Ndërlidhjet

300 euro rrogë, 300 euro rrymë


KEK
KEK
Ankesat e qytetarëve lidhur me faturat e rrymës janë të shumta. Sipas tyre, faturat e muajit janar u kanë ardhur trefish më të shtrenjta sesa muajt paraprak.

Andaj, si shenjë pakënaqësie, për siç thonë ata, shtrenjtimin e rrymës, të enjten është organizuar një protestë para ndërtesës së KEK-ut.

Bardhyl Meta, qytetar, njëherësh zyrtar në Odën Ekonomike Gjermane, tregon arsyen e daljes së tij në këtë protestë.

"Po protestoj për shkak të faturave të rrymës. Unë jetoj në shtëpi dy katëshe. Në katin e parë jetojnë prindërit të cilët janë pleq, dhe nxehen me dru, u ka ardhur fatura e rrymës 180 euro. Derisa te unë, në katin e dytë, ka ardhur 340 euro".

Edhe Arta Kastrati, qytetare pjesëmarrëse në protestë, thotë se fatura e rrymës për muajin janar i ka ardhur shumëfish më e shtrenjtë se kurdoherë më parë.

"Unë jam vetë e treta anëtare e familjes, unë burri dhe djali. Jetoj në banesë 80 metra katrorë, dhe deri në orën 6 pasdite nuk jemi në shtëpi për shkak të obligimeve. Fatura e rrymës më ka ardhur 120 euro, derisa muajt paraprak, por edhe vitet paraprake, kam paguar gjithmonë rreth 50 euro, meqë nuk shpenzoj shumë. Verës më së shumti paguaj 20 euro, dhe po me duket e paarsyeshme fatura e fundit".

Ndërkaq, organizatori i protestës, Milot Hasimja, ka deklaruar se protesta është organizuar përmes rrjeteve sociale, dhe arsyeja e protestës janë faturat e larta që qytetarët kanë marrë për muajin janar.

"Sot është mbajtur protesta që është organizuar përmes rrjetit Facebook. Përfaqësuesit e KEK-ut nuk kanë dashur të dalin para qytetarëve që kanë protestuar. Protesta do të vazhdojë edhe nesër dhe pasnesër deri sat ë plotësohen kërkesat tona. Të rishikohen të gjitha faturat që qytetarët kanë i pranuar të fryra".

Zëdhënësi i KEK-ut Viktor Buzhala, thotë se nuk sheh asgjë shqetësuese lidhur me faturat, dhe se sipas tij, edhe muajt paraprak mënyra e faturimit ka qenë e njëjtë.

"Sa i përket faturave, ka qenë më e lartë në muajin janar, bëhet fjalë për dy ditë dallim në muajin janar, sepse periudha e faturimit ka qenë për 33 ditë. Ju siguroj se gjendja ka qenë e njëjtë si në vitin e kaluar. Nuk ka asgjë shqetësuese në këtë drejtim", shprehet Buzhala.

Opozita kritike ndaj rritjes së faturave të energjisë elektrike

Partitë opozitare në Kosovë, kanë kritikuar vendimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për indiferencë lidhur me këtë hap të ndërmarr nga KEK-u.

Në një konferencë për media, zyrtar të LDK-së kanë shfaqur shqetësimin e tyre lidhur me ngritjen e faturave të energjisë elektrike për muajin janar.

Ata kanë konstatuar se, faturat e rrymës e muajit janar, janë dy deri në tre herë më të mëdha se në muajit paraprak.

Sipas tyre, një familje kosovare e cila ka rreth 300 euro të hyra në muaj, nuk mund të përballojnë një shumë aq të lartë të detyrimeve për energji elektrike.

Ata, gjithashtu kanë kritikuar KEK-un për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të mjeteve

Edhe zyrtar të VV-së kanë qenë mjaftë kritik lidhur me këtë veprim të KEK-ut.

Visar Ymeri, me anë të një letre publike, ka thënë se deputetët të kësaj partie, disa herë e kanë ngritur zërin rreth veprimeve të fundit në sektorin e energjisë, posaçërisht duke kundërshtuar privatizimin e distribucionit.

Ata kanë paralajmëruar se në ditët në vijim do të ndërmarrin disa iniciativa për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve të brengosur nga trendet e fundit në lidhje me çmimet dhe faturat.
XS
SM
MD
LG