Ndërlidhjet

Serbët "betonojnë" rrugët në veri


Veri...
Veri...
Serbët e veriut të Kosovës, sërish kanë vënë pengesa në magjistralen Prishtinë - Rashkë, në fshatin Rudare të Zveçanit, për t'ua pamundësuar kalimin pjesëtarëve të doganave dhe të policisë kufitare të Kosovës.

Në Rudare ata kanë vendosur blloqe betoni, kështu që automjetet kalojnë përmes tyre, në formë zig-zage .

Po ashtu edhe rruga magjistrale Mitrovicë – Ribariç është bllokuar nga ana e serbëve lokal në Zubin Potok. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Sipas tij, qarkullimi i automjeteve në këto rrugë nuk është ndalur tërësisht, por është ngadalësuar.

Policia e Kosovës ka marrë informacion, disa orë më herët gjatë ditës së sotme, për vendosje të bllokadave ose pengesa të qëllimshme në rrugë, me qëllim të ndalimit të njësive të doganave të Kosovës dhe qarkullimi, ndoshta edhe të forcave tjera, të EULEX-it në drejtim të pikave kufitare 1 dhe 31. Përafërsisht, ngjashëm e kemi situatën edhe në magjistralen tjetër, në drejtim të Zubin Potokut, përkatësisht, në Zubin Potok”, tha Hoti.

Kryetari paralel i Zubin Potokut, Slavisa Ristiq i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se serbët nuk dëshirojnë t’i lejojnë që të kalojnë automjetet e policisë kufitare dhe doganave të Kosovë, të cilët përmes kësaj rruge, nga Prishtina, do të duhej të shkonin në vendkalimin kufitar të integruar në Jarinë.

Sipas tij, në këtë mënyrë, serbët e veriut po e respektojnë vendimet e mëhershme të të ashtuquajturave Kuvende të Komunave, si dhe po e shprehin në formë të qartë qëndrimin se nuk dëshirojnë që të vendoset dogana në vendkalimet kufitare Jarinë dhe Bërnjak.

Kjo është përpjekje për t’i kundërshtuar institucionet e Prishtinës, të cilat, fatkeqësisht, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare po përpiqen të vendosen në territorin tonë. Sido qoftë, rezistenca do të jetë jo e dhunshme, ashtu sikurse edhe deri më tash, do të thotë rezistencë gandiane”, ka thënë Ristiq.

Bllokimi i rrugëve që qojnë drejt vendkalimeve kufitare në veri të vendit, po ndodhë përkundër marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit, si dhe për doganat.

Por, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se bllokimi i rrugëve është formë e kundërshtimit të serbëve që të mos pranojnë kurrë farë kufiri dhe dogane ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo sipas tij është në përputhje me qëndrimet e përfaqësuesve të serbëve të komunave të veriut të vendit. Ai shpreson se veprimi i serbëve të veriut nuk i futë ata, siç thuhet, ndërmjet dy zjarreve, Prishtinës dhe Beogradit.

Unë shpresoj se ne nuk mund të jemi në një situatë të tillë dhe se shteti i Serbisë do t’i mbështesë kërkesat tona legjitime dhe përpjekjet tona. Fundja, askush nuk mund të na detyroj me dhunë të bëjmë diçka që është në kundërshtim me atë që vendosim. Praktikisht, populli është sovran dhe kjo qëndron edhe në Kushtetutën e Serbisë”, tha Ivanoviq.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë Hoti, tha se situata në veri nuk varet krejtësisht nga Policia e Kosovës, nëse ajo përshkallëzohet.

Duhet të ripërsërisim qëndrimin tonë, se nuk jemi në situatë, në të cilën duhet të përballemi vetëm si institucion, marrë parasysh ndihmën e pakontestueshme të komponentës policore të EULEX-it dhe KFOR-it, për tu përballur me situata, në rast se do të kemi përshkallëzim ose tensionim më tepër apo qëllime për bllokada të tërësishme. Gjithë se si që do të jemi së bashku me këto institucione ndërkombëtare të sigurisë”, u shpreh Hoti.

Ndryshe, Millan Ivanoviq, ka vlerësuar se bllokimi i rrugëve që qojnë në drejtim të vendkalimeve kufitare në veri, është formë demokratike e protestës, e cila do të vazhdojë ende.

Kjo, situatë, sipas tij, do të varet krejtësisht nga bisedimet dhe zgjidhjet e mundshme me kompromis.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG