Ndërlidhjet

Kosova s’do struktura të paligjshme të sigurisë


"Mbrotja civile" gjatë ushtrimeve simuluese në Mitrovicë, javën e kaluar.
"Mbrotja civile" gjatë ushtrimeve simuluese në Mitrovicë, javën e kaluar.

Autoritetet kosovare i bënë thirrje Beogradit t’i zhbëjë strukturat paralele në pjesën veriore të Kosovës, duke i quajtur të papranueshme dhe të paligjshme struktura të tilla të sigurisë atje.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, i tha Radios Evropa e Lirë se struktura të tilla nuk i nevojiten vendit, meqë Kosova ka mekanizmat e saj legal të sigurisë.

“Pasi që Beogradi i dirigjon ato struktura, duhet të ballafaqohet me to dhe t’i tërheq sa më shpejtë nga Kosova. Në qoftë se i duhen Beogradit, le t’i marrë atje. Në Kosovë nuk kanë çfarë të kërkojnë ato; nuk ka vend për struktura të tilla dhe nuk do të ketë kurrë vend për to".

"Kosova i ka institucionet e veta legale e legjitime-e ka Policinë e Kosovës, i ka Forcat e Sigurisë dhe asnjë organizim tjetër, asnjë forcë tjetër nuk i nevojitet dhe është plotësisht ilegale dhe e papranueshme
”, tha Çeku.

Agim Çeku
Agim Çeku

Komenti i tij pason incidentet e fundit dhe shpërfaqjen e grupeve të caktuara të sigurisë në veri të Mitrovicës.

Kohë më parë, në atë pjesë të vendit ishin parë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndërsa gjatë fundjavës së kaluar pjesëtarët e organizatës serbe “Mbrojtja civile e Mitrovicës”, kishin mbajtur një ushtrim publik.

Situata në veri të Kosovës, gjatë javës që po lëmë pas, u përshkua nga një varg incidentesh -përfshirë disa shpërthime në pjesë të ndryshme të asaj zone.

Mekanizmat e sigurisë u vunë në gjendje gatishmërie për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimit të situatës, ndërsa shtuan numrin e patrullimeve atje.

Në misionin e NATO-s në Kosovë thanë se të vetmet struktura, të cilave u lejohet të bartin armë janë (përveç pjesëtarëve të KFOR-it), Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Nowitzki, shpjegoi:

“Ato janë: KFOR-i, EULEX-i, PK-ja dhe FSK-ja. Askush tjetër nuk është i autorizuar në mënyrë legale për të mbajtur armë”.

Ekzistimi i tensioneve ndër-etnike në popullatën e përzier në pjesën veriore të vendit u shpërfaq ditëve të fundit në lagjen “Kroi i Vitakut”.

Serbët lokalë kundërshtuan dhe bllokuan për një kohë rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptarë të asaj lagje. Gjatë përplasjeve, u lëndua lehtë një punëtor i angazhuar në procesin e rindërtimit.

Urdhrin e Policisë së Kosovës për të ndërhyrë në këtë incident thuhet se e kanë shpërfillur tetë pjesëtarë serbë të saj, ndaj të cilëve kanë nisur hetimet për refuzim të urdhrit të dhënë nga komandanti në terren.

Por, kjo nuk ishte hera e parë që policët serbë në veri të vendit nuk zbatuan urdhrat e eprorëve të tyre.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se ndaj policëve në fjalë do të ndërmerren masat e nevojshme pas përfundimit të hetimeve.

“Ne kemi pasur raste të tilla edhe më herët, kur janë iniciuar procedura ndaj edhe vetë komandantëve të stacioneve dhe janë ndërmarrë masa edhe nga më të rëndat deri në largim nga puna”, theksoi Hoti.

Duke folur për “strukturat e paligjshme të sigurisë” në atë pjesë, Hoti tha se është i nevojshëm një konsensus në nivel politik, meqë policia lokale nuk ka kapacitete për t’i mënjanuar ato.

Besim Hoti
Besim Hoti

“Ne jemi në dijeni se në veri të Kosovës veprojnë grupe të ndryshme të interesit, përfshirë këtu edhe strukturat ilegale dhe ato të sigurisë si formacione ilegale. Nuk do t’i quaja paralele për faktin se ilegalisht thuhet se veprojnë këtu në Kosovë. Por, gjithsesi shpresoj që kjo çështje të adresohet ndoshta edhe në nivelin më të lartë politik-në radhë të parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por edhe tek organet e tjera ndërkombëtare të sigurisë siç është KFOR-i dhe EULEX-i”, u shpreh Hoti.

Ndonëse po bëhen pesë vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë, Prishtina zyrtare nuk ka arritur ta shtrijë në tërësi autoritetin shtetëror në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë.

Kundërshtimi i banorëve serbë të asaj pjese ndaj këtij autoriteti shtetëror, vazhdon të jetë i fuqishëm, sikurse lidhjet e tyre me Beogradin zyrtar.

Bashkësia Ndërkombëtare i ka kërkuar Serbisë zhbërjen e strukturave paralele nga veri i Kosovës, ndërsa ka inkurajuar palët për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vete.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës e Beogradit, që kishte nisur për këtë qëllim në mars të 2011-s, u ngrit në nivel politik në muajin tetor.

Veriu pritet të jetë një ndër temat e diskutimeve në këtë proces.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG