Ndërlidhjet

Prishtina pret marrëveshje për zhbërjen e strukturave në veri


Veri
Veri
Autoritetet në Prishtinë presin që raundi i ardhshëm i bisedimeve me Beogradin, që zhvillohet nesër dhe pasnesër në Bruksel, të sjellë marrëveshje konkrete për shuarjen e strukturave të sigurisë që Serbia ka ngritur në veri të Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha para kabinetit qeveritar se pozicioni i palës kosovare në bisedime do të jetë i qartë dhe ka të bëjë me shtrirjen e autoritetit të shtetit të Kosovës në veri dhe shpërbërjen e strukturave ilegale të Serbisë atje.

Këto janë parakushtet për integrimin e serbëve të veriut të institucionet e Kosovës dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, theksoi Thaçi.

Duke elaboruar tutje qëndrimet e palës kosovare në bisedimet me Serbinë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi është shprehur tejet i bindur që takimet e dy ditëve të ardhshme në Bruksel të rezultojnë edhe me marrëveshje konkrete.

Kosova do të shkoj e përgatitur me qëndrimet e saj, që do ta respektojmë Kushtetutën, Pakon e Ahtisaarit dhe unë jam i bindur që do të arrijmë marrëveshje".

"Ka sinjale të tilla që duhet të shpërbëhen strukturat paralele, por ka një vendosmëri jo vetëm tonën, por edhe të partnerëve tanë ndërkombëtar, të BE-së dhe SHBA-ve. Këto struktura janë ilegale jo vetëm me Kushtetutën tonë, por edhe me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Kuçi.

Gatishmërinë për të biseduar për strukturat paralele serbe në veri e ka shprehur në deklaratat e tij edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Por, për dallim nga krerët e institucioneve të Kosovës, Daçiq nuk ka përmendur fjalën shpërbërje të këtyre strukturave.

Ndërkohë që përfaqësuesit e serbëve në veri qëndrojnë tejet kategorik në pozicionin e tyre për të mos lejuar zhbërjen e strukturave paralele.

Njëri nga udhëheqësit lokal të serbëve të veriut, Radenko Nedelkoviq thotë se në veri, strukturat e vetme legale janë ato të Serbisë.

Në veri të Kosovës të vetmet institucione që ekzistojnë janë ato të Republikës së Serbisë dhe se ato nuk mund të zëvendësohen me institucione tjera”, ka thënë Nedelkoviq.

Përfaqësues të strukturave paralele serbe në veri kanë bërë me dije dhe njëherë se do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë anulimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit, derisa të mos flitet për çështjen e statusit të Kosovës.

Sidoqoftë, më 19 dhe 20 shkurt, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, do të qëndrojnë në Bruksel ku me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton pritet të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve.

Kësaj radhe, është paralajmëruar që tema qendrore të jetë çështja e strukturave paralele të sigurisë në veri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG