnë të deklarojnë se nuk është bërë ndonjë gabim kolektiv, por qytetarët aq sa kanë shpenzuar rrymë, aq edhe do të paguajnë.

Mund të ketë ndonjë gabim individual, por jo kolektiv. Dihet që leximi bëhet me sy dhe në leximin e 450 mijë konsumatorëve mund të bëhet ndonjë gabim eventual, por jo grupor”, thotë zëdhënësi i KEK ut, Viktor Buzhala.

Sipas tij, në rast të gabimit të leximit të orës te ndonjë qytetar eventual, do të shqyrtohet ai rast, përmes grupit që tashmë KEK-u ka formuar enkas për këtë çështje.

“KEK-u e ka krijuar grupin e veçantë për t’i adresuar të gjitha ankesat eventuale që mund t’i ketë një grup apo individ. KEK-u ka shqyrtuar të gjitha ankesat që i ka pranuar deri sot. Nëse ka ndonjë gabim, do të shqyrtohet”, sqaron Buzhala.

Edhe të premten është protestuar para ndërtesës së KEK-ut për të njëjtën arsye - shtrenjtimin e rrymës dhe faturat e fryra. Protestuesit japin mendimet e tyre rreth asaj se si u janë llogaritur faturat.

“Është rast i nxënies në flagrancë të një institucioni publik, duke i vjedhur qytetarët, duke u inkasuar shuma marramendëse qytetarëve që jetojnë në një shkallë të lartë të fukarallëkut. Një faturë prej 200 eurosh për një amvisëri nuk është normale as në Londër, e as në Paris, e lëre më në Kosovë, me një papunësi kaq të madhe. Protesta është bërë në atë drejtim, për tërësinë e hajnisë që bëhet në Kosovë dhe heshtet derisa kalon para syve tanë”, shprehet Yll Hoxha.

Edhe një tjetër qytetar, Kujtim Pllana, në mikrofonin e Radios Evropa e Lirë, thotë:

“Më është dyfishuar fatura. Mendoj që më është bërë e padrejtë. Unë jetoj vetë dhe gjithë ditën nuk jam në shtëpi, derisa fatura e rrymës më ka ardhur 40 euro”.

Ndërkaq, në pyetjen tonë për zyrtarë të KEK-ut, se a po shqetësohen për faktin se tashmë qytetarët për të dytën ditë me radhë po protestojnë, Buzhala ka një përgjigje:

“Asnjë kompani nuk ka dëshirë që të protestohet kundër saj. Por, ne ju sigurojmë se nuk ka fatura të fryra, e vetmja gjë qëndron që leximi është bërë në bazë të harxhimit të rrymës dhe duhet të paguajnë”.

“Në orët e vjetra ka pasur mundësi të manipulimit dhe konsumatorët kanë manipuluar tariforin, derisa orët digjitale e kanë tariforin e integruar, por që është 9 orë vetëm në tarifën e lirë dhe 16 orë me tarifën e shtrenjtë”.

Korporata Elektro- energjetike e Kosovës deri tani ka instaluar rreth 57 mijë njehsorë të rinj elektronikë në gjithë Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG