Ndërlidhjet

Takimi i radhës Thaçi-Daçiq në fillim të dhjetorit?


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe kryeministri serb Ivica Daçiq.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe kryeministri serb Ivica Daçiq.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se takimi i ardhshëm me kryeministrin kosovar Hashim Thaçin do të mbahet në pjesën e parë të dhjetorit.

“Takimi duhet të mbahet para takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se kjo do të mund të jetë para ose pas 10 dhjetorit, po gjithsesi se në pjesën e parë të muajit të ardhshëm.

Serbia synon që në muajin dhjetor ta marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, prandaj analistët e shohin një takim të mundshëm ndërmjet Prishtinës e Beogradit, para takimit të Këshillit të BE-së, si thelbësor për marrjen e datës.

Megjithatë, Daçiq ka thënë se tetë shtete të BE-së janë që Serbia ta marrë datën në mars dhe jo tash.

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, u zhvillua më 7 nëntor në Bruksel.

Palët e cilësuan atë si takim konstruktiv, ndërsa u tha se në dhjetor do të mund të nisë së zbatuari marrëveshja për Integrimin e Menaxhuar të Kufirit (IBM).

Daçiq ka thënë për mediat serbe se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është i vështirë, por Beogradi është i obliguar t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria e kaluar.

Zyrtarisht, nuk janë dhënë detaje se si do të duket në praktikë zbatimi i IBM-së, ndërsa, mediat serbe, transmetojnë se së pari do të ketë dy pilot-projekte në Jarinë dhe në Merdare, ndërsa rolin ekzekutiv do ta ketë misioni i EULEX-it.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimit të së mërkurës ka bërë me dije se takimi i ardhshëm do të zhvillohet në dhjetor, por nuk ka saktësuar ndonjë datë.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG