Ndërlidhjet

S’ka zgjedhje pa marrëveshje politike për veriun


Veri...
Veri...
Zgjedhjet lokale në pjesën veriore të Kosovës nuk mund të rezultojnë të suksesshme përderisa mungon marrëveshja politike në mes të Prishtinës e Beogradit, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë e Serbi.

Ata thonë se zgjidhja për këtë çështje duhet të kërkohet në kuadër të bisedimeve aktuale në mes të dyja palëve, ndërsa theksojnë rëndësinë për largimin e strukturave paralele të shtetit serb atje.

Zgjedhjet lokale të Qeverisë së Kosovës, të cilat për shkak të bojkotit nga serbët kanë dështuar përgjatë viteve të kaluara në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë, pritet të organizohen në të gjithë vendin në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Shpend Kursani nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) thotë për Radion Evropa e Lirë se zbatimi i këtyre zgjedhjeve në veri të Kosovës do të varet nga ecuria e bisedimeve aktuale me palën serbe.

Në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje me Serbinë, e fatkeqësisht që me Serbinë tani do të flitet për veriun, duket se andej shkon. Edhe BE-ja më sa duket po e shtyn palën kosovare që të arrihet një marrëveshje me Serbinë që në vjeshtën e 2013-ës të mbahen zgjedhjet edhe atje”, shprehet ai duke shfaqur drojën që në kuadër të këtyre marrëveshjeve të figurojë autonomia për veriun, e cila sipas Kursanit, do të ishte e dëmshme për Kosovën.

Analistët në Beograd, ndërkaq, konsiderojnë se në rrethanat aktuale as që bëhet fjalë për organizimin e zgjedhjeve të Kosovës në veri të Mitrovicës.

Aleksandër Popov nga Qendra Rajonale në Beograd rikujton mungesën e vullnetit të serbëve lokalë për t’iu përgjigjur ftesës së Prishtinës zyrtare për pjesëmarrje në zgjedhje.

Duke përmendur edhe kundërshtimin e votuesve potencialë në veri për t’u drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet lokale të vitit 2004 të organizuara në veri nga administrata e Kombeve të Bashkuara, Popov thekson nevojën për përgatitjen e terrenit për një proces zgjedhor.

Nuk e di se si është disponimi në veri të Kosovës. Nuk e besoj se ato (zgjedhjet) janë të realizueshme, por krejt do të varet se si do të zhvillohet dialogu në mes të Prishtinës e Beogradit në Bruksel dhe se sa Beogradi do të mund të bind serbët në veri se duhet të dalin në zgjedhje".

"Të kujtojmë se si pat kërkuar presidenti Tadiq në vitin 2004 kur u bëri thirrje serbëve të dalin në zgjedhje, ndërsa dalja ishte diku tre për qind. Në atë kohë, ai pat marr shumë kritika dhe një minus shumë të madh në publik meqë terreni nuk ishte i përgatitur as në aspektin politik e as në atë psikik
”, thotë Popov për Radion Evropa e Lirë.

Zhbërja e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës, sipas Kursanit, mbetet parakusht për realizimin e çfarëdo procesi zgjedhor të autoriteteve kosovare në atë pjesë.

Me largimin e strukturave paralele të sigurisë do të largohej edhe presioni nga Beogradi dhe zgjidhje tjetër nuk do të ketë për serbët atje përveç se të participojnë në zgjedhje për t’i zgjedhur liderët e tyre legjitim dhe ta vazhdojnë jetën”, tha ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG