Ndërlidhjet

Bisedime për riformatim të Qeverisë


Koalicioni PDK - AKR
Koalicioni PDK - AKR
Partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, kanë nisur bisedimet për një riformatim të ri të qeverisë aktuale.

Zyrtarë të partisë Aleanca Kosova e Re, thanë për Radion Evropa e Lirë së brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të dihen të gjitha detajet dhe emrat e ministrave, të cilët do të udhëheqin me institucionet.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, nga radhët e AKR-së, tha se në diskutime e deritashme me kryeministrin Hashim Thaçi, janë pajtuar se qeverisja aktuale ka nevojë për ndryshime.

“Pajtimi që është arritur, është se duhet vazhduar me bisedime dhe me procesin e reformave të mirëfillta ekonomike. Të dyja palët janë pajtuar se ka nevojë për rishikim të përgjithshëm të funksionalitetit të qeverisë, pa përjashtime".

Mimoza Kusari - Lila
Mimoza Kusari - Lila
"Prandaj, në atë proces jemi dhe besoj në një periudhë të shkurtër kohore do të përmbylletdhe kryeministri do të jetë në gjendje të prezantojë rezultatet e vlerësimit të punës së Qeverisë në raport, gjithashtu, edhe me pozicionet, të cilat ose janë vakante, ose ka mundësi të plotësohen apo ndryshohen”, tha Kusari- Lila.

Kusari pa dashur të përmendë se cilat ministri synon t’i udhëheqë me ndryshimet e reja, tha se synim i AKR-së është zbatimi sa më i madh i reformave ekonomike.

“Ky ka qenë edhe synimi ynë edhe në procesin elektoral, gjegjësisht edhe pas zgjedhjeve, që të punohet në dy rrafshe. E para, ka qenë në rrafshin e ngritjes së njohjes së Kosovës, dhe, e dyta, në ngritjen e numrit të investimeve dhe përmirësimin e ambientimi të të bërit biznes".

"Them se pjesë shumë të rëndësishme të programit tonë janë zbatuar dhe kanë arritur efekt, por efekti i mirëfilltë duhet ende të vijë në raport me funksionalizimin e resorëve të caktuar në Kosovës, ngritjen e punësimit dhe uljen e varfërisë”, deklaroi Kusari-Lila për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, thonë se nga bisedimet e deritashme, të dyja palët janë dakorduar që të vazhdojnë me koalicionin qeverisës, duke shqyrtuar mundësitë e forcimit dhe konsolidimit të qeverisjes së mirë në vend.

Basri Musmurati, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se sa i takon çështjes së bisedimeve me partnerin e koalicionit, ende nuk ka diçka konkrete, por ditëve të ardhshme do të kuptohen ndryshimet. Ai sqaroi se për emra dhe për ndarjen e ministrive, ende nuk është caktuar asgjë.

PDK
PDK
“Këtu nuk ka diçka konkrete shumë, sepse vetëm janë shtruar çështjet, të cilat do të duhej parë si do të ishte më mirë. Sigurisht, pas kthimit të kryeministrit nga bisedimet në Bruksel, do të shihet çka do të ndodhë dhe çka duhet bërë në këtë drejtim”, u shpreh Musmurati për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës ka nëntëmbëdhjetë ministri, një nga to - ajo e Financave, është pa ministër, pasi që ministri Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje nga posti.

Siç, thuhet Aleanca Kosova e Re po e shfrytëzon këtë mundësi për të kërkuar edhe një ministri nga kryeministri Thaçi, por edhe mundësinë tjetër, pasi që ministri aktual i Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, është larguar nga koalicioni Aleanca Kosova e Re, dhe i është bashkuar PDK-së, së Hashim Thaçit.

Po ashtu, merret vesh se AKR-ja pretendon të marrë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, të cilën aktualisht e udhëheq ministri Besim Beqaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG