Ndërlidhjet

Kosovë: Buxhet i zhvillimit apo varfërisë?


Ilustrim
Ilustrim
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim të enjten projektbuxhetin në lexim të parë për vitin 2013, i cili është 1 miliard e 586 milionë euro. 62 deputetë kanë votuar për, 31 kundër dhe 1 abstenim. Debati, i cili ka zgjatur me shumë se shtatë orë, është përcjellur me përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga partitë në pushtet e kanë lavdëruar projektbuxhetin, duke thënë se buxheti për vitin e ardhshëm, është buxhet i zhvillimit të mëtejmë të vendit.

Ata janë shprehur se buxheti parasheh ngritjen e mirëqenies sociale, por, sipas tyre, me këtë buxhet, do të vazhdojnë investimet kapitale.

Ministri Financave, Bedri Hamza, para deputetëve të Kuvendit ka prezantuar projektbuxhetin dhe ka deklaruar se buxheti për 2013, është buxhet i zhvillimit ekonomik.

“Kam më shumë se një arsye që mua më jep të drejtën të kërkoj votën pozitive për këtë projektbuxhet. Është përfundimi i autostradës nga kufiri i Shqipërisë. Fillimi i projektit të ri Prishtinë-Shkup; Vazhdimi i punimeve në shumë segmente nacionale; Përfundimi dhe disa objekteve shkollore; Mbulimi i kostove të vendimit të Qeverisë për rritjen e pensioneve; Sigurimi i kostove për zhvillimin e reformave në administratë publike; Sigurimi i kostos për implementimin e reformave në shëndetësi, etj.”, ka thënë Hamza.

Sipas Hamzës, buxheti është i bazuar në burime të qëndrueshme dhe në harmonizim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Edhe kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërxhonaj ka thënë se Komisioni e ka shqyrtuar projektbuxhetin dhe se, sipas saj, dokumenti është i hartuar mirë, pasi që krijon bazë për një efikasitet më të madh në menaxhimin e mjeteve buxhetore.

“Projektbuxheti është bazuar në analizat makro – ekonomike, të cilat janë pjesë e këtij dokumenti dhe në planin që ka Qeveria për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, është shprehur Hadërxhonaj.

Buxhetit i vitit 2013, është me një rritje prej 4 për qind krahasuar me buxhetin e këtij viti, kurse të hyrat do të jenë 1 miliard e 423 milionë euro, me një rritje prej 3 për qind.

Hartimi i buxhetit për 2013, është bërë duke marrë parasysh edhe ecuritë në Eurozonë, përderisa është paraparë rritje ekonomike prej 4.5 për qind.


Kundërshtohet nga opozita

Ndërkohë, partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja, e kanë kundërshtuar projektbuxhetin, duke e quajtur buxhet të asfaltit dhe betonit.

Në emër të Grupit Parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Naser Osmani, ka thënë se buxheti për vitin 2013 nuk ka qëndrueshmëri buxhetore, pasi që, sipas tij, qeverisja aktuale nuk ka plan zhvillimor.

“Ky projektbuxhet ka shumë paradokse që e bëjnë buxhetin jostabil. Nuk jepet asnjë vlerësim se si do të kalohet nga mbledhja e të hyrave që është 64% e të hyrave në mbledhjen e të hyrave brenda ekonomisë. Kapacitetet e Administratës Tatimore të Kosovës vazhdojnë të jenë të kufizuara për të bërë këtë ndryshim. Pra, ky buxhet vulos varfërinë në Kosovë. Subvencionet dhe ndihmat sociale që marrin familjet e varfra, do të zvogëlohen në terma real”, është shprehur Osmani.

Edhe për shefin e Grupit Parlamentar të subjektit politik Vetëvendosje, Visar Ymeri, projektbuxheti i vitit 2013, nuk ka kurrfarë dallimi me buxhetet e viteve të kaluara.

Ymeri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se në vazhdimësi deklarohet se ka rritje buxhetore, kurse jeta e qytetarëve po vazhdon degradimin.

“Ky është një buxhet, i cili nuk ka fare koncept zhvillimi. Ky është një buxhet i asfaltit e betonit, e jo buxhet i investimeve në sektorët prodhues. Zhvillimi ekonomik i Kosovës, duhet ta dimë të gjithë, vjen nga investimet në prodhim, nga hapja e vendeve të punës në bujqësi, në energji e industri. Rritja ekonomike varet nga investimet në arsim e shëndetësi. Në rritjen e kapaciteteve prodhuese, që shtojnë vlerë dhe nga rritja e kualifikimit dhe fryt-dhënies së fuqisë punëtore, ky buxhet nuk e bën as për së afërmi këtë”, ka thënë Ymeri.

Ndërkaq, deputetët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar disa sqarime shtesë për buxhetin. Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka deklaruar se në projektbuxhet vërehen disa mospërputhje.

“Pse duhet të ndërtohen nga tri herë rrugët, brenda një mandati qeverisës? Çështje tjetër, që ka të bëjë me s’përputhje është mes asaj që deklarohet me rritje ekonomike dhe rritjes së buxhetit, sidomos kur e kemi parasysh që buxhetet e viteve të fundit, marrin edhe hua. Shteti merr hua, për shembull letrat me vlerë janë hua, me sa di unë”, ka deklaruar Gjini.

Megjithatë ,Gjini ka thënë se AAK-ja do ta votojë në lexim të parë projektbuxhetin, por ka vënë kushte për votën në lexim të dytë, pasi që, siç ka deklaruar ai, AAK-ja kërkon që Qeveria e Kosovës me Komisionin për buxhet dhe financa të gjejë mjetet për vazhdimin e ndërtimit të disa rrugëve në drejtim të Komunës së Pejës.

Nëse kjo nuk ndodh, sipas Gjinit, AAK-ja do të votojë kundër projektbuxhetit në leximin e dytë.

Ndryshe, buxheti i vitit 2012, i cili ka qenë 1 miliard e 520 milionë euro, e që është vetëm 4 për qind më i vogël se buxheti i vitit 2013, sipas vlerësimeve të ekspertëve, nuk ka rezultuar në zhvillim ekonomik të Kosovës, zbutje të papunësisë dhe varfërisë.
XS
SM
MD
LG