Ndërlidhjet

Lufta e pafituar kundër korrupsionit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësuesit e institucioneve kosovare, edhe gjatë viti 2012 i kishin dhënë vetes “prioritet” ta luftojnë dukurinë e korrupsionit, por në terren duket se nuk ka mundur të realizohet si duhet përkushtimi deklarativ.

Gjatë viti që lamë pas, u formuan edhe këshille me qëllim luftimin e korrupsionit.

Megjithatë, raporti i fundit i organizatës ndërkombëtare Transparency International e ka renditur Kosovën në mesin e shteteve me shkallen me të lartë të korrupsionit.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka deklaruar se është e domosdoshme të vazhdojmë reformat sistemore dhe strukturore me qellim çrrënjosjen e korrupsionit.

Ne kemi përmirësuar legjislacionin dhe punën e administratës por, ka ende punë për t’u bërë. Vullneti politik ekziston po është përgjegjësi e të gjithëve që ketë vullnet ta kthejmë në rezultate konkrete”, ka deklaruar Jahjaga në takimin përmbyllës të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit për vitin 2012.

Edhe zyrtarët qeveritarë thonë se Kosova në ketë drejtim ka shënuar përparime të dukshme. Por, ata thonë se korrupsioni mbetet një sfidë, dhe kërcënuesi kryesor i çdo procesi prosperues i shtetit të Kosovës.

Në vazhdimësi, gjatë vitit që po lëmë pas, organizatat që merren me luftën kundër korrupsionit kanë kritikuar institucionet për mosefikasitet në luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në KDI, konsideron se për korrupsion vazhdohet të flitet shumë, por veprimet kanë qenë të mangëta.

Në vazhdimësi kemi pasur deklarata, si edhe vitet e kaluara, po në praktikë nuk është se është luftuar korrupsioni prej institucioneve përgjegjëse. Pra, nuk jemi të kënaqur deri më tani për punën që e kanë bërë institucionet”, tha zonja Mustafa.

Sipas Mustafës, për të zvogëluar shkallën e korrupsionit, lufta duhet të nisë nga udhëheqësit e institucioneve.

Sfida kryesore do të jetë se sa do të jetë e gatshme qeveria dhe institucionet tjera ta luftojnë korrupsionin, në radhë të parë prej institucioneve të tyre, do të thotë brenda për brenda tyre. Dhe pastaj të fillojnë edhe me aksione të tjera nëpër institucione ky dyshohet për korrupsion”, tha Mustafa.

Edhe Petrit Zogaj, nga Organizata Joqeveritare “FOL”, konsideron se mungesa e transparencës dhe llogaridhënës ka bërë që korrupsion në Kosovës edhe gjatë viti 2012 të jetë në nivele shumë të larta.

Zogaj tha për Radion Evropa e Lirë se nga monitorimet që u janë bërë mekanizmave që kanë për detyrë të luftojnë korrupsionin nuk është vërejtur ndonjë veprim i rëndësishme që dallon nga viti 2011 për të luftuar korrupsionin.

Viti 2012 nuk është vit me të cilin Qeveria e Kosovës, por edhe ne dhe qytetarët të organizuar, mund të mburren për një efikasitet në luftën anti- korrupsion, sepse nuk kemi parë. Nuk kemi parë as hapa të ndërmarrë nga qeveria, as vendime të ndërmarra nga gjykata, pra as aktpadi nga prokuroritë. Kemi parë procese të zvarritura gjatë gjithë këtij viti, por nuk kemi parë përfundim të këtyre proceseve”, tha Zogaj.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, ka miratuar Projekt-strategjinë dhe Planin e Veprimit Kundër Korrupsionit për vitin 2013-2017.

Qëllimi i Strategjisë, sipas zyrtarëve të Qeverisë, ndër të tjera është që të rritet llogaridhënia dhe transparenca e legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve, si dhe forcimi i kapaciteteve kundër-korrupsion i institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal.

Këtë strategji, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që kanë bashkëpunuar për hartimin e saj, konsiderojnë se nuk do t’i japë rezultatet e duhura. Veç tjerash, ata kanë thënë se strategjia më shumë është bërë sa për ta pasur, se sa për të luftuar vërtetë dukurinë e korrupsionit.


Me qëllim të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në Kosovë janë hartuar ligje të cilat kontribuojnë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit:

Kodi i ri Penal, Kodi i ri i Procedurës Penale, Ligji për mbrojtjen e Dëshmitarëve, Ligji për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale, Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, Ligji për mbrojtjen e informatorëve, Ligji për përgjegjësin penale të personave juridik dhe Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale.
XS
SM
MD
LG