Ndërlidhjet

Policia e Kosovës zbulon laboratorin që prodhonte dokumente të falsifikuara


Dokumentet e konfiskuara nga Policia e Kosovës
Dokumentet e konfiskuara nga Policia e Kosovës
Hetues nga Departamenti i Policisë Kufitare të Kosovës kanë realizuar një operacion policor në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë rajonale të Prishtinës, Mitrovicës dhe Pejës që ka rezultuar me arrestimin e nëntë të dyshuarve për kontrabandë më migrant dhe falsifikim të dokumenteve. Aksioni ka rezultuar me zbulimin e një punëtorie-laborator në Qagllavicë ku dyshohet se është bërë prodhimi i dokumenteve të falsifikuara.

I tërë operacioni policor për arrestimin e të dyshuarve dhe konfiskimin e pajisjeve që dyshohet se janë përdorur për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara duke përfshirë edhe masat e fshehta hetimore ka qenë i autorizuar nga Prokuroria dhe Gjykata e qarkut të Prishtinës dhe Prizrenit, thuhet në komunikatën e policisë.

Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpi dhe objekte përcjellëse me autorizimin e prokurorisë dhe Gjykatës së Qarkut të Prizrenit dhe Prishtinës, thuhet se janë zbuluar dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme të dokumenteve të falsifikuara si dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe falsifikimin e këtyre dokumenteve.

Hetuesit policorë nga departamenti i Kufirit kanë zbuluar në Qagllavicë një punëtori-laborator ku dyshohet se është bërë prodhimi i dokumenteve të falsifikuara.

Në këtë lokacion policia, vijon komunikata, konfiskoi në cilësi të provave materiale me mijëra dokumente të falsifikuara ku përfshihen pasaporta nga shtete të ndryshme evropiane (pasaporta sllovene, finlandeze, çeke, gjermane etj), vula të ndryshme, viza të falsifikuara, me qindra patentë shoferë(të zbrazët) të vendeve evropiane, pasaporta të Republikës së Kosovës, dokumente të tjera si fotografi, materiale për prodhimin e këtyre dokumenteve si dhe një numër të madh të pajisjeve të cilat dyshohet se janë përdorur për falsifikim të dokumenteve.

Në bazë të dyshimeve të bazuara të arrestuarit nga ky operacion kanë funksionuar si rrjet i organizuar duke falsifikuar leje qëndrime, patentë shoferë dhe pasaporta të Gjermanisë, Zvicrës, Spanjës, Francës, Bullgarisë, Italisë, Sllovenisë, Finlandës etj. Gjithashtu i njëjti grup dyshohet se kanë falsifikuar edhe vula të ndryshme të aeroporteve ndërkombëtare.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së një prej të dyshuarve policia ka konfiskuar edhe një armë të kalibrit 6.45 mm si dhe 400 gram substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.

Në total si të dyshuar për këtë rast policia ka arrestuar nëntë të dyshuar për kontrabandë me migrant, falsifikim të dokumenteve, blerje, shpërndarje, posedim dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, mbajtje në posedim e paautorizuar e armës, vjedhje, pranim i sendeve të vjedhura etj.

Shtatë të arrestuarve në konsultim me prokurorin kompetent u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore kurse dy të arrestuar të tjerë të mitur janë liruar në procedurë të rregullt.

Informatat që kishin grumbulluar hetuesit gjatë procedurës hetimore dhe kriminalistike në këtë rast ka rezultuar edhe me bashkëpunim rajonal e ndërkombëtarë policorë.(z.g.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG