Ndërlidhjet

(S’)Prodhohen pasaporta biometrike


Pasaporta biometrike
Pasaporta biometrike
Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme thanë se po vazhdon normalisht shtypja e pasaportave biometrike nga kompania OeSD –(Österreichische Staatsdruckerei) dhe se nuk ka pasur probleme në këtë drejtim.

Zyrtarët nga kjo ministri bënë të ditur se MPB-ja posedon sasi të mjaftueshme të pasaportave dhe procesi i pajisjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës me pasaporta biometrike, po vazhdon sipas kërkesave.

Behar Haziraj, zyrtar i lartë për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha për Radion Evropa e Lirë se prodhimi i pasaportave po vazhdon normalisht, si nga fillimi.

“Gjendja është shumë normale. Ne kemi sasi të mjaftueshme të pasaportave në depo, për asnjë rast prodhimi i pasaportave nuk është ndalur. Qytetarët e Kosovës kanë aplikuar si çdo herë dhe ata i kanë marrë pasaportat e tyre sipas udhëzimeve administrative në fuqi. Pasaportat prodhohen në Austri, ndërsa personalizimi i tyre bëhet në Departamentin për Prodhim të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha Haziraj.

Komenti i tij vjen në kohën kur vazhdon procesi gjyqësor në të ashtuquajturën “aferën e pasaportave”. Policia e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit kishte arrestuar, kohë më parë, pronaren e firmës “Consulting EU Sh.p.”, me dyshimin se në bashkëpunim me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka keqpërdorur mbi 1. 4 milion euro.

Por, kreu i zyrës për komunikim në OeSD, Dieter Riedlinger-Baumgartner, i tha Radios Evropa e Lirë se “për shkak të vazhdimit të hetimeve nga autoritetet ligjore (EULEX-i), kompania nuk mund të komentojë mbi procedurat e pezulluara”.

Më tre dhjetor OeSD pati njoftuar se ka suspenduar kontratën me autoritetet kosovare për prodhimin e pasaportave biometrike për Kosovën.

“Për shkak të vonesave të vazhdueshme të pagesave nga ana e Republikës së Kosovës për ofrimin e pasaportave, OeSD është detyruar që të pezullojë, tani për tani, shërbimet që ofron kontrata”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

Rrjedhimisht, vijon njoftimi, të ardhurat prej 700,000 eurosh për vitin fiskal 2012/2013 nuk do të mund të realizohen.

Dhënia e pasaportave biometrike në Kosovë ka nisur në tetor të vitit 2011.

Në ceremoninë e fillimit të prodhimit të pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, pati qëndruar në Vjenë.
XS
SM
MD
LG