Ndërlidhjet

Thaçi shpalos temat për takimin e radhës me Daçiqin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në takimin e radhës me homologun nga Serbia, Ivica Daçiq, që pritet të mbahet të martën në Bruksel nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Ky do të jetë takimi i tretë me radhë në këtë nivel ku pritet të diskutohen tema që kanë të bëjnë me normalizimin dhe fillimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fusha të ndryshme të përcaktuara në agjendën e baroneshës Ashton.

Kryeministri Thaçi, ndër tjera veçoi fillimin e zbatimit të marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit e njohur si IBM.

Ai tha se po punohet maksimalisht që të kryhen përgatitjet teknike nëpër pikat kufitare ku pritet të fillojë së zbatuari IBM-i që nga data 10 dhjetor.

Në bazë të marrëveshjes, në këto pika do të fshihen mbishkrimet dhe simbolet shtetërore që paragjykojnë statusin e Kosovës.

Ndërkaq sipas Qeverisë së Kosovës edhe pala tjetër do të veprojë njësoj. Por, pavarësisht çështjes së mbishkrimeve dhe simboleve, kryeministri Thaçi tha se nga data 10 dhjetor, Serbia do ta njeh kufirin me Kosovën.

Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshje shënon edhe një kthesë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Një kthesë e zbatimit të kritereve dhe standardeve evropiane. Kjo marrëveshje përcakton edhe kufirin në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, prandaj i falënderoj të gjithë akterët vendor e ndërkombëtar të kyçur në këtë proces”, ka thënë Thaçi.

Parashihet që fillimisht zbatimi të nis në pikat kufitare në Merdare, Konçul e Jarinjë.

Veriu kundër IBM-së

Përfaqësuesit politik të serbëve të veriut tashmë kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë hapjen e këtyre pikave, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.

Megjithatë, ky kundërshtim i serbëve të Kosovës duket se nuk do ta ndalë Beogradin në zbatimin e marrëveshjes. Shefi i ekipit teknik nga Serbia në dialogun me Kosovën, Dejan Paviçeviq ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë gatishmërinë e palës serbe për të nisur me zbatimin e IBM-it.

Planifikojmë që sot dhe nesër t’i përfundojmë të gjitha detajet teknike të nevojshme që të fillojmë me zbatimin nga data 10 dhjetor. Asgjë nuk ka kontestuese por kanë mbetur vetëm të qartësohen disa çështje", ka thënë Paviçeviq.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi tha në takimin e radhës me Daçiqin do të diskutohet edhe çështja e hapjes së zyrave ndërlidhëse si dhe ajo e ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Serbinë dhe pjesën tjetër të Evropës.

Do të diskutohet edhe për mundësinë e përmbylljes së procesit të hapjes së zyrave ndërlidhëse të shtetit të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë si hap i vullnetit të mirë i komunikimit të drejtpërdrejtë midis vendeve dhe popujve tanë. Do të shikojmë mundësinë e përshpejtimit të agjendës për fillimin e zbatimit të projektit infrastrukturor në mes të Kosovës dhe Serbisë, pra të autostradës Besi në drejtim të korridorit evropian në Serbi”, ka thënë Thaçi.

Në takimin e të martës në Bruksel, pala kosovare do të ketë në përbërje edhe një përfaqësues të opozitës, përkatësisht koordinatorin për bisedimet me Serbinë, Blerim Shala, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai është emëruar nga presidentja Atifete Jahjaga në këtë post. Shala ka konfirmuar se do të jetë në përbërjen e delegacionit nga Kosova në takimin e nesërm në Bruksel.

Do të jem pjesë përbërëse e delegacionit të Kosovës. Roli im është ai që është përcaktuar me mandatin e dhënë nga presidentja Jahjaga. Pra, unë do të jem koordinator politik midis institucioneve kryesore të vendit dhe do të provoj aq është e mundur që të ofroj cilësi, kualitet në punën e përbashkët që të përballemi si duhet në këtë sprovë e cila për synim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, si një kriter ndërkombëtar nëse dëshirojmë që të shkojmë së bashku si rajon në Bashkimin Evropian dhe në Paktin NATO”, ka theksuar Shala.

Po nën ndërmjetësimin e baroneshës Ashton, kryeministrat Thaçi e Daçiq kanë zhvilluar tashmë dy takime, nga të cilat ata janë marrë vesh në parim që të zbatohen marrëveshjet e arritura në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ata po ashtu janë pajtuar që të diskutojnë temat e parapara në agjendën e Bashkimit Evropian siç janë bashkëpunimi ndër kufitar, çështja e financimit të strukturave të Serbisë në veri të Kosovës e deri te energjetika, zbardhja e fatit të personave të pagjetur e tema tjera.

Bisedimet Kosovë - Serbi në nivel të kryeministrave sipas Bashkimit Evropian kanë si qëllim vendosjen e bashkëpunimit dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dyja vendeve si një prej parakushteve për ecje drejt integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG